Libri

ARTI I PËRGJITHËSIMEVE ONTOLOGJIKE

Mehmetali Rexhepi: ARTI I PËRGJITHËSIMEVE ONTOLOGJIKE

Shefik Shkodra : “AUREOLË E PËRHITUR” SHB “Sogjetime”; Gjilan, 2019

Poezia si kjo ngërthen tipologji, që e karakterizon dëftimin poetik përmes pleksjeve të trajtave të dhunës, shfaqjes së barbarisë, jo vetëm si pamje vrastare, por dhe si mendësi imponuese “nga psalme fëlliqtë demoniane.” Përvoja dhe intuita e vetëdijes së zgjuar, në mesnatën gjysmë të fjetur, nuk kishte si t`i shmangej ripërsëritjes së fantazmave “në oborre të robit.” Fantazmat tashmë kishin hyrë, ishin thyer gardhiqet, “nderen” e përcaktonin “yjtë e kuq!” Mjerimi i psikologjisë së robit shfaqte trajtat e servilizmit, dorëzimin pa kushte dhe radhën e darkës barbarëve të rinj të njëmendësisë ortodokse:

“Darka vazhdon me yjet e kuq shija krejt zerdelinë

Dhe s`pranë hareja me siklet të robërimit mesjetar!”*

Teksti ka brenda vetës epitetin “yjet e kuq”, gjendjen e detyrueshme kur “s`pranë hareja me siklet.” Mes dy kontrastesh haresë dhe sikletit kishte hyrë robërimi mesjetar! Si mund të kishte hare dhe siklet njëkohësisht?! Duke u thelluar më tej kësaj “hareje”, në përfytyrimin e poetit ndjehet e duket djallëzia partizane-çetnike, me stilin e ngadhënjimtarëve barbarë: ju vramë, ua pushtuam truallin e konakun, duam darkën solemne dhe, shkalla e cinizmit ngjitej në gradën më të lartë të sikletit: të na bëni atmosferë hareje!?… Pleksjet ideore, gjendja psikologjike, dendësia e tendosjes, zierja e mllefit… Kjo është forca e vargut të sprovuar, si dëshmi dhe si vizion, për të mos u djegur kujtesa historike në breza!…

Foljen e shprehjes me ngërthesë shpirtërore siklet, fare lehtë do ta zëvendësonte emri skile, ose shumësi i emrit skilet… Kështu, mund të zgjerohej fusha figurative e konotacionit, nga folja me barrë të rëndë emocionale, në një emër simbol dinakërie e i dinakërisë shekullore… Poezia e këtillë lejon mundësi të hapura për interpretime ideore-emocionale dhe modalitete të tjera…

Ontologjia poetike ia zgjeron gamën e depërtimit poetit Shefik Shkodra, në relieve pamjesh të lëvizshme, të ndryshueshme, sjelljesh vendnumërimi dhe jashtë ëndrrave të gjakimeve, nëpër kundërthënie sistemesh, sprovime qytetërimesh në kahet e absurdit dhe në paradokset e njerëzimit: “Si po u rritka njerëzimi me gjithfarë fare dhe gjinie…”

Poezia me gamë të zgjeruar motivesh, doemos nuk mund të mos kishte një bosht graviteti dhe një skelet rrëfimtar, ku jo çdo fjalë do të mbulohej me figura. Pohimi lidhet me poezitë e shtjellimeve me mbi dyzet vargje e tutje. Çfarë mund të ndodhte përkitazi ndërtimit të kompozicionit homogjen të tyre? Gjasat e daljes nga shinat, shkapërderdhjes së idesë qendrore do të ishin afër heterogjenes. Teksti, konteksti dhe nënteksti poetik ose do t`i nënshtroheshin një lloj rrëfimi, ose do të mbuloheshin nga mjegullnajë e hirtë e paqartësisë?… Poezisë do t`i ndodhte humbja e koherencës nga mbindërtimet fragmentare të tërësisë. A i ndodhi një rrëshqitje e këtillë poetit Shefik Shkodra? Kultura e përgjithshme letrare, përqendrimi, kujdesi, kriteri, disiplina e durimit krijues, fjalori ontologjik, talenti qëmtues, nuk lejuan që poezisë së këtij poeti t`i mungojë koherenca.

