Trashëgimi

Mesxhidi në Sllakoc

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK- Gjilan

Mesxhidi në Sllakoc është i vitit 1770  Objekti është ndërtuar me material të dobët. Vetëm themelet e mureve janë bërë me gurë, ndërsa vetë muret janë punuar nga shtylla druri të thurura me thupra (më të holla se çatmat), ndërsa më pas janë lyer me llaç balte, e mbi të një gëlqerosje.  Sipërfaqja e sallës origjinale e vitit 1770 është 7.40 x 5.20 m.  Në vitin 1973, objekti është zgjeruar nga  një aneks, i cili e ka rritur sallën për 2.60 m, ndërsa një hajat i mbyllur që qëndron para sallës së hyrjes ka përmasat 3.20 me 7 m. Kjo pjesë, është ndërtuar me qerpiçë dhe hatulla prej druri si dhe trarë. Tani sipërfaqja e mesxhidit është 14.10 x 8.20 m. Hajati i mesxhidit  ka një korridor dhe një kthinë të vogël në të djathtë. Nga korridori hyhet në sallën e lutjeve nëpërmjet një dere tjetër. Salla e lutjeve ka 7 dritare gjithsej që e dritësojnë mirë brendësinë, ani pse lartësia e saj nuk i kalon 2.30 m. Tavani i sallës i punuar nga dërrasat mbështetet edhe në katër shtylla mbi të cilat qëndron nga një arkitra tejpërtej gjatësisë së sallës. Shtyllat janë të dekoruara në tre pjesë me rrathë të gravuar dhe ndonjëri prej tyre edhe i dhëmbëzuar. Edhe kapitelet e tyre paraqiten të dekoruar me motive të pakta gjeometrike. Mihrabi dhe minberi janë të thjeshtë. Për shkak të lartësisë së ulët të tavanit, mjeshtri i kohës ka bërë një zgjidhje të veçantë për minberin, lartësia e të cilit përputhej me lartësinë e tavanit,  duke krijuar mbi  balldahin një si tip kupole.

Kulmi katërujës, i mbuluar me tjegulla pikon, ndërsa fasada e jashtme është prishur vende – vende. Prishje vërehen edhe në muret e aneksit, në hyrje të hajatit.

Në vitin 2000 (1421 sipas h), Shoqata për Edukim Islam, Memaba nga Bahreini e ka rinovuar mesxhidin dhe në nderim të donatorit është shënuar në dy pllaka një mirënjohje. Pllaka në të majtë të derës hyrëse në mesxhid ka qenë në gjuhën shqipe, ndërsa ajo në të djathtë, në gjuhën arabe. Por, më datë 16 qershor 2015, pllakën  me shkrimin shqip e kishin thyer dhe e kishin hedhur aty pranë. Në vitin 2014, me miratimin e Komisionit të MKRS, xhemati i këtij fshati, ka ndërtuar një minare tradicionale dhe objekti tani trajtohet si xhami. Minarja është e ndarë krejtësisht nga objekti, pra nuk ka ndonjë pikëtakim. Sipërfaqja e përgjithshme e truallit të mesxhidit është 10 ari. Në këtë xhami zhvillohet mësim-besimi.

You Might Also Like