Më vështirë se sa pritej, Drita e ka nisur kampionatin me fitore, duke e mposhtur Besën e Pejës me rezultat 3 :1.
Vendasit që ishin favoritë në këtë ndeshje, për herë të parë kanë shënuar në minutën 11, kur Festim Alidema shërbeu Kastriot Rexhën e ky futi topin në rrjetë.
Besa, që më shumë u mbrojt, ia doli që të barazojë pak para mbylljes së pjesës së parë edhe atë me eurogolin e Gentrit Salihut, që qëlloi këndin e epërm të portës, mu aty ku puthiten tërthorësja dhe pingulja.
Drita me shumë mund arriti deri te goli i dytë, ngase pejanët e rinj u mbrojtën mirë. Në minutën 78, gjilanasit ia dolën që të sshënojnë nga ndërprerja dhe pas harkimit Hamdi Namani nga afërsia me kokë e futi topin në portën e boshatisur nga portieri pejan.
Pas golit të pësuar, mbrojtja e Besës u thye dhe në minutën 80 Kastriot Rexha (Dri) realizon pas asistimit të Ilir Blakçorit, për rezultatin përfundimtar 3-1.