Libri

“Muzën e Agimit” e fitoi poeti Xhevat Latifi

Manifestimi tradicional “Ditët e Agimit”, që po mbahet në Zhegër të Gjilanit, sot, ditën e dytë, ka vazhduar me aktivitete të tjera, me ç`rast është mbajtur edhe Ora e madhe letrare, ku janë prezantuar dhjetëra krijues.

Çmimin letrar “Muza e Agimit” e fitoi kësaj here poeti Xhevat Latifi. Juria në përbërje: Anton Nikë Berisha, Nexhat Rexha e Sabit Rrustemi, këtë çmim ia dha Latifit për poezinë “Është natë, Agim Ramadani”.

Ora letrare “Muza a Agimit” nisi me vargjet e Agim Ramadanit, të deklamuara nga Adem Ajvazi, sikurse vargje poetike deklamuan edhe Ramadan Myrtaj e Fjolla Murati si dhe bashkëshortja Shukrije Ramadani, e cila ka lexuar vargje të Agimit, të shkruara në kohën e rinisë.

Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon sot me një lojë hendbolli, ndërsa nesër, më 3 maj, do të shënohet dita e shkollës, e cila mban emrin “Agim Ramadani” si dhe ditëlindja e Agimit, sikurse do të ketë edhe aktivitete të tjera, për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.

Përndryshe, manifestimi “Ditët e Agimit” është tradicional dhe mbahet për çdo vit, më 1, 2 e 3 maj në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit, Agim Ramadani-Katana, në përkujtim të kësaj figure poliedrike.

Manifestimi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, i cili në hapje të “Ditëve të Agimit”, tha se Agimi, me pushkën, me penën dhe brushën e tij, u bë i pavdekshëm.

You Might Also Like