Futboll

Rrebesh golash në Pozharan

Vllaznia e Pozharanit i është kthyer fitoreve dhe tashti sërish ka nisur të ngjitet drejt kreut të tabelës. Kësaj radhe Vllaznia e Pozharanit ishte më e mirë se Kosova e Prishtinës.

Vllaznia e ka nisur shumë furishëm pjesën e parë dhe që në minutën 14 ka kaluar në epërsi nëpërmjet Ejup Brutit, i cili ka shënuar një gol të bukur, për të ngjallë shpresë tek shikuesit vendas. Vllaznia ka vazhduar me mbizotërimin në fushë dhe si pasojë e lojës sulmuese ka ardhur edhe deri te goli i dytë. Golashënues ishte Premtim Muja, i cili ka shënuar në minutën 32. Paka para përmbylljes së pjesës së parë, mysafirët ia kanë dalë që të ngushtojnë epërsinë e vendasve. Për ta është dhënë një penalti, e cila është konkretizuar në minutën 43, kështu që pjesëloja e parë është përmbyllur me rezultat 2:1 për vendasit.

Që në nismë të pjesës së dytë, Vllaznia ka vazhduar me lojë agresive dhe që në minutën e 55 ia ka dalë të shënojë golin e tretë nëpërmjet Mensur Livorekës. Vllaznia ka shënuar gol edhe në minutën 66 nëpërmjet Lirian Feratit, derisa mysafirët ia kanë dalë që të ngushtojnë epërsinë në 4:2, pasi që kanë shënuar për herë të dytë në portën vendase. Fitorja e Vllaznisë u vu në pikëpyetje pak para përfundimit të ndeshjes, kur mysafirët ia dolën të shënojnë për të tretën herë, por në fund ekipi pozharanas ia doli të shënojë fitore të vlefshme me rezultat 4:3.

 

 

You Might Also Like