Gjilan

Haziri dhe Aliu zbulojnë pllakën në objektin e Bashkësisë Islame në shenjë falënderimi për organizimin e rezistencës gjatë viteve 90-ta

Gjilan, 17 shkurt 2018 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, kanë zbuluar pllakën në shenjë mirënjohje për aktivitetin e zhvilluar për çështjen kombëtare aty gjatë viteve 90-ta.

“Në radhë të parë, kjo shtëpi ka shërbyer për rezistencë të hapur kundër regjimit dhe vatër e organizimit në vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës. E kemi pasur shtëpi pune, shtëpi mbrojtjeje dhe shtëpi organizimi”, tha pas zbulimit kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Është njëra nga objektet që së bashku hoxhollarët, imamët dhe udhëheqësit e kohës, pa u ndar në emër të Zotit dhe Atdheut dhe duke zbatuar mesazhet e mëdha të Mulla Idriz Gjilanit, Efendi Semaxhaj, hoxhë Masuricës e hoxhollarëve të mëdhenjë që kjo nahi i ka dhënë, kemi vepruar dhe organizuar jetën tonë”, shtoi Haziri.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që i ka bërë me vendosjen e kësaj pllake.

“E falënderoj kryetarin Haziri për iniciativën për ta vendosur këtë pllakë, e cila do t’ju tregoj të gjitha gjeneratave për aktivitetin kombëtar të zhvilluar në këtë objekt në vitet më të rënda për popullin tonë. KBI përherë do të jetë së bashku me institucionet e shtetit për të mirë e qytetarëve”, ka thënë Aliu.

Kreu i Gjilanit ka paralajmëruar se Komuna do të shenjëzoj edhe të gjitha shtëpitë shkolla, të cilat kanë shërbyer dhe kanë qenë në organizim të asaj kohe në emër të shtetit për liri dhe pavarësi. ​

You Might Also Like