Libri

Mbi një letër dhe dritat për parakalim

Xhevat Latifi

Mbi një letër dhe dritat për parakalim

1.
Profesori i retorikës, doktor shkencash juridike, i ka drejtuar këto ditë një letër publike Kryetarit të Komunës, që për mua është gjetja më e mirë socio-politike e pasluftës për qytetin e Gjilanit, qytet ky që jo pak njerëz të vullnetit të lirë e kanë quajtur edhe Qytet të Demokracisë! Por, për fat të keq, me vite ky vullnet i lirë i qytetit tonë mbahet peng nga myku i strukturave të partive politike, të cilat sikur kanë arritur, çuditërisht, që besimin partiak ta shndërrojnë në ideologji dhe fe në vete, duke konsumuar para vetes figurat më të mira brenda dhe jashtë partive e duke lënë Gjilanin në një çengel të ndryshkur për kusuritjet politike në shkallë vendi.

2.

Pothuaj të gjitha organizimet politike vuajnë nga përjashtimet dhe vetë përjashtimet dhe dera e inkluzivitetit politik mbahet hapur sa për ti zënë bishtin me derë akëcilit aktivist për sa kohë që dorëza e derës mbahet nga kryetarë që zëvendësin e tij dhe strukturat e lidershipit i mbajnë si inekzistente. Ky marifeti i derës për ithtarët e makiavelizmit është mjeshtri e politikë-bërjes, tek e fundit delet ecin atje nga ecën bariu, por asnjëri nga politikanët e deritanishëm nuk i dha vendin e merituar Gjilanit në gjeografinë politike kosovare, përkundrazi e mbajnë pezull dhe të ngulfatur, pa çka se Gjilani është pikë nevralgjike për zhvillimin e vendit si perimetër ku brenda 40 kilometrave ka impakt sinergjie me Kumanovën, Preshevën e Bujanovcin.

3. A është autostrada letër!?

Po të shikosh devijimin apo mos-ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, mbamendja ka emra të përveçëm politikanësh meritokrat për devijimin dhe mos-përfundimin e saj! Por, anash kësaj si ogurmire në autostradën e “letrave”, qyteti ynë, ka emra të përveçëm burrash e grash që i bëjnë nderë spektrit kulturor dhe shkencor, por edhe këtu për fajin e (pa) modestisë mungon një përmendore kulturore. Letra publike e profesorit të retorikës, e them pa hezitim, herët a vonë do ta thonë edhe të tjerët, fillon një hapërim të ri në një udhë të re socio-kulturore të iluminuar (dritësuar), ku lëvizjet paralajmërohen me drita sinjalizuese…Jo kot KF “Drita” është fryma e Gjilanit dhe jo kot tifozëria e saj quhen “Intelektualët”!
Na duhet rruga, ju lutem, po ndizen dritat për parakalim…

You Might Also Like