Ka nisur seria e finaleve të “Play-off”, ku do të përcaktohet kampioni i Kosovës ndër femra në volejboll. KV Drita e ka nisur bindshëm serinë finale, duke ngadhënjyer me rezultat bindës 3:0 ndaj M-Technologie nga Prishtina.
Set i parë ka qenë bindës për vashat gjilanase, që e përmbyllën këtë set me rezultat 25:7. Përbërja e Dritës prej dy motrave Prenga, amerikanes Gardner, Shabanit, Hysenit, Jahës, Mehmetit dhe lojtareve zëvendësuese ishte e pandalshme në secilin element të lojës, në sulm, bllok, shërbim, pranim e lojë në fushë, gjë e cila i hutoi prishtinaset që në përbërjen e tyre kishin edhe dy lojtare braziliane.
Në setin e dytë mysafiret ishin më të vëmendshme dhe arritën që të marrin 20 pikë, kurse forca e Dritës u dëshmua në setin e tretë që njëkohësisht edhe i fundit e ku u angazhuan edhe lojtare, të cilat më pak ishin inkuadruar në lojë e të cilat arritën që të mbledhin 25 pikë, ndërkohë që mysafiret u ndalën në 14 pikë.
Me këtë fitore, ekipi që drejtohet nga Lorik Ilazi dhe Valon Murseli nis serinë e fitoreve me 1:0, kurse ndeshja e radhës do të luhet në Prishtinë.