OPINION

HYDAJET HYSENI MEGAFONI HISTORIK I POPULLIT SHQIPTAR

Shkruan: Ismet Sylejmani
 
Fjalimi historik i Hydajet Hysenit në sheshin qendrorë të Kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë, është njëra nga kryengjarjet e demostratave të mëdha jo vetëm të vitit 1981!
40 vjet më parë, ditë e Merkur, më 1 Prill 1981, nga ora 18:00 deri ne ora 19:10 min kur e tërhoqi shoku e bashkeveprimtari i tij, veprimtari i madh i çështjes kombëtare Bejtullah Tahiri, në qendren kryesore të Prishtinës, përballë Selisë Qendrore të Komitetit Krahinorë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për Kosovën, ngjitet në foltoren lis, Lisi i madh shqiptar, biri i lavdishëm i popullit, Atdheut dhe Kombit tonë, patrioti dhe atdhetari heroik, Anëtari e Sekretari Organizativ i Komitetit Drejtues të GMLK-së, emri i madh dhe i dëgjuar në tokë e qiell të tokës arbërore, por edhe në tërë botën demokratike përparimtare por edhe te ajo proserbe dhe armike e popullit tonë, lavdimadhi Hydajet Hyseni!
Fjalim për shekuj e për mijëvjeqarët e historisë së popullit tonë mbajti shqiptari legjendar, udhëheqësi i madh e i pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, i patejkalueshmi Hydajet Hyseni!
Hydajet Hysenit kurrë nuk iu pa fotoja në gjykatore edhe pse u denua me 15 vite burg, por iu pa dhe do ta ketë pergjithmonë foton historike që askush se ka dhe nuk ka për ta pasur, atë të Megfonit historik shqiptar në qendër të Prishtinës!
Fjalimi që e ka mbajtur më 1 Prill 1981, ilegali më i madh shqiptar dhe më i kërkuar nga ish-jugosllavia Hydajet Hyseni, ishte ngjarja më e madhe historike dhe më e shënuara për oratorinë politiko-patriotike të popullit shqiptar!
Mitingjet popullore, ato antiserbe, të cilat shkuan duke u rritur e duke u bërë uragan i pandalshëm, që përfunduan me pushkët dhe bombat, me flakën e luftës për liri të UÇK-së, e kanë njërën prej zanafillave të mëdha, te fjalimi epokal e historik i udhëheqësit të madh e patriotit sypatrembur Hydajet Hyseni!
Nuk mbahet mend që para datës 1 Prill 1981, dikush, cilido qofte ai, të ketë mbajtur fjalim politik kombëtar, të nivelit të lartë përmbajtesorë e të goditjes direkte, apo edhe me të ulët të mundshëm, në çfarëdo hapsire publike, para turmave të ndryshme në asnji vend në Kosovë dhe viset e banuara me popullatë shqiptare në ish-jugosllavi, sikur ai i ilegalit shqiptar e me nam Hydajet Hyseni!
Hydajet Hyseni, me fjalimin e Tij në sheshin kryesor të qytetit të Prishtinës, këtij qyteti Hero, që është Kryeqytet i Kosvës, jo vetëm është i vetmi dhe ska tjetër të tillë të ngjashëm në vitin 1981, por mbetet i paarritshëm në tërë historikun e fjalimeve liridashëse të udhëheqësve patriot e atdhetar karizmatik të popullit tonë!
Fjalimi historik i Hydajet Hysenit është i panjohur për opinionin, sepse kurrë nuk është botuar i pjesëshëm, por as i plotë, as nuk është dhënë në video, as nuk është transmetuar nga ndonjë television kombëtar apo ndërkombëtar, as në kohën e ish-jugosllavisë, as pas luftës së UÇK-së!…
Në tërë Federatën Jugosllave, në të gjitha Republikat dhe Krahinat e sajë, kurrë deri më atëherë, nuk kishte ndodhur, që në ngjarjet e mëdha të tubimeve me pjesmarrje të madhe e masive të popullit, të dilte dikush në ballë të tyre dhe të mbante fjalim anti-shtetërorë dhe kundër shtypjes e shfrytëzimi të një populli, siç ishte rasti me atdhetarin Hydajet Hysenin dhe popullin shqiptar të Kosovës!
Udhëheqja shoviniste dhe antishqiptare jugosllave, ishte tmerruar nga një realitet i tillë, që ishte shfaqur më 1 Prill 1981!
Pushtuesit jugosllavo-serb dhe veglat e tyre të shitura shqiptare të Kosovës, kishin mbetur me karta të djegura në duar, nga tërë ai vullkan gjigant shqiptar që kishte shpërthyer!
Jo vetëm nuk ishte nënshtruar e nuk ishte tulatur populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saja nën ish-jugosllavi, por ata(shqiptarët), ishin aq shumë të përgaditur dhe të organizuar, se jo vetëm demonstronin hapur kundër perandorisë jugosllave e kundër pushtimit serb dhe nuk e fshihnin fytyrën dhe identitetin e tyre përpara ushtrisë, policisë e aparatit të UDB-së antishqiptare, por edhe mbanin fjalime politike e programatike, që edhe republikat e krahinat, popujt dhe shtetet tjera ua kishin zili dhe u merrnin medoemos lakmi, për rrugën e rëndë e të veshtirë që ndiqnin, si e vetmja rrugë drejt lirisë, Republikës e Pavaresisë së Kosovës!
Më 1 Prill 1981, në kërthizë të Prishtinës, gjëmonte zëri gjigant i Hydajet Hysenit, Megafonit historik të popullit shqiptar!
Qante mes për mes errsirën e natës së zezë pis dhe ngjitej lartë në qiell të Atdhut tonë, zëri i Udhëheqësit të madh e legjendarit të pathyeshëm Hydajet Hyseni!
Djalë të tillë deri në ato momente nuk kishte pasur populli ynë, që i del zot Atdheut dhe e dëgjon orën e Tij i gjithë Kombi!
Jehona e megafonit historik të popullit shqiptar të Kosovës, ishte dëgjuar kudo!
E tërë ish-Jugosllavia, nga Trigllavi e deri në Gjevgjeli, nga Sllovenia deri në Maqedoninë e Veriut, e kishte degjuar fjalimin e titanikut shqiptar të demostratës së 1 Prillit 1981, që e kishte mbajtur në qender të Prishtinës, Kryqytetit të Kosovës!
Ishin tmerruar klyshët e Titos, shqiptar, serb, malazes, maqedon, kroat, slloven e të gjithë pakicave që e përbenin federatën gjakpirëse e kriminale jugosllave!
Armiqt e popullit shqiptar, brenda e jashtë Jugosllavisë dhe kudo nëpër kontinente, shihnin qartë se Kosova kishte zot bijtë e saj, të cilët e mbronin dhe e drejtonin me guxim e heroizëm!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri realitet ëndrrën e madhe të mijëra, qindra e miliona shqiptarëve!
Gjaku i derdhur për liri, u bë dritë e diell për të ardhmen e lirë dhe të pavarur të Kosovës!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 1 Prill 2021

You Might Also Like