Libri

Avni Behluli i ngrit përmendore vendlindjes

Është përuruar libri “Breznica në rrjedhë kohë”, i autorit mr. Avni Behluli, libër ky që flet për një pjesë të arealit tonë kombëtar, për një vendbanim, që gjatë rrjedhave të historisë i dha shumë kombit tonë.

Libri i Avni Behlulit është çmuar lart nga referuesit. Recensenti Dali Emërllahu, që i ka dhënë një vështrim të gjerë këtij libri, ka thënë se ky është një libër me vlerë, një monografi e plotë. Në veprën e Avni Behlulit ka histori, toponimi, heronj, por ka edhe figura njerëzish e dokumente të tjera me rëndësi, të cilat, veprës në  ia rrisin vlerën në përgjithësi. Avni Behluli ka bërë një vepër që duhet lakmuar, kjo është vlera jo vetëm e autorit, por edhe e veprës së tij. Pra, autori na ka sjellë shumë shënime për kohën e kaluar të popullatës së kësaj ane, e cila, sikur në mese të tjera, edhe këtu ka pësuar nga okupuesit. Breznica, si lokalitet, ka ngjarje që e kanë lidhur me të kaluarën mjaft të rëndë, por e ka lidhur dhe me kohën sot, e cila është për të lakmuar”, ka thënë Emërllahu.

Sylejman Dërmaku, redaktor, ka thënë se Avni Behluli  e ka befasuar lexuesin me veprën e tij kushtuar vendlindjes së tij, Breznicës. “Është një shembull i rrallë i krijuesve tanë, sepse, pak kush bëjnë të tilla vepra si autori. Ky libër është një gur themeltar që flet për të gjitha “sendet” e një lokaliteti, siç është Breznica, vendlindja e autorit. Nuk është patriotizëm vetëm të jesh në vijën e frontit të luftës, por patriotizëm është edhe kur njeriu ia lë një dokumentar vendlindjes apo dikujt tjetër. Kjo vepër mbetet një vlerë e rëndësishme që do të trashëgohet dhe do të vlerësohet nga të gjithë. Prandaj, jeta pa sakrifica të tilla, nuk ia vlen. Ia vlen angazhimi me prurje të tilla dokumentare”, tha Dërmaku.

“Autori i kësaj monografie nuk është i panjohur për lexuesin jo vetëm në komunën tonë, por edhe më gjerë. Tash, me këtë dokumentar, autorin e veprës do ta njohim me tepër, për faktin se, e vështirë është puna kur punon dhe nuk je i fushës së studimore”, ka thënë referuesi Shefik Shkodra, që shtoi se kjo vepër na sjellë mjaft risi, sepse na sjellë materie nga shumë fusha të jetës së qytetarit tonë. “Nga tash, brezat e ardhshëm do të kenë rastin ta njohin të kaluarën e gjithëmbarshme të këtij lokaliteti, Breznicën, e cila, si shumë fshatra të tjera, ka pësuar mjaft në një kohë të hershme”, ka thënë ai.

Autori, Avni Bheluli tha se ka pasur shumë takime me qytetarë të këtij lokaliteti. “Unë e kam ndjerë një obligim moral që vendlindjes sime, Breznicës t’ia lë një vepër të këtillë dokumentare, sepse e meritojnë jo vetëm njerëzit e këtij lokaliteti, por e meriton edhe ky vendbanim që ka një lashtësi dhe një histori të bujshme, sa të dhimbshme, por aq edhe krenare. Është dashur më shumë të flitet për Lam Breznicën, një figurë e dalluar e kombit. Por, ka edhe figura të tjera, të cilat, në këtë vepër nuk kanë gjetur vend aq sa meritojnë. Me një fjalë, u mundova të lë gjurmë të kësaj treve që ka shumë fusha të pa studiuara”, ka thënë Behluli.

Në këtë promovim ka deklamuar profesoresha Belgizare Kryeziu.

Ndryshe, libri i Avni Behlulit është i një rëndësie të veçantë, pasi flet për një pjesë të territorit tonë, padrejtësisht të mbetur nën administrimin e Serbisë. Siç thekson edhe vetë autori, arsye e vetme që e kishte shtyrë të shkruaj këtë libër ishte dashuria e autorit ndaj vendlindjes dhe të parëve të vet dhe se ai beson se ky libër do t’u shërbejë gjeneratave të ardhshme dhe se ai ka bërë vetëm një hap për studiuesit e ardhshëm. Autori ka hedhur themelet, duke ua bërë me dije lexuesve të kaluarën e të parëve të tyre, me qëllim që te lexuesi të ngjall dashurinë ndaj atdheut e vendlindjes.

Libri është i ndarë në pesë kaptina, në të cilat autori ka shkoqitur momentet më interesante . Ai nis me Brenznicën nëpër rrjedha kohe, duke nisur që nga themelimi i saj, duke mos lënë pa prekur çdo pore të jetës e personalitete që e kanë karakterizuar këtë fshat dhe rrethinën. Në këtë libër autori Avni Behluli paraqet edhe gjeonologjinë – trungun familjar të familjeve të kësaj ane, kurse libri si i tillë është me rëndësi për studiuesit e rinj, ngase përpos që është një libër vuliminoz e me të dhëna të shumta, ai është i pasuruar edhe me shumë fotografi.

Mr. sc. Avni Behluli, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë edhe promovimin e këtij libri. Ai në opinionin tonë është i njohur si artist i artit pamor – skulptor i njohur, pjesëmarrës në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit, kurse për kontributin e tij ai ishte shpërblyer disa herë.

 

 

You Might Also Like