Gjilan, 30 korrik 2018 – Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës, që organizohen nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkatdhetarët tanë, sonte në Galerinë e Qytetit në Gjilan, është hapur ekspozita personale e piktorit Sali Musliu.
Hapjen e kësaj ekspozite zyrtarisht e ka bërë, Shpresë Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, e cila ka thënë se edhe kjo ekspozitë është në kuadër të aktiviteteve të muajit të mërgatës, që po organizohen nën patronatin e kryetarit të komunës, Lutfi Haziri.
Hajdari tha se kësaj here kemi ekspozitën e piktorit gjilanas Sali Musliu, që jeton e vepron në Gjermani dhe që vije me ekspozitën: “Më vije keq për ty Srebrenica”, e që është një mesazh që flet shumë.
Ndërsa, piktori gjilanas, Sali Musliu, që jeton e vepron në Frankfurt të Gjermanisë, ka thënë se ndihet i emocionuar që po ekspozon në vendlindjen e tij.
Ai ka bërë me dije se ishte viti 2006, kur për herë të fundit kishte një ekspozitë personale në Gjilan, vendlindje të tij, dhe ja tani pas 12 vitesh shfaqet sërish, e kjo për të është mjaftë emocionuese.
Musliu ka bërë me dije se në këtë ekspozitë janë të ekspozuara shtatë piktura të tij, por që janë të formatit të madh dhe pothuajse mbulojnë krejt hapësirën e Galerisë.
“Inspirimi ka qenë Srebrenica ku janë kryer masakrat më të mëdha, gjenocidi dhe ato janë pasqyruar në punimet e tij”, tha Musliu.
Ai tha se ka në mesin e punimeve që po ekspozohen për herë të parë, por edhe ka prej punimeve që janë ekspozuar edhe më parë dhe kanë marrë edhe çmime, duke veçuar edhe njërën nga pikturat që kishte marrë çmim në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”.