Gjilan, 25 shtator 2019 – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Federatës së Atletikës së Kosovës, të premten organzojnë garën e atletikës për fëmijë.
U.D. drejtoresha e DKRS, Deniza Limani, ka deklaruar se aktiviteti i llojit të tillë organizohet për herë të parë në Gjilan dhe ka për qëllim që fëmijët e klasave të 5-ta t’i argëtoj nëpërmjet aktivitetit fizik dhe lojërave, ndërkaq mbahet në palestren “Bashkim Selishta – Petriti”.
Në këtë aktivitet fëmijët do të kenë mundësinë që brenda dy orëve të praktikojnë shumë disiplina të përafërta të sportit të Atletikës në 12 stacionet e aktivitetit.
“Secili fëmijë do të kaloj në stacionet e 12 lojërave gjatë programit dhe aktiviteti nuk do të jetë i karakterit garues qëllimi është argëtimi i fëmijëve por edhe mundësia e fëmijëve që të paraqesin aftësitë e tyre lëvizore. Programi në vete pasqyron vlerat e aktivitetit fizik, disiplinës, respektit, socializimit andaj mund të themi se ka edhe karakter edukativ”, ka deklaruar Limani.
Ky program i atletikës për fëmijë është realizuar në shumë kryeqytete dhe qytete e ndryshme të botës dhe është i njohur me emrin “Kids Athletics”.