Gjilan

Gjilanasja Ema Guda në mesin e 20 folësve më të mirë të garës të së drejtës ndërkombëtare në Bratisllavë të Sllovakisë

Sukseset e studentëve të Universitetit të Prishtinës në garat ndërkombëtare po vazhdojnë. Kësaj here nga Fakulteti Juridik në rundet evropiane të garës së të drejtës ndërkombëtare Philip C. Jessup International Laë Moot Court Competition.

Për herë të parë në historinë e universitetit, studentët e Fakultetit Juridik kanë arritur të kualifikohen në çerekfinalen e garës, në rundet evropiane të mbajtura në Bratislavë të Sllovakisë. Gjithashtu, studentja e ekipit, Ema Guda, ka arritur të radhitet në mesin e 20 folësve më të mirë të garës.

Kjo garë është gara më e madhe dhe më e vjetër në botë e formës “Moot Court”, e cila për herë të parë është organizuar në vitin 1960.

Ekipi i Fakultetit Juridik përbëhet nga: Agon Drini, Ema Guda, Erduan Zariqi, Vesa Pula dhe Vinita Morina. Ndërkohë, trajneret e ekipit janë pjesëmarrëset e suksesshme të vitit të kaluar: Ernesa Shala dhe Lea Meraku.

Gjatë rundeve evropiane të sivjetme, studentët janë përballur me konkurrentë mjaft të fuqishëm, ndër ta edhe kampionë të viteve të kaluara. Fillimisht, ekipi ka garuar me Universitetin e Qipros dhe atë të Pragës (të cilët janë edhe fituesit e kësaj gare), sesione të cilat përfunduan me fitoren e studentëve tanë. Ndërsa në vijim, gjithashtu janë përballur me Universitetin e Vjenës dhe Universitetin Eötvös Loránd të Hungarisë, universitete të cilat historikisht kanë sukses të jashtëzakonshëm në Jessup. Studentët kanë shprehur, ndër të tjera, edhe falënderimet e tyre për mbështetjen e ofruar nga universiteti, duke shpresuar se do të vazhdojnë të sjellin suksese të mëtutjeshme dhe të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze në rrafshin ndërkombëtar.

Suksesi i studentëve në garën e mbajtur në Evropë është tregues i mirë dhe tanimë ekipi është në procesin e përgatitjeve intensive për rundet ndërkombëtare në Washington DC, SHBA.

You Might Also Like