Gjilan

Lutfi Haziri: 2020-ta ishte vit i vështirë shkaku i pandemisë, humbën njerëz e vende pune

Gjilan, 25 mars / Gjatë vitit 2020, që konsiderohet periudha më e vështirë për të gjithë ne, shkaku i pandemisë, kemi qenë të angazhuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe shëndetit të ekonomisë, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, në raportin e tij vjetor para Kuvendit Komunal, duke nënvizuar fillimisht se gjatë kësaj periudhe janë asistuar mbi 7 mijë familje me pako ushqimore dhe higjienike.

Fatkeqësisht, si pasojë pandemisë, deri tani kemi humbur 117 qytetarë si dhe mbi 800 vende pune, ka thënë Haziri.

Shumica e bizneseve (80%) kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar në rënien e kërkesës për shërbime, 66 % kanë shënuar mungesë të likuiditet, derisa 48% kanë deklaruar pengesa në furnizime. Pandemia ka rrezikuar më së shumti bizneset e vogla dhe vetëm 8% e tyre mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë. Në këto kushte, rreziku i largimit të punëtoreve është i lartë.

Sfida tjera kanë qenë puna me kapacitete të reduktuara të burimeve njerëzore në administratën komunale, rënia e të të hyrave komunale, mos aprovimi me kohë i Buxhetit të Republikës së Kosovës, vështirësi në mbajtjen e takimeve me institucione, me partnerë, donatorë e investitorë të ndryshëm si dhe shumë sfida të tjera, ka thënë kryetari Haziri.

Sa i përket buxhetit, ai ka thënë se buxheti fillestar i planifikuar ka qenë 27.509.087 euro, ndërsa buxheti përfundimtar, me mjete nga grandi, mjetet vetanake, mjete të bartura, financimet nga huamarrjet, donacionet dhe participim i qytetarëve, ka arritur në 29.477.491 euro.

Haziri ka folur edhe për të hyrat nga tatimi në pronë, të cilat janë realizuar në masën 65 për qind dhe ky është viti i parë që Gjilani nuk e realizon tatimin në pronë, të hyrat komunale, të cilat janë

realizuar 75 për qind, për investimet kapitale që janë realizuar 88 për qind, sipas parimit të barazisë fshat-qytet.

Përndryshe BERZH, Banka Botërore dhe Banka Investive Europiane janë donatorët më të mëdhenj. Dritën jeshile e ka marrë impianti për trajtimin e ujërave të zeza, kurse lajm i mirë nga Banka Botërore është granti për zgjidhjen afatgjate të problemit të ujit të pijshëm. Edhe rregullimi i shtratit të lumit Stanishorka do të bëhet në kuadër të marrëveshjes me BERZH-in, por pa u përfunduar impianti, ky problem nuk mund të zgjidhet përfundimisht.

Haziri ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët derisa të zgjidhen disa nga problemet sistemore.

‘Kërkoj edhe pak durim nga qytetarët që përballen me këtë problem, ndërkohë do të ndërhyjmë me masa urgjente te Stanishorka, nga kazerma e FSK deri në Kufcë, por kjo është zgjidhje afatshkurtër’, ka thënë Haziri, i cili ka bërë edhe një përmbledhje të investimeve kapitale të cilat janë kryer ose janë në proces, janë: Bulevardi “Ibrahim Rugova”, Stadiumi i Qytetit, hyrje-daljet, parqet, lumi Mirusha, Fshati Social, Muzeu Etnologjik, Tregu i Kafshëve dhe të tjera.

Haziri ka falënderuar Kuvendin Komunal, pozitë e opozitë për bashkëpunim, në qëllimin për ta bërë Gjilanin një qytet më të mirë për të gjithë, më atraktiv për banorët e tij, më të dëshiruar për vizitorët, më të dashur për mërgatën.

Sa i përket raportit, vlerësimet kanë qenë të ndryshme. Pozita ka folur me tone pozitive, ndërsa opozita është treguar kritike për punën e qeverisjes komunale.

