Futboll

Kryendeshja Drita – Gjilani nuk do të luhet në Gjilan

Një gjë është e sigurt, kryendeshja Drita – Gjilani e vlefshme për xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës në Futboll nuk do të luhet në Gjilan. Kjo për shkak të punimeve që po zhvillohen në Stadiumin e Qytetit, i cili në gjendjen siç është tashti nuk u ofron shikuesve mundësi ideale për t’a përcjellë ndeshjen, shkruan kryelajmi.com

Në fakt, fusha është e përshtatshme për lojë, por punimet që po zhvillohen në Stadiumi kanë bërë që ndeshja të mos zhvillohet në Gjilan, por sipas të gjitha gjasave kjo do të luhet javën e ardhshme në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Deri në ndeshjen derbi, Drita do të zhvillojë këtë të dielë ndeshjen me Drenicën në Skënderaj, kurse në të njëjtën ditë, Gjilani në fushë të vet e pret Ulpianën.

Të rikujtojmë se kjo nuk është hera e parë që kryendeshja më e madhe në vendin tonë zhvillohet jashtë Stadiumit të Qytetit.

Para luftës, këto dy ekipe zakonisht janë përballur në fushën në Livadhet e Malishevës, ku janë luajtur katër kryendeshje.

Në stinorin 1999/2000 kryendeshja Gjilani – Drita është zhvilluar në Prizren, ngase Gjilani nga Federata e Futbollit të Kosovës ishte dënuar me tri ndeshje moslojë për shkak të një incidenti që kishte ndodhur në ballafaqimin me Prishtinën në fushë të vet.

Në stinorin 2000/2001, Finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Gjilanit dhe Dritës është zhvilluar në Prishtinë, në Stadiumin e Qytetit.

Më 7 prill 2019, kryendeshja Gjilani – Drita, sërish është zhvilluar në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ngase kryesia e Gjilanit për shkaqe sigurie ngase kishin nisur punimet në Stadium kishte vendosur që ndeshja të luhet në Prishtinë.

Edhe kryendeshja Drita – Gjilani e paraparë më 26 shtator do të luhet në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like