Gjilan, 22 prill 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me Komitetin e Emergjencave dhe Qendrën Operative Emergjente, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj, zëvendësministren e Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini dhe drejtorin e Operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti.
Gjatë adresimit para mediave, kreu i Gjilanit ka falënderuar delegacionin nga niveli qendror për vizitën dhe ofrimin e mbështetjes për ta përballuar situatën kundër pandemisë Covid-19.
Ai ka falënderuar të gjitha ekipet e mjekëve dhe të policisë për punën e madhe që kanë bërë, duke punuar në një frymë të mirë bashkëpunimi.
“Ky delegacion ka rëndësi të madhe për ne sepse në ditën e 41 në Gjilan ne shënojmë zero raste me Covid-19 dhe tashmë jemi në ditën e tretë pa asnjë rast. Shpresojmë që ta ruajmë këtë ambient në mos përhapjen. Vazhdojmë të kujdesemi për familjet që janë me infeksion, duke iu qëndruar afër tyre. Vazhdoni me qëndroni në shtëpi dhe t’i zbatoni masat kundër pandemisë. Jem në luftë të pakompromis më Covid’19”, ka thënë Haziri.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj, është shprehur i impresionuar me reagimin e jashtëzakonshëm të të gjitha strukturave të Gjilanit kundër përhapjes së Covid-19.
“Ne sot e kemi marë shembullin e mirë të Gjilanit të cilin do t’ua përcjellim edhe komunave të tjera”, tha Gecaj.
Ndërsa, zëvendësministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini, tha se nuk bën pa e përgëzuar Gjilanin për punën, duke thënë se është shembull për menaxhimin e pandemisë për komunat tjera, por edhe për nivelin qëndror.