Propozimi i Nehat Osmanit (LVV) për t`i liruar nga qiraja mujore bizneset të cilat shfrytëzojnë lokale në pronësi komunale, të paktën edhe për 6 muaj, për shkak të gjendjes së pandemisë, ka hasur në mirëkuptim të gjerë.

“Duke marrë parasysh faktin se kushtet e punës vetëm sa janë rënduar më tej, unë propozoj që bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat shfrytëzojnë lokalet e komunës, të lirohen edhe për një periudhë 6-mujore nga qiraja”, ka thënë Osmani, gjë që ka hasur në mirëkuptim te Kuvendit dhe të kryetarit Lutfi Haziri, i cili premtoi se do ta angazhojë ekzekutivin për ta shikuar këtë mundësi.

Ndërkaq, Bujar Nevzati (PDK) pati vërejtje te menaxhimi i pandemisë, që është çështja kryesore tash e një vit dhe kërkoi nga kryetari i Komunës që të ndihmohen personat e prekur nga COVID dhe familjet me gjendje të rëndë sociale.

“Unë nuk po flas për punë të mira, sepse e di që ka plot të tilla, por po fokusohem te problemet reale të qytetarëve në këtë periudhë, siç është pandemia”, ka thënë Nevzati.

Duke iu përgjigjur këtyre interesimeve, Haziri tha se krejt kapacitetet e mundshme janë orientuar në parandalimin dhe trajtimin e infeksionit dhe janë bërë e po bëhen përpjekje për të zgjidhur problemet, edhe pse përgjegjësitë janë të ndara.

“E di se ka probleme, ka vështirësi, por ne jemi e vetmja komunë që kemi kryer kontrollime edhe në shtëpi, për të mënjanuar frekuentimin në institucionet shëndetësore”, ka thënë Haziri, duke kërkuar bashkëpunim, sepse ditët e vështira mund të përballohen e tejkalohen vetëm me solidaritet.

Sa iu përket i investimeve dhe vërejtjeve të opozitës për vonesa, kryetari Haziri tha se programet nuk lidhen me mandatet tona, ato mund të vonohen me fajin e operatorëve, ose donatorëve dhe ne si Komunë nuk kemi çka bëjmë aty, por ato do të kryhen patjetër.

Haziri i ka rikujtuar këshilltarët komunalë se edhe sivjet na pret një vit i vështirë shëndetësor, të paktën deri në shtator, por edhe ekonomik e politik, meqë jemi në vit zgjedhor.

Në disa pyetje konkrete të këshilltarëve komunalë, përgjigje kanë dhënë edhe Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, Nazim Gagica (Arsim), Naser Korça (Shërbimet Publike), Nevzad Rushiti (Inspekcioni), Bekim Bajrami (Urbanizmi), Ramiz Ramadani (Bujqësi).

Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar edhe raportin financiar për vitin 2020, ku sqarimet e nevojshme i ka dhënë drejtoresha Meral Sadriu-Vokshi, vendimin për bartjen e mjeteve financiare të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin 2021, kodin e etikës për institucionet edukativo-arsimore, kërkesën për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për ndarjen e 200 bursave për studentë për vitin akademik 2019/2020, vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Marin Mema.

Shpresa Kurteshi-Emini tha se është rekomandim i ekzekutivit shtimi i numrit të bursave, për të mbështetur edhe me një numër të studenteve që i kanë plotësuar kriteret, por nuk kane mundur te përfitojnë shkaku i numrit të kufizuar. Prandaj edhe duke e pasur parasysh gjendjen e vështirë financiare, shkaku i pandemisë, kjo ndihmë për studentët do të thotë shumë.

Njëherësh, në këtë seancë të Kuvendit, betimin e këshilltares e ka dhënë Arbëresha Berisha (LVV) e cila në këtë pozitë e ka zëvendësuar Arijeta Rexhepin, që është zgjedhur deputete në Parlamentin e Kosovës.

You Might Also Like