Gjatësia e vargjeve monokolorë e këtyre shtjellimeve poetike do të ishte e mërzitshme, sikur mos të shihnim kontraste dritë-hijesh, ndjeshmëri, emocione e kënd-shikime dukurish ekzistenciale, me brenga njerëzore tej të sotmes… Mandej, paraqitja e situatave shpirtërore të subjektit njerëzor me formulime metaforike, përfytyrime, simbole, epitete, krahasime, ironi e mozaikë karakteresh, gjendje drithëruese, lakime e depërtime shprehjesh labirinteve të situatave…

*Po aty, f. 100

Leximi i sprovave historike, përgjithësimi i ideve vetjake, kapja me anë të vargut e inserteve të së veçantës dhe shkrirja e tyre në unin e përvojës gjithënjerëzore…

POETIKA E KARAKTERIT

Ku shpijnë caqet e ideve poetike të Shefik Shkodrës? Para së gjithash te zgjimi i vetëdijes mohuese e pohuese të lexuesit, jashtë suazave skematike bardhë e zi. Ngarendje për hapërim të përhershëm për të kapur guximin krijues… Poeti i dha dorë poezisë të skaliste, sikurse një skulptor i shkathtë, fisnikëri tek njeriu, tek dukja dhe shpirti i njeriut. Trinomi i tij bie ndesh me “kënaqjen” e ndërgjegjes në “paqen” e kamufluar, maninë servile, psikologjinë e turmës të yshtur nga euforia, stereotipat e fantazmave, klientët e dashurisë së shitur, anatemat e urtisë… Ndërmjet lirikës me shenja onomastike bredhërish rinore, vjen mallëngjimi vjeshtor i moshës; njëherësh dhe shartimi i çiltërisë me djallëzi e smirë… Vetëm një perde e tejdukshme i ndanë të mirën nga e keqja, inatin nga sinqeriteti, ëndjen nga mëkati, dhimbjen nga lumturia… Këtu është karikatura e theksuar e narcisit, por dhe Feniksi bashkëkohës, konotacionet e Erëverës si shtrojerë e shpirtit të trazuar, si lajtmotiv për vizionin e lumturisë.

Urtisë poetike të këtij autori inventiv, aty-këtu do t`i stisë edhe ndonjë trajtë e vargut shpjegues, që nuk përkon me nivelin e stilit figurativ e të mendimit:

“Ngjashmëri e pjellës së njeriut me dhëmbë kanibali

do pa ndjenja me shpirt-frymë kuptoje biologjikisht!”*

Veset e ligësia e karaktereve kur vihen në foljen e trajtës së pakryer, poenta poetike vë në pah vazhdimësinë e tyre të pashëruar… Vijon padija dhe egoizmat, dashuria merr trajtë të një “dashurie narcise.” Mëkatet dhe makutëria e përshkojnë mjedisin e karaktereve të autorit, gjithnjë në trajtën e foljes të mënyrës së pakryer… Si e tillë atmosfera zotëruese e të hirtës, edhe vargut të poetit, do t`i jepte ngjyrë të zbehtë:

“Fryt i dobët do të dilte kënga pa dëgjues.” Kësisoj, arti i këngës dhe i shkrimit paguajnë tagrin e injorimit! Çka i mbeti poetit? Poetit i mbetet veçse ”shushurimë” e gjetheve të monologut të vet! Kjo është një vrasje e llojit të indiferencës; qenia njerëzore për dallim prej katërkëmbëshve, ecë drejt tyre mbi dy këmbë! Vetmia edhe pa plumb vret. Kështu, poeti i dha konotacion iluminist poezisë, ngase ndezi fanarë në bardhësinë e ditës, sikurse Diogjeni me fenerin e tij simbolik, duke kërkuar njeriun!…

Titulli dhe përmbajtja e poezisë “Injoranca e egoizmi”, janë në valë të njëjta me diskursin për ndriçimin e trurit të njeriut. Pra, kjo notë i lypë urtisë një rol reflektues, rrjedhimisht poeti bëhet mësues! Mirëpo, poezia a mund të ishte një mësuese e moderuar me shkop në dorë për psikologjinë e mjedisit tonë?! Poeti brengës së tij i dha trajtën e foljes të kohës së pakryer, ngase:

“Mosdija dhe egoizmi janë nënë e bijë”*

Noli urtar do të thoshte: Nuk i ka fajet druri po truri!

