Gjilani ka vazhduar serinë me rezultate pozitive dhe tashti është ngjitur në kreun e tabelës.
Këtë të shtunë, futbollistët e Gjilanit kanë shënuar një fitore të pastër ndaj Drenicës me rezultat 2:0, e cila është siguruar në pjesëlojën e parë.
Gjilani që ka mbizotëruar në këtë ndeshje, golin e parë e ka arritur në minutën 27, kur pas një aksioni të pëlqyeshëm, Rusi ka harkuar nga ana e majtë, kurse B. Ahmeti, me gjuajtje përtokë ka shënuar, duke e futur topin nën trupin e portierit mysafir.
Nuk kanë kaluar as tre minuta, kur Taulant Dajaku ka gabuar në mesin e fushës, kurse topi erdhi deri te Haxhimusa, i cili me hapa të shpejtë ka shpërthyer dhe me gjuajtje të saktë ka ngritur rezultatin në 2:0.
Në pjesëlojën e dytë Drenica e mori lojën në dorë, por pa ndonjë rast të rrezikshëm, derisa gjilanasit nëpërmjet Shabanit, ia dolën që në minutën 75 të qëllojnë tërthorësen. Në ndeshjen e radhës Gjilani do të përballet me Prishtinën në kryeqytet, derisa Drenica do të përballet me Feroniklin.
Gjilani – Drenica 2:0 (2:0)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 300. Arbitra: Nuza, Latifi, Rama, Mustafa. Shënues: B. Ahmeti 27’, Haxhimusa 30’. Kartoni i verdhë: Kastrati, Bekteshi, Ibrahimi, Bejta, Dajaku.
Gjilani: Maloku, Kastrati, Bekteshi, Ar. Thaçi, Blakçorri, MUstafa (Az. Thaçi), B. Ahmeti (A. Ahemeti), Shabani, Sherifi (Gashi), Haxhimusa, Rusi. Trajner: Arbnor Morina.
Drenica: Sadiku, Ibrahimi, Caka, Geci, Bejta (Uka), Krasniqi, Mëziu (Merlaku) (Abazi), Osmani, Syla, Dajaku, Arifaj. Trajner: Afrim Jashari.