LAJME

Mërgimtarët pasuri e madhe dhe të pashtershme

Gjilan – Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me titull: ”Mërgimtarët pasuria e Anamoravës”, u tha se shërbimet komunale tashmë janë avancuar dhe se përfitues janë kryesisht diaspora, kurse Lutfi Haziri tha se bashkatdhetarët janë heronj të gjallë për mua sepse ata janë kontribuuesit më të mëdhenj.

Debati i organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” i është referuar problemeve që ka mërgata kur ndodhet në pushime, ballafaqimet e tyre me situatat e ndryshme në vendlindje, propozimet, këshillat dhe vërejtjet që ata mund të kenë në kohën sa ata ndodhen në pushime.

Anamorava ka një pasuri të madhe dhe të pashtershme të mërgimtarëve të cilët janë pothuajse financuesit kryesor që e mbajnë gjallë jetën e shumë familjeve shqiptare.

Lutfi Haziri kreu i komunës tha se për ne ju nuk jeni diasporë e as të huaj sepse ju jeni familje e jona dhe pjesë aktive e qytetit tonë. Lutfi Haziri tha se është i hapur për mërgimtarët dhe se i takon çdo ditë. “I kemi 92 kamera të vendosura në qytet edhe pse jemi qyteti me nivelin më të madh të sigurisë, derisa gjobat pritet të bëhen online për shkelje të trafikut. Bashkatdhetarët janë heronj të gjallë për mua sepse ata janë kontribuuesit më të mëdhenj” tha Haziri derisa ka falënderuar shoqatat e ndryshme që po e rregullojnë ambientin në vendlindjet e tyre si në Pograxhë, Dobërqan e Zhegër.

Haziri tha se kontributi i mërgimtarëve në rrafshin ekonomik dhe patriotik është ende i pa vlerësuar sepse kanë kontribuar në paqe dhe stabilitet. “Mëragata është katalizator i mirëqenies sociale. Investitorët e mërgatës ende po hezitojnë me investue në Kosovë, korrupsioni është pengesa kryesore edhe psikologjike edhe faktike. Pritet të ketë lehtësira në këtë fushë. Gjilani është ndërtuar nga dy gjenerata, por kryesisht me mjetet e diasporës. Vetëm Anamorava i ka 100 kompani nga Zvicra, dhe investoni në atdhe sepse ky është heroizëm” tha Haziri.

Haziri tha se trafiku ka ende tollovi dhe merr kohë dhe është e mërzitshme dhe e lodhshme. “Kërkoj mirëkuptim dhe tolerime nga policia ndaj mërgimtarëve, megjithatë kujdes maksimal duhet të kemi në trafik të gjitha palët sepse është në pyetje jeta e njerëzve” shtoj Haziri.

Bardhyl Syla drejtor i administratës së përgjithshme tha se është arritur të krijon kushte dhe lehtësira administrative. “Disa veprime tashmë janë realizuar siç janë heqja e pauzës, lehtësira në organizimin e sporteleve, skam ë bredhje të qytetarëve nga një sportel në sportelin tjetër, shqyrtimi i kërkesave kryhet brenda ditës, aplikimi online gjithashtu është në shërbim të mërgimtarëve”.

Ismet Hashani zëdhënës i policisë tha se policia është e përgatitur me logjistikë dhe personel. “Mërgimtarët duhet të ofrojnë përvojën e tyre edhe në Kosovë. Policia po bënë fushatë vetëdijësuese për publikun. Kujdesuni për pasuritë e juaja, mos jepni të holla për lypsarët, po na shtohen rastet e vjedhjeve. Janë bashkërenduar punët institucionale në aspektin e sigurisë në trafik” tha Hashani.

Florim Maliqi mërgimtarë kërkojë që pagesat e trafikut të bëhen direkte. Berat Rushiti mërgimtar kërkoj që të gjobitën vozitësit qofshin ata edhe mërgimtarët.”Vërtet jemi të kënaqur me shërbimet komunale sepse ka një disiplinë në punë dhe ka një angazhim maksimal të punonjësve komunal”, kurse Shaban Terziu ka falënderuar komunën për shërbimet e mira komunale.

Muharrem Bajrami tha se ka pasur shumë qeveri, mirëpo puna më e suksesshme është e kësaj qeverisje komunale.

Demir Krasniqi ka dhënë disa vërejtje për lëshime teknike që ndodhin nëpër qytet derisa Muharrem Maliqi mërgimtar tha se pritjet e mërgimtarëve në kufi janë të mërzitshme.
Asllan Gërbavci lavdëroj punën e qeverisjes komunale. “vërtet janë për çdo lakmi sepse Gjilani po ndërtohet çdo ditë” tha ai.

Togere Sanije Kqiku tha se policia po i përcjell të gjitha veprimet e dukurive negative dhe jemi të përkushtuar që të parandalojmë çdo incident të mundshëm në trafik e gjetiu.”Mundohuni të festoni me zemër nëpër ahengje, mundohuni të vozisni me vetëdije të plotë në trafik dhe mundohuni që maksimalisht të jeni të përgjegjshëm për veprimet e juaja” ishte porosia e togerës Sanije për të gjitha grupet.

You Might Also Like