LAJME

MUZEU I MADH I KAJROS DHE MUMIET MAGJEPSËSE

 

 Shkruan: Avni Rudaku

Në Kajro të Egjiptit kishte shumë muze, por ndër më të rëndësishmit jo vetëm në kryeqytetin egjiptian, por edhe në mbarë botën, mbetet Muzeu i Madh i Kajros, ku ruhen ndër artefaktet më të hershme dhe më të bollshme të periudhës mbi 3300 vjeçare. Muzeu i Kajros gjindet në sheshin Tahrir. Pak metra më lart, ecën lumi madhështor dhe ndër më të njohurit në botë për gjatësi e histori, Nili. Pak kilometra larg, gjinden edhe tri piramidat madhështore që të lënë pa frymë edhe sot e kësaj dite dhe për shkak të komunikacionit të dendur, me veturë, t’i merr rreth gjysmë ore për të shkuar deri atje.

Faqja e njohur enciklopedike, ‘britannica.com’, në informacionet mbi historikun e themelimit të Muzeut të Madh të Kajros, shkruan: “Muzeu egjiptian, arabisht Al-Matḥaf al-Miṣrī, muze i antikiteteve egjiptiane në Kajro, i themeluar në shekullin e 19-të nga egjiptologu francez Auguste Mariette dhe që strehon koleksionin më të vlefshëm në botë të këtij lloji.” (https://www.britannica.com/topic/Egyptian-Museum-Cairo-Egypt)

Ndërsa për numrin e eksponateve, antikiteteve dhe llojeve të tyre, vazhdon me këto informacione të vlefshme: “Muzeu egjiptian u themelua në vitin 1858 në Būlāq, u transferua në Al-Jīzah (Giza), dhe u zhvendos në faqen e saj të tanishme në vitin 1897-1902. Është unik në prezantimin e gjithë historisë së qytetërimit egjiptian, veçanërisht të antikiteteve të periudhave faraonike dhe greko-romake. Më shumë se 100,000 artikuj në muze përfshijnë rreth 1,700 artikuj nga varri i Tutankhamenit, duke përfshirë maskën e ngurtë ari që mbulonte kokën e faraonit. Thesaret e tjera përfshijnë…, sarkofagët, papirët, artet funerare dhe përmbajtjet e varreve të ndrdyshme (duke përfshirë atë të Mbretëreshës Hetepheres), bizhuteri, stoli të të gjitha llojeve dhe objekte të tjera. Ka një statujë blloku të Mbretëreshës Hetepheres, një nga shembujt më të hershëm të llojit të saj, dhe gjithashtu ka një skulpturë të zezë graniti të Mbretëreshës Nefertiti. Një skulpturë e Amenhotep II e tregon atë si zot Tenen. Ka edhe figura të granitit të Mbretëreshës Hatshepsut, si dhe figura të mëdha të Amenhotep IV (Akhenaton) nga Karnak. Muzeu gjithashtu përmban një koleksion të vogël por të hollë të portreteve Fayum nga periudhat heleniste dhe romake.” (po aty)

Sa i përket informacioneve më të reja rreth Muzeut të Madh të Kajros, është ndërtimi i objektit të ri, për t’u hapur muzeu vetëm gjatë këtij viti dhe fati jonë, të ishim në vitin e hapjes. Para hyrjes në muze, keni dy nënstacione të kontrollimit: njërin në oborrin e muzeut, para prerjes së biletës dhe tjetra gjatë hyrjes brenda në muze. Statujat gjigante të faraonëve të njohur, të presin edhe në oborr, edhe menjëherë brenda hollit të madh e të parë hyrës. Para hyrjes në muze, nuk bën të ndaleni nëse dikush paraqitet si ciceron, ose bëhet kinse po të ndihmon. Shpesh janë shitës suveniresh, rrobash e gjësendesh të tjera, të cilët rrinë para muzeut, në mënyrë që t’i marrin turistët e huaj si klientë për të blerë në dyqanet e tyre. Ajo që është më e habitshme dhe irrituese është se ka disa nga ta, që të dërgojnë aq larg dyqaneve të tyre, sa tejkalon natyrshmërinë edhe të shitësve të dikurshëm të Stambollit, që dilnin jashtë dyqaneve të tyre, për të bindur për të blerë diçka! Në Egjipt, edhe kur kaloni në disa sheshe, është praktikë tashmë e njohur dhe mësoheni me të, të ju ftojnë kamarierët e mikpritësit e tjerë të lokaleve, restoranteve etj., për të hyrë në lokalet e tyre. Janë shpesh të bezdisshëm, por mësoheni t’i injoroni! Mjafton një mimikë e dukjes së dëshirës e miratimit për të hyrë dhe të të afrohen sikur një ngjitës! Por ajo që më irritonte më shumë ishte një fakt: të ndalte dikush në rrugë para muzeut dhe të thoshte: A po shkon në Muzeun e Madh të Kajros? Ti i përgjigjeshit pa ndonjë druajtje: Po! Pastaj, të thoshin: – Dëgjo, tash në këtë orar, është i hapur vetëm për grupe turistësh me ciceronë, por jo edhe për individë si ju, apo çift. Prandaj, eja në dyqanin tonë deri sa të kalon edhe pak kohë dhe kemi mjaft suvenire të bukura e me çmim shumë të mirë! Në fillim, kur nuk i njeh, mund t’i besosh me lehtësi, por edhe këtë e mëson dhe e njeh se si frymon Egjipti! Por me rëndësi, kudo e kurdo, jemi ndjerë shumë të sigurtë! Më habiti numri i madh i vizitorëve rusë dhe kinezë, por të parët e dominonin Egjiptin në këtë kohë, sakaq gjenim shumë mbishkrime në gjuhën ruse, edhe në dyqane! Kishte edhe shumë rusë jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Ukraina!

