Sportet me dorë

Dilon Latifaj, volejbollisti që pushtoi zemrat e publikut

Ende nuk i ka mbushur të tetëmbëdhjetat, por në stilin e një lojtari të përkryer ai ka pushtuar zemrat e publikut kudo në Kosovë. Në Gjimnaziadën e mbajtur në Drenas e Prishtinë, Dilon Latifaj është shpallur MVP i garave, thjeshtë ai ishte lojtari më i vlerësuar, bindshëm më i miri, duke i sjellë shkollës së tij Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” titullin e dytë me radhë si ekipi më i mirë në Kosovë.

I lindur në vitin 2006, Dilon Latifaj qysh si fëmijë kishte ëndërruar se një ditë do të bëhet një basketbollist kulmor dhe kur nga Hogoshti kishte ardhur të vazhdojë mësimet në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ai gjeti një mjedis në të cilin volejbolli kaherë kishte marrë hov e aty ishte edhe një trajner e pedagog i shkëlqyer, Blerim Shala, i cili duke parë fizikun dhe talentin e Dilonit e kishte afruar afër vetit, duke e angazhuar në ekipin e shkollës që në klasën e dhjetë e më pas edhe trajneri e lojtari Fatlum Hajrizi menjëherë e kishte ftuar në ekipin senior të Klubit të Volejbollit Drita nën udhëheqjen e trajnerit Idriz Berisha dhe që nga nëntori i vitit 2022 është në këtë ekip.

“Basketbolli më ka mundësuar që të kem dy cilësi shumë të rëndësishme, si gjatësinë dhe kërcimin. Ushtrimet në ekipin e parë bënë që të përmirësohem shumë shpejt dhe pas disa ditësh fituam Kupën e Federatës”, thekson Latifaj, duke shtuar se menjëherë në klasën e njëmbëdhjetë me ekipin e shkollës ishin shpallur kampion komunal, rajonal e më pas edhe kampion të Kosovës, sukses të cilin e përsëritën edhe këtë vit.

Dilon Latifaj pos si sportist, është edhe nxënës i shkëlqyer në klasën e dymbëdhjetë me të gjitha notat pesa. Vetëm pas shtatë muajsh që nisi të merrej me volejboll, ai ishte ftuar në kombëtaren U19 nga selektori Blendi Haxhikadrija.

I gjatë 196 centimetra, Drilon Latifaj me kërcimin e tij afro një metër lartësi kap lartësinë prej 345 centimetra, që është maksimalja jo vetëm për grupmoshat e reja, por ia kalon edhe atyre të Superligës dhe është i pandalshëm në fazën e sulmit.

Ai në kombëtare u përzgjodh në rolin e pranuesit, gjuajtësit anësor, mori pjesë në nivelin ballkanik ku fitoi përvojë edhe nga kombëtaret e shquara si Turqia e Bosnja e Hercegovina. Në vitin 2023, në komunën e Gjilanit atij i është dhënë çmimi Shpresa e Vitit, kurse me ekipin e tij KV Drita u shpall nënkampion i Kupës dhe nënkampion në nivel vendi dhe tash së fundi u shpall edhe MVP në Gjimnaziadë.

Dilon Latifaj e do shumë edhe volejbollin në rërë, kurse ditë më parë në kategorinë U22 bashkë me bashkëlojtarin nga Ferizaj, Erind Qelaj dhe trajnerin Fatlum Hajrizi zunë vendin e tretë në nivel vendi.

Tashti, Dilon Latifaj, ka ëndrra të tjera, të përfundojë shkollimin e mesëm dhe të regjistrojë fakultetin që ai e pëlqen, derisa sa i përket volejbollit, ai nuk do të ndahet nga ky sport edhe për një kohë të gjatë, por do të vazhdojë në pozitën e korrektorit te KV Drita, derisa atë e pret një e ardhme e ndritur, ku synon majat e volejbollit jo vetëm në Kosovë, por edhe më larg.

You Might Also Like