Numri trembëdhjetë ishte i pafat për Gjilanin, ngase pikërisht në xhiron e 13- të ekipi bardh e kuq nga Gjilani ka pësuar humbjen e parë edhe atë në ballafaqim me Feroniklin nga Drenasi.
Gjilanasit patën raste që edhe nga kjo ndeshje të kthehen të pamposhtur, por një rast i mirë i Papuqit në fund të ndeshjes nuk u konkretizua me gol, ngase topi për pak shkoi jashtë, andaj edhe u humb mundësia e mirë që Gjilani të vazhdojë pa humbje në këtë kampionat.
Vendasit herët erdhën në epërsi nëpërmjet sulmuesit në formë Mark Milicaj. Vendasit patën rast të mirë të dyfishojnë epërsinë kur për ta u dha penalti, e cila herën e parë u anulua me motivacion se portieri Donat Kaqiu kishte lëvizur më herët se sa e përcaktojnë rregullat, por edhe pas tentimit të dytë Behar Maliqi nuk ia doli të shënojë.
Në minutën 33, sërish u dha një penalti për vendasit dhe kësaj radhe gjuajti Mark Milicaj, i cili ishte i saktë. Dhjetë minuta më pas erdhi një gol për Gjilanin, të cilin e ka shënuar Thaçi.
Pjesëloja e dytë gati në tërësi i takoi Gjilanit, por mysafirët nuk ia dolën të shënojnë. Të dy ekipet ndeshjen e përfunduan me nga dhjetë lojtarë në fushë, ngase pas dy të verdhëve u skuqën Filonit Shaqiri i Gjilanit dhe Haxhi Shala i Feroniklit.