Gjilani që po lufton për dalje në Evropa dhe Drenica, që e ka të vështirë mbijetesën në Superligë janë përballur këtë të diele në Stadiumin me bar sintetik në Gjilan. Në fund më e suksesshme doli skuadra e Gjilanit, që fitoi me rezultat 1:0 me golin e Zabërxhës në pjesën e dytë.
Rastin e parë më të mirë në ndeshje e pati Drenica në minutën 15, kur pas një bashkëveprimi shumë të mirë ndërmjet Mimamotos, Da Silvës dhe Abazit, ky i fundit ishte në një pozitë shumë të mirë ballore dhe gjuajti me efe, por topi për pak centimetra shkoi pranë pingules së majtë të Enea Koliqit. Dy minuta më pas, pas një veprimi shumë të mirë vetjak, Miamoto u gjet i vetmuar para portës së Koliqit, por për pak gjuajti jashtë. Gjilani rastin e parë më të mirë e pati në minutën 22, kur Calé e shërbeu Bilallin në brendi por gjuajtjen e sulmuesit të ri gjilanas e priti portieri i Drenicës.
Me të nisur pjesëloja e dytë Drenica ka rrezikuar nëpërmjet Mziut, që gjuajti nga 16 metra, por Koliqi bëri një super pritje dhe shpëtoi gol të sigurt. Në minutën 49 Gjilani ka shënuar golin e parë për Gjilanin, kur pas një harkimi të Hoxhës, Bilalli që e pranoi topin e dërgoi te Calé, i cili në brendi bëri një pasim të shkëlqyeshëm te Baton Zabërxha, që me urti e dërgoi topin në këndin e majtë të portierit të Drenicës. Lojtari që deri para një sezoni kishte luajtur për Drenicën, në shenjë respekti nuk ka festuar. Pas golit të shënuar, Drenica ka patur një rast shumë të mirë nëpërmjet Zekës, por ka pritur sërish portieri Koliqi.
Në minutën 80 Gjilani pati mundësinë të dyfishojë rezultatin kur pas pasimit të Zekës, Zabërxha pati rast ideal për të shënuar, por gjuajti drejt në portierin e Drenicës./kryelajmi.com/.