Poeti Shefik Shkodra “Nga kambanorja”e tij poetike motivohet dhe motivon kthimin te vetvetja, te pamjet e shëmtisë, që depërtojnë me ngjyra të zeza në shpirtra! Shtresimi bashkëkohës i kënetës kundërmuese e helmuese, ia zgjon të vjellat dhe i humbet oreksi për shumëçka… Vajtje-ardhjet nëpër këtë anames janë infektuese! Arti kërkon kumbim të fortë të kambanës, për shkundje të shëmtisë në jetën e njeriut tonë! Poeti njeriun e mjedisit të vet e sheh, asisoj, siç nuk është duke e parë ai ende veten e tij. Pasqyra e të parit të vetvetes është vet-mashtruese. Njeriu ynë është katandisur keq në shëmti; pa asnjë parim të etikës njerëzore! Zgjerimi i gangrenës së tillë do ta paralizojë ecjen drejt caqeve tona të bardha!…

*Po aty, f. 101

* Po aty, f. 31

Duke e zbërthyer tekstin, frazat figurative, idetë e hapura dhe kontekstet mes tyre, shfrimet e ndjenjave autori i reduktoi në përshkrime pamjesh, në figura përfytyrimesh, në epshe të ndezura gjakndezjesh e gjak-fikjesh… Kur të kumbojë kambana poetike, dridhjet e kumbimit të saj shpijnë te një kumt drithërues…Me gjasë alarmues!… Poezia e këtillë nuk është vetëm art për art. Ajo ngërthen mision, porosi, urtësi, ndjellamira… Ajo i vete prapa misionit udhërrëfyes, si një urtari i përballjeve me trysnitë e pamëshirshme të epokave, të periudhave regjimesh të egra; gjithnjë duke mos e lënë të vetmuar urtësinë kthesave marramendëse…

Para së gjithash vokacioni i tipologjisë së këtillë poetike është ontologjik. Ky vokacion thurë ledhe sprovash ekzistenciale me hua-marrje pleksjesh etike, historike, filozofike dhe vizionare. Pra, barra subjektive dhe universale që kishte poeti në shpirt, nuk ishte e lehtë të zbrazej në letër. Brusha e poezisë për tablonë e pikturës së vet ngjyen edhe në diskurset tjera, me ndrojtje të theksuar për humbje të fytyrës së vet në mozaikun e ndërthurjes së ngjyrave. Doemos duhej të mbahej baraspesha e mos rrëshqitjes as në njërën, as në tjetrën sferë të superstrukturës shpirtërore, artistike e ndërdisiplinore.

LIRIKA E RRJEDHËS SË MALLËNGJIMIT

Motive joshëse në librin e Shefik Shkodrës “Aureolë e përhitur”, janë e blerta e barit dhe gjethimet rinore të pyllit e malit; kujtesa e shkapërderdhur e rinisë:

“ për ta prekë këtë tokë të shenjtë si ëndërr

rruga s`ishte e tepërt veç zor fund e maje

niseshe këmbëzbathur pas fluturave nëpër bar

ato vrapime s`i tejkalonin vendnumërimet

s`të linin të dashuroje-vepër heretike ishte”*

Lirika e motiveve rinore të poetit përshkohet mes dy ambientesh: a) malore dhe, b) urbane, nëse mund të konsiderohej e tillë, për nivelin e rrethanave?… Ambienti i përthyer malor, pos ajrit, ujit të krojeve, gurrave, përrenjve, lisave e jetës baritore; asaj mënyre jetese i përkonte dhe mendësia patriarkale, e cila ndrydhte intimen e të riut me disa tabu të konservuara… Frenohej panatyrshëm shfaqja e ndjenjave të lirshme të rinisë!… Këso copëza dromcash, fragmentesh të një bote tashmë të perënduar, kthehen te poeti si vranësira të mbarsura me shi në stinën e thatësisë… Ato fragmente të periudhës fëmijërore e djaloshare, në shkrimin artistik nuk vijnë drejtë për së drejti, por shfaqen të filtruara nga mosha e lakuar e pjekurisë. Si do të pikasej ajo dhunti jete e avulluar?

