KULTURA

Kryetari Hyseni: Përveç konsolidimit të Këshillit Drejtues të Teatrit, është bërë edhe një punë e madhe për këtë periudhë të shkurtër kohore

Gjilan, 13 shtator 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me Këshillin drejtues të Teatrit të Qytetit, ka mbajtur të martën një konferencë për media, ku ka shprehur zotimin për përkrahjen e vazhdueshme për funksionimin sa më të mirë të këtij institucioni.
Kryetari Hyseni tha se përveç konsolidimit të këtij Këshilli, është bërë edhe një punë relativisht e madhe për këtë periudhë të shkurtër kohore.
“Kam ardhur në këtë konferencë në shenjë mirënjohje dhe përkrahje për komunitetin artistik, sidomos edhe për Këshillin e ri drejtues. Përveç konsolidimit të këtij Këshilli, është bërë edhe një punë relativisht e madhe për këtë periudhë të shkurtër kohore. Shumë shpejt pritet që të vijnë në seancën e Kuvendit Komunal për miratim disa dokumente shumë të rëndësishme sa i përket sferës së kulturës dhe disa institucioneve që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Parimisht, Teatri i Gjilanit ka qenë funksional, ka qenë mirë i organizuar, ndërkohë që organizimi i mëtejmë i strukturuar dhe funksionimi i mirë përbrenda është synimi që ne si Komunë por edhe artdashësit do ta dëshironin. Ajo që mbetet prej meje si zotim është që do të jemi në përkrahje të artistëve e në veçanti në përkrahje të Teatrit”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Avni Shkodra, pasi falënderoi kryetarin Hyseni për mbështetjen e madhe, ka thënë se Teatri i Qytetit të Gjilanit është prej teatrove më aktiv në Republikë.
“Si i tillë, trajtohet edhe në programin për kulturë të kryetarit Hyseni, që për këtë vullnet të tij, ne e falënderojmë shumë në emër të krejt punëtorëve të teatrit dhe të Këshillit Drejtues”, ka thënë Shkodra, teksa ka shtuar se puna aty po vazhdon me instensitet të lartë.
“Ne e kemi bërë harmonizimin e tri akteve nënligjore dhe rregulloreve që derivojnë prej ligjit për teatrot, siç është Statuti i Teatrit, rregullorja e punës e Këshillit Drejtues dhe rregullorja për shfrytëzimin e sallës së madhe, të cilat dje i kemi adresuar në Drejtorinë e Kulturës, për t’i proceduar më pas për votim në Kuvendin Komunal”, ka theksuar Shkodra.
Përndryshe, Këshilli Drejtues i Teatrit të Gjilanit përbëhet nga Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Emine Toska, Sabedin Shahiqi dhe Qazim Azizi.

You Might Also Like