LAJME

Iu dha lamtumira e fundit profesorit e veprimtarit Naim Shaqiri

Naim Shaqiri, profesor dhe veprimtar i shquar, me nderime të larta është varrosur këtë të enjte në Varrezat e Fshatit Përlepnicë.
Në emër të bashkëfshatarëve të tij, në varrimin e Naim Shaqirit ka folur bashkëvendasi i tij, Bujar Nevzati, i cili gjithashtu ka dhënë një biografi të shkurtër të Naim Shaqirit, të cilën po e botojmë të plotë:

E nderuara familje Shaqiri!

Të nderuar shokë, miq e dashamirë të profesor Naimit!

Shumë të nderuar bashkëqytetarë të Përlepnicës!

Sot kur jemi tubuar këtu për ti dhënë lamtumiren e fundit profesorit Naim, më lejoni që në emër të qytetarëve të Përlepnicës ti them disa fjalë.

Naim Shaqiri u lind​ nga nënë Binazja dhe baba Arif, më 14.02.1963 në Gjilan, shkollimin fillor dhe të mesme e përfundoi në Gjilan, ndërsa studimet i përfundoi në Prishtinë për gjuhë angleze, por për asnjë moment nuk u ndal së mësuari dhe angazhuari për të arsimuar veten edhe më shumë.

Të nderuar të pranishëm:

Lajmi për vdekjen e profesorit Naim, na pikëlloi të gjithëve, sepse na iku shumë shpejtë dhe pa asnjë paralajmërim.

Profi Naim, kudo që punoi la gjurmë të pa shlyera, dallohej me qasje për jetën, ishte person shumë i drejtpërdrejtë me të gjithë.

Ai vazhdoi traditen familjare që nga të parë e tij si familje intelektuale e atdhetare.

Profa Naim, ishte njeri me virtyte të larta njerëzore, shquhej për zgjuarsinë, urtësinë, bujarinë, atdhedashurinë, sinqeritetin, dhe virtualitetin në komunikimin e tijë me njerëz.

Profesori Naim, ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet një shembull i mirë i një qytetari të moderuar, aktiv në shoqëri, ekspeditiv në punë dhe figurë e humanizmit dhe e respektit ndaj secilës gjeneratë në komunën e Gjilanit dhe më gjerë, duke përçuar mesazhin e duhur të një intelektuali të nivelit të lartë.

Të gjitha këto fjalë që po i them janë të pakta karshi punës së madhe që bënte me të gjithë ne, nxënës, kolegë, familjar, rotarian e qytetarë.

E nderuara familje Shaqiri:

Edhe në këto momente të rënda për ju dhe për të gjithë ne, jemi bashkë për të ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për mbetjen pa njeriun tonë të dashur e të nderuar.

Sot ne kemi dhimbje por edhe jemi krenarë me vepren e tijë.

Profesori ynë, është ndarë nga ne vetëm fizikisht, por veprat dhe kontributin e madh për shoqërinë e Gjilanit dhe Kosovës do ta kujtojmë përgjithmonë.

Le të mbetet vepra e tijë mësim dhe inspirim i përhershëm për ne.

Lavdi jetës dhe veprës së tij.

Faleminderit!
05.03.2020
Bujar Nevzati

 

You Might Also Like