E ëmbla rini e poetit la gjurmët dhe shenjat e veta në onomastikën e një këndi të Arb-Dheut. Natyra dhe intimja vetjake të ndrojtura dhe të ndrydhura, gjakimet e fshehura dhe të djegura, tipare të gërvishtura nga lojërat me shtaga dhe “golfin” e malësisë, shtigjet e mbyllura të kasolles prej burgut të borës… Çdo emërtim, çdo maje mali, lëndinat, gurët, përrenjtë, dhiaret e lidhnin subjektin lirik me fije, copëza ndodhish, bëmash çapkëne, patronime farefisesh dhe, të shkëputura si ndjesi zemre e moshe, i japin trajtë rrjedhjes të poetikës së përfytyrimit në galerinë e kujtesës, e lexuar me syzat e mallëngjimit.

Në poezinë “Me fyellin e vjeshtës”, arkivi i kujtesës në kokën e poetit, ruan perceptimet e saj në hapësirë e kohë, tingujt e ngjyrave të melodisë… Melodia e fyellit, ngjyrat e zverdhura e lidhin poetin me pamjet e maleve, me përfytyrime, shfryrjet e shtrëngatave mbi lisa, ushtimën, terratisje e zbardhje, fëshfërima gjethesh, aromë e barit të mugulluar, orkestrën e zogjve pa dirigjent, pëllitje lopësh, cingërimë e kambanave të grigjës, kikiriku i orës së gjelave herakë dhe, fatkeqësisht kthimi i shpinës tërësisht vendlindjes! Poeti, jo për fajin e tij, ia kishte kthyer

* Pa aty, f. 40

shpinën virgjërisë së maleve; atij relievi që e brumosi dhe ende e josh, duke ia shpaluar ato faqe ngjyrash pranverore e vjeshtore, me joshjen e parë të “kasolles-kështjellë shkollore!”

Kush mund t`ia përpinte më lehtë shtigjet, kodrat, përrenjtë, lugjet hapave të vetmisë së poetit, pos melodisë? Melodia mallëngjyese e fyellit ia zbardhte të përhiturën e ditës, siç ia kishte zbardhur e praruar “Fyelli” rilindësit të adhuruar, Naim Frashërit shpresën, e cila ia shpinte shpirtin te njerëzia, tek Perëndia në tokë e qiell! Poeti e shpie melodinë e mallëngjimit në çdo skaj, ku dëgjohen tingujt e shqip-shqiptimit, për shtrirjen e dashurisë si shpëtim nga “deti i pambarim.”

Ta vështrosh ndjeshmërinë poetike me nota mallëngjimi, si diçka jashtë ritmeve të modës, është sikur t`ia shartosh njeriut një zemër me trurin artificial?! Poetit dinamika e përditshmërisë ia thanë pakë nga pakë lirikën e mallit; mallin e papërmbushur si qenie djaloshare, e djeshme dhe e tashme, shkëlqimet e “përhitura” të thesarit djaloshar! Mushkëritë e poezisë, me nota të këtilla, frymojnë dhe pulsojnë me ritmet, ngazëllimin e hidhërimet e asaj rinie, por me urtinë e sotme të pleqërisë. Tek poeti Shefik Shkodra njomështia e atyre tablove ende kundërmon, si kundërmim i barit pas shkrirjes së borës fund-marsit e fillim-prillit… Ato janë thesare të paçmuara, as shiten, as blihen!…

MAJËPENA TEJ-SHPUESE E IRONISË

Librin “Aureolë e përhitur” e karakterizon ironia e depërtimit në karaktere të shpifur njerëzorë. Penës së poetit i dalin para e prapa shpinës imitues, të cilët nuk arrijnë të perceptojnë, as të kapërcejnë qarkun e trupit të vet! Ky shtresim shoqëror tërë mjeshtërinë e mbyllë në një fletore “si kënaqësi të vetvetes.” Intuita ftilluese e këtij poeti, nxori në pah ironinë e llojit të mjediseve tona, për “ mjeshtërit” mburracakë, sedër-fodull, fjalamanë e smirëzinj!

