Futboll

Drita vazhdon serinë e fitoreve

Nënkampionja aktuale e Kosovës, Drita, ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafir sot, duke e mposhtur Llapin në formë, 1-3 [Alban Shillova 45+2p. – Astrit Fazliu 5p., Marko Simonovski 34, 72].

Fitorja ka çuar Dritën në pozitë të dytë të renditjes tabelare, ndërsa Llapi ka regjistruar humbjen e pestë të stinorit pas një serie këndellëse që kishte.

Pas golit të hershëm të Astrit Fazliut nga penalltia (5) Drita shpejt gjeti golin e dytë, ndërsa gjithçka për gjilanasit lehtësoi në atëmoment Ilir Krasniqi (Llapi) që mori karton të kuq (26). Maqedonasi Marko Simonovski ishte në formë të mirë sot dhe shënoi pas pak për t’ia dyfishuar epërsinë gjilanasve, 0-2 (34).

Nuk vonoi, edhe Drita mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, kur Prince Balde u ndëshkua me karton të kuq, duke shkaktuar penallti, ndërsa Alban Shillova shënoi në fund të pjesës së parë për të lënë hapur gjithçka në 45-minutëshin e dytë të ndeshjes (45).

E në pjesë të dytë përkundër insistimit të vendasve, ka qenë Simonovski që vulosi fitoren e ekipit të drejtuar nga Ardian Nuhiu duke e bërë rezultatin 1-3 (72).

Një shtyllë e Shillovës për Llapin në fillim të pjesës së dytë dhe një gol i anuluar nga VAR kah fundi i ndeshjes – ishin krejt që arritën llapjanët, duke dalë kokulur nga terreni i tyre.

Drita me fitore bëhet me 19 pikë tash, ndërsa Llapi mbetet te 12 pikëshi.

You Might Also Like