Gjilan

Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur seancë solemne për 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Gjilan, 17 shkurt 2025 – Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur seancë solemne me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pos përfaqësuesve institucionalë, morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e familjarë të dëshmorëve.
Kryesuesi Kadriu tha se shteti ynë për këto vite u rindërtua, u bë me institucione e zuri vendin në arenën ndërkombëtare falë miqve ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se 17 shkurti  është një pikë reflektimi mbi sakrificën, vlerën e lirisë dhe rrugën që na pret, duke shtuar se pavarësia është një rrugëtim i gdhendur në qenien e popullit tonë me mund, gjak dhe qëndresë.
Para të pranishmëve kanë adresuar urimet e mesazhet e tyre edhe shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Gjilan, Avdyl Aliu (LDK), Krenare Latifi – Kqiku (VV), Bujar Nevzati (PDK) e Nazim Gagica (AAK).
Ndërkaq, në fund para të pranishmëve, ka folur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi.
Përndryshe, gjatë ditës në Gjilan janë paraparë të mbahen edhe këto aktivitete: homazhe të varrezat e dëshmorëve (10:00), koncerti festiv për fëmijë nga Kolegji “Don Bosko” (11:00), festojmë përmes sportit (futboll në stadiumin ndihmës, 13:00), koncerti festiv nga ansambli i këngëve dhe valleve “Gjilani” (17:00) dhe ekspozita personale e Ramadan Arifit (19:00).

You Might Also Like