Përballja me realitetin e elitave fodulle, është njëri nga parimet e papërkulshme, forca ideore-estetike dhe etike e shkrimtarit Shefik Shkodra. Nuk mjafton të jesh i papajtueshëm me “elitën”, e, të mos ia prekësh edhe majën e kupolës! E kundërta e përballjes rezulton: ta shohësh borën në atë majë nga dhoma e ngrohtë dhe, të pohosh: me mendje shpesh jam ngjitur atje!… Shigjetën poetike shkrim-kërkimtari ua drejtoi “elitave” të shthurura, atyre që i trokasin ndjeshmërisë dhe cenojnë paqen, pastaj ia shporrin gjumin njerëzimit…

Tetëdhjetë e katër vargjet e poezisë “Shqetësime”, përshkohen nga poetika e shqetësimit, për të ardhmen e urtisë njerëzore! Reflektimet fshikullojnë “elitën” politike, e mbështjellë me pancirin e pushtetit në emër të shtetit?! Është i admirueshëm portretizimi, asisoj si e kapin vargjet, anët e jashtme dhe brendinë e “elitarëve” tartufë politikë; të shkëputur nga votë-besuesit, të cilët vetë iu dhanë krahë të fluturonin mbi ta… Krahë të tillë fluturues evolucioni biologjik nuk ua kishte mundësuar!…

Poezia shtron mëdyshje përgjithësuese për rikthimin e historisë në esencën e së keqes… Ishte arritur që ledhi i faktorëve të jashtëm të zhbërjes, t`i lëshonte udhë faktorit të brendshëm, por ky i brendshmi u bë po aq rrënues!… E brendshmja rrethanë shtet-ndërtuese e ligj-zbatuese, për fajin e mallkuar të prijatarëve të pangopur, që përfituan vetëm për veten dhe klanet; u shndërruan në tiranë të mëdhenj e të vegjël zhvatës, duke lënë prapa heshtjen dhe turpin ” kundër kusarëve ngadhënjimtarë!”*

Thellësia dhe gjerësia e tillë art-jetike, me artikulime metaforike, simbolike dhe sistem figurativ, ofrojnë mundësi të gjithanshme qasjesh, që brenda vetës ngërthejnë gjakime për të bukurën, brengën e dhimbjen e përgjithshme, për mospërfillje vullnetesh individuale e kolektive,

* Po aty, f.

për shmangien e së vërtetës, për standardizimin e psikologjisë së gjysmakëve, për “vlerën” pa kritere! Para rrethanash sikurse këto, poeti nuk dorëzohet, madje revoltohet dhe rebelohet… Çfarë është ky rebelim? Rebelimi është artistik. Ai të fton të bashkë-ndjesh, t`ia tumirësh cakun fisnik… Të grish ta ndjekësh kursin e tij, të identifikohesh me të para se të hysh në botën e ndërliqshme, të një realiteti të cilin nuk e sheh, nuk e ndjenë, nuk e ke prekur, nuk e ke përjetuar, nuk e ke shijuar, ndaj meriton të zbërthehet… Si? Gjithnjë, sipas ngjyrave emocionale, etikës njerëzore, filozofisë së ideve, sprovave stilistike e jetësore të vargut.

Padyshim e ëmbla dhe e hidhura janë të pleksura në jetën e njeriut. Shkrimtari personazhin kameleon e pikasë edhe mes nuancave më të holla, sado të kamufluar prapa ngjyrave të lëvizshme të mjedisit. Arti i fjalës së qëmtuar vijëzon ambientet e helmuara, me vijëzime figurative… Akëcilit personazh ia nxjerr karikaturën, ashtu si nuk e shihte veten e tij në pasqyrë. Autori personazhit të tij, secilën herë deshi t`ia shmangte ecjen në kategorinë e shëmtuar të jetës. Kështu, njeriut prore mëtoi t`i ofronte dorën e hijeshisë bleroshe, por dikush nuk ndalej së pshurruri në trungun e këtushëm blerosh!?…