Brenda Muzeut të Madh të Kajros

Aq shumë ka antikitete, sarkofage, orendi, bizhuteri, sakaq vizitori duhet të shkon herët në mëngjes e të mendon të rri tërë ditën, në mënyrë që të vështron më në detaje, më me vëmendje, analizë, për ta përjetuar historinë mbi tremijëvjeçare, me një kënaqësi të thellë estetike. Aq shumë ka eksponate, sakaq disa edhe i tejkalon me shpejtësi, sepse mbetesh pa i parë shumë lloje të tjera eksponatesh. Brenda muzeut të Kajros, sheh edhe studentë e studente, duke u ndalur e duke u ulur në tokë, duke i vizatuar muralet e para në sarkofagë, apo duke bërë skica nga më të ndryshmet, si detyra shkollore e universitare. Një e metë e muzeut ishte informimi i dobët, me pak legjenda, por edhe kjo vinte nga një traditë e ciceronëve që të flasin, me shumicë. Të vrapojnë shumë ciceronë të cilët duan të jenë udhëheqësit tuaj informues, që pastaj, kuptohet, t’i paguash me para shtesë. Informimi me mbishkrime anglisht dhe në formë digjitale, ishte i mangët, nuk ka animacione e skema të krijuara digjitale të atyre historive të lashta faraonike apo për të shpjeguar procesin e mumifikimit, sikur e kemi parë në muzeevropiane, të cilat kanë evoluar tejmase në mënyrën e informimit të vizitorit për gjërat që sheh me sytë e tij. Po ashtu, për të mos u lodhur shumë, ka lloj-lloj ulëse dhe muzike për të dëgjuar e për t’u relaksuar në muzeumet e ndryshme që kemi vizituar, por këtu, kishte ulëse, por jo edhe shumë modernizim për relaksim e vrojtim. Modernizimi i brendshëm në aspektin informativ e relaksues për vizitorin, për shkak të muzeut aq të madh të Kajros, do të duhej të ecte edhe një hap më tej. Mirëpo, aq madhështore janë thesaret e këtij muzeu, sakaq informacioni të vjen para ardhjes në muze, apo pas daljes nga muzeu, duke i rishikuar shumë dokumentarë, duke i dëgjuar shumë ligjërata të egjiptologëve, faqen e muzeut (ka për momentin ca telashe teknike faqja zyrtare e muzeut të Kajros) dhe faqet e tjera për të marrë informacione shtesë. Aq e njohur në botë është historia e faraonëve, sakaq të duket sikur po mëson për historinë tënde, sepse tashmë historia e faraonëve nuk është më vetëm e egjiptianëve, por e krejt njerëzimit, e ty e mua!

Në muzeun e Kajros, pamë shumë statuja gjigante që ishin pjesa më tërheqëse për vizitorët të ndaleshin e të fotografoheshin brenda. Më pas, sarkofagët ishin shumë të bukur, me vizatimet e tyre dhe rrëfimet e krejt jetës së atyre, të cilëve iu ishte dedikuar dhe për të cilët ishin ndërtuar këta sarkofagë. Pamë edhe shumë kënde sallash, ku vetëm ishin hedhur statuja e artefakte, