Gjilan

Lutfi Haziri ndan mirënjohje për Nijazi Hysenin për kontributin 40-vjeçar në arsim

Gjilan, 6 prill 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndar sot mirënjohje për Nijazi Hysenin, me rastin e pensionimit, si kontributdhënës për një periudhë afro 40 vjeçare në sektorin e arsimit dhe për menaxhimin me konviktin e nxënësve dhe studentëve.

Kryetari Haziri ka thënë se sot në kuadër të aktivitetit nuk është pandemia në këtë rast, por është një takim për falënderim për misionin e jetës për drejtorin Nijazi Hyseni, i cili tërë jetën ka shërbyer në sektorin e arsimit dhe me 4 prill është pensionuar.

“Është pensionuar në detyrën e konviktit të nxënësve dhe studentëve të Komunës së Gjilanit. Hyseni e ka ruajtur këtë institucion si i vetmi në Kosovë. Komunat e tjera nuk e kanë një të tillë dhe është institucion i cili është ruajtur falë një menaxhimi të mirë dhe një përkushtimi të veçantë. Sot në këtë qendër në kuadër të emergjencave është qendra për menaxhim dhe karantinë në përballje me pandeminë Covid-19. Kjo qendër për fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët që vijnë nga fshatrat e largëta, apo edhe komunat tjera, përveç mësuesve, aty gjithmonë kanë gjetur shtëpinë e ngrohtë, ushqimin e servuar me kohë, me salla të mësimit, me pedagogë të rregullt dhe menaxheri në këtë rast, drejtori i Konviktit, ka qenë sikur babai i dytë për ta”, ka thënë kryetari Haziri.

Komuna e Gjilanit ka ndarë një mirënjohje në shenjë nderimi për punën dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm, me kërkesën që pasuesit e tij në të ardhmen të marrin shembullin e Nijazi Hysenit.

Nga ana e tij, drejtori i Konviktit, Nijazi Hyseni, tashmë në pension, ka thënë se është ditë shumë e veçantë, jo vetëm për pensionimin e tij, por edhe për nderin dhe respektin që i është bërë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, duke potencuar se mirënjohja më e madhe shkon për Lutfi Hazirin i cili në çdo kohë po i nderon të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në shërbim të shoqërisë.

You Might Also Like