Nëse e ndjekim udhë-rrëfimin e autorit, kureshtja të shtyn t`i afrohesh, t`i qasesh se ke për të shtuar diçka tënden, por nuk arrin se është flluskë e frymëzimit, iluzion, aromë dehëse, diell përcëllues, tutje të shfaqet aureolave të biondeve në fytyra, buzë e vija të përsosura… Më parë se ti e unë, dhuntitë i kishte vjelë autori… Nuk i voli veçse për veten e tij… Jargët e instinktit rrjedhin… Pra, lype: në cilën enigmë fshihet magjikja?…

GJYQI SUPREM I NATYRËS

Kërkimet poetike e sjellin poetin në një cak. Shpirti i tij arrin në cakun e shpalimit të fletëve, kërcitjes së eshtrave pas rropatjeve të rrugëtimit. E madhërishmja natyrë ia praroi dritën, gjithë atë pikturë vigane dhe ecejaket mbi të; tmerrin e shfryrjes së tërmeteve, shpërthimin e bymimit të llavës, trazimin e paqes dhe, gjetjen e kodeve për të madhërishmen e jetës?!… Poeti i ndodhur nga shtypje polesh të këtilla, ngarendte pas ligjëratës të shurdhërisë së fjalëve, ndoqi kthesën e ditës, ikjen e dritës dhe kërkimin e pishës!… Mes tërbimit të natyrës e të dykëmbëshit, diku në një skaj e priste vetmia, ligështia e lakut dhe numërimi i kujdesshëm i hapave, ngrysja mallëngjyese, trishtimi dhe një llambë e zbehtë…

E tëra kjo ishte kapërcimi i verës dhe, arritja në vjeshtën e përhitur e në gjethet e flokut të thinjur:

“Tërbimi i natyrës së përjetshme nuk kursen dhimbje e mall!”

Ky është ligji suprem i natyrës të cilës nuk i bën dot ballë!

ONTOLOGJIA E PËRKUFIZIMIT

Çka zbërthen ideja e vetmisë si hije e ftohtë? Poetin e trishton hija e vetmisë dhe dëshmon:

“s`ka lezet muzika veç për egon-

pa ia thënë askujt atë më intime”*

Çfarë shkrimtari do të ishte ai që mbyllet në kullën e tij të fildishtë? Kriza e çiltërsisë dhe indiferenca janë tejet shqetësuese për poetin, si qenie e ndërvarësisë shoqërore. Përgjigjja është aty, nën lëkurën e rrjedhës së damarëve të gjakut.

“Aureolë e përhitur” begatohet me poemën “Baladë verore” e përmasave simbolike, për qëmtuesin e të bukurës, të simbolikës kombëtare dhe universale, për poetin e shkrimtarin Beqir Musliu. Poema ka shtrirje të gjerë dhe prekë disa nga caqet e lakimit të fjalës, të mjeshtërisë së hyrjes e daljes nga universi i ndërdymes…

*Po aty, f. 127

Poeti për poetin kap lidhjet e universit njerëzor me universin poetik, urtësinë dhe dramën e një krye-personazhi emblematik. Spikatë kodet, enigmat që i mbështjellin ato, duke vijëzuar të madhërishmen dhe dhimbjen e krijuesit, ontologjinë dhe alkiminë e shkrimit, sferat fantastike të imagjinatës e magjiken, vizionin e tej mesit kohorë; modernitetin e Mjeshtrit tonë me sy qielli e gjerësi deti: robin e letrave shqipe, Beqir Musliun.

Stili i të shprehurit artistik i autorit Shefik Shkodra, brenda vetës pleks edhe rrëfim, por rrëfimi nuk e përtrollit prozën… Janë për t`u theksuar veçmas kompozitat, dy e më shumë kuptimesh, si Erëverë, hapore; togfjalëshat e tipit: furkë e shtrigave, tis vegimor, skamja frymore… Hasim edhe ndonjë shprehje të stilit shkencor, si “Metaforikisht i rrisim gurrat” në poezinë “Besimi në ardhmërinë”*

Poezisë me titullin në kllapa (Një profeci), i jep ritëm e dinamikë lidhshmëria anaforike, karakteristike si ndërtim stilistik. Thënies poetike të vargjeve pa strofa, i japin shtytje përsëritjet ritmike të anaforës përmes lidhëzës dhe. Çfarë kemi këtu? Këtu kemi përshkallëzimin joshës të ritmikës poetike, dramën emocionale të ngjitjes…

Shijet dhe kultura e leximit mund ose nuk mund të jenë të përputhshme nga lexuesi në lexues, varësisht çfarë kërkon prej vargut njëri a tjetri; megjithëse shija ndryshon, por, jo aq sa të jetë në skaje të kundërta.

