Kryetrajneri i Trepçës ‘89, Shpëtim Idrizi, është ndarë i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në edicionin vjeshtor të kampionatit.
“E kishim nisur me fitore stinorin vjeshtor të kampionatit dhe po e përfundojmë me fitore. E kemi ditur që kjo ndeshje do të jetë e vështirë për faktin se përballemi ndaj një skuadre të fuqishme siç është ajo e Dritës dhe kam besim se kjo fitore do të na shërbej për motiv në pjesën pranverore të kampionatit. Futbollistët kanë shfaqur formë të mirë dhe loja të cilën e aplikojmë ne përmes krahëve dhe topave kthyes ka rezultuar shumë e suksesshme sidomos në këto ndeshje”, deklaroi fillimisht Shpëtim Idrizi.
Ai më pas deklaroi se pozita në të cilën ndodhet Trepça ’89 në tabelë nuk është reale.
“Pozita momentale ku ndodhet Trepça ’89 në tabelë nuk është reale, pasi që pothuajse në secilën ndeshje kemi patur minimum nga 3-4 mundësi për të shënuar. Por, unë kam besim të madh te këta djem dhe në pranverë do të shfaqim ndeshje edhe më të mira”, përfundoi Idrizi.
‘Minatorët’ kanë 23 pikë momentalisht dhe vjeshtën do ta mbyllin në pozitën e tetë.