Trashëgimi

Kandarin ia dhuron Muzeut të Gjilanit

KANARI I HAXHI QEMAJLIT

Haxhiu Qemajl Ramadani, i cili tashmë i ka shkelur tetëdhjetë e kusur, nga viti 1972 e këndej, jeton në Gjilan. Madje, mbrapa Muzeut të Qytetit, e ka shtëpinë, në të cilën është vendosur pas disa “shetive” nëpër lagje tjera, ku, diku ka qëndruar më shumë e, diku më pak.
Por, ato 25 vitet e jetës së tij, të kaluara në Bukoc të Preshevës, aty ku ishte rritur e kish jetuar babë e bagjysh e katërgjysh, nuk i harron.
Kur u patën shpërngulur nga andej e patën ra, fillimisht në Rahovicë e më pas edhe në Preshevë, shumë “almise” i kishin pas marrë me vete, “se na duheshin”, thotë haxhiu. Prej tyne gjallnonim, ishin mjete pune si, sharra, turjela, teshlica, dalta… e t’ mos i përmendi krejt me rend. Qe, ende i kam ruajtur edhe disa fytëza e shpata veku, sepse, edhe vekun deri vonë e ruajtëm. Shtrojën e veshën prej tij i kemi thurrë, derisa “dul ky gurbeti”.
Po “njeva qi po çelet Muzeu edhe kjo mbesa ime m’u pik n’t’lehtë, mej pru do sene k’tu…e, mirë qi ju gjeta”.
Flet qetë, qetë e me zë të ultë haxhi Qemajli, i cili i dhuroi Muzeut të Gjilanit, një kandar të vjetër thuaja një shekull e gjysmë, mos më shumë, një sharrë të vjetër dore, nga të parat që janë përdorur në këto anë, një turjelë, gjithashtu të vjetër e të ruajtur mirë si dhe disa fytëza veku madhësish të ndryshme dhe dy shpata përmes të cilave janë endur pejtë e tjerur.
Na intereson veçmas të dijmë për kandarin, i cili përkundër “moshës”, ende mund të hyj në funskion dhe të peshojë qoftë me OKË apo me kilogram, madje deri në 120 kg.

haxhia
“Atje, n’ Bukoc, nji mahallë ka mat me kët kanar, të cilin s’ di prej kah e kish pas sjellë n’shpi, babgjyshi ynë. Tevona baba ka matë me ta, unë e, edhe djeltë e mi.E kam rujtë qaty me nji kthinë shpie, bashkë me shumë almise tjera po, po get, ju dul tash boja, anise me ditë kush me punu me ta, hala ban’, shprehet ngadal haxhi Kema.
E pyesim pak si n’ shaka, ” a ban’ me hangër hiç n’kanar a jo”? Ai vetëm qesh. “Ma mirë me hangër hallall, asht”.
E, i them haxhiut, edhe ma hallall me pru e me lanë k’tu tash, s’ka..dhe e përcjell sipas traditës deri te dera për t’u parë sërish, sepse haxhiu veç sa ka nisur me e “zgjithë thesin”./Sabit Rrustemi/.
 

You Might Also Like