Cikli i poezive “Ligjëratë mallëngjimi” me shtatë njësi poetike, sipas shijes sonë, arrin majat e rrumbullakimit artistik në relievin e poezisë të poetit Shefik Shkodra. Këtu do ta veçonim njësinë poetike (Dyshime). Kjo poezi ngërthen të sotmen me të gjitha mangësitë, dinakëritë, pabesinë, mizorinë e ambicieve, manitë-fodulle, hipokrizinë, karakterin tekanjoz, perversin, kurvarin, grabitqarin, makutin, hajninë politike, karrieristin e sëmurë, bythë-lëpirësit, paranojën… I gjithë ky konglomerat sillet rreth orbitës poetike te kategoria e të shëmtuarës. Fatkeqe, por e shëmtuara i imponohet poezisë si kategori mbizotëruese estetike!

Përderisa teoria post-moderne për artin, porositë e sforcuara ose krejtësisht të hapura të ndonjë vepre, nuk i parapëlqen ashtu, që t`ua tumirë akëcilit poet a shkrimtar; mirëpo, përkufizimet e qëndrueshme artistike nuk mund të përjashtohen. Përvojat e sprovave artistike as shekujt nuk i rrëzuan. Pohimin e dëshmoi katërçipërisht arti i teatrit të William Shakespeare!

Le t`i rendisim në vijim disa përgjithësime përkufizuese, filozofike të cilat i pamë për gjatë shtjellimit të këtij libri poezish, ngase si të këtilla mbartin përvojë mençuruake:

1“Pritja përsëritëse u shndërrua në kohë të nëmur” (Baladë për dashurinë);

2“më shumë psherëtima ishte frymëmarrja jonë!” (Shtëpia e orëve);

3“Ruaju nga foljet e shumta e me dymendësi!” (Dyshime);

4“E vjetër koha e vjetër nëma e lashtë loja e gjuha detarisht” (Bukuroshja e Adriatikut);

5“ I pa kohë të mjaftueshme sa për një këngë mallë!” (Me fyellin e vjeshtës);

6“Si të ngryset nata kur dita duket e errët” (Margjinale);

7“ Të mos keqësohet mendja me shqisa të mangëta!” (Shtegtarit);

8“Le t`i djegë rreze e dritës rrënjët e hipokrizisë!” (Shtegtarit);

9“ Lehtësojani ngarkesën në bredhëritje bote apatridit!” (Shtegtarit);

10“Si të shpëtoje pezull në hapësirën eterike!” (E pa kryera);

11“Derri mbetet me zanatin e vet-i zhgërryer fëlliqtë” (Shqetësime);

12“Djajtë fshehtas prisnin rrënim njerëzor nga epidemia” (Shqetësime);

13“Shumë murmurisje dhe kur nuk dije asgjë të këndoje!” (Portretizim në të pakryerën);

14“E shkurtë është koha për ditarët me intrigantë?!” (Narracion qëndrese);

*Po aty, f. 51

15“E do ndryshimin e botës por jo dhe shpirtin e vet!” (Narracion qëndrese);

16“Këta padronë si gjykim i marrin fakirat për dorëzanë!”(Narracion qëndrese);

17“Festa po na kushton si Neroni i tërbuar me Romën!”(Rubikoni);

18“Të tradhtoi ëndrra se ishe ende në zenit të ditës!” (Nga stina e butë);

19“Gjërat e imta i kërkoje në maje t`majës së gjilpërës pickuese!” (Baladë verore);

20“Merre hijen e atit tënd-mos harro…!” (Porosi e thjeshtë).

Gjilan, Nëntor 2019

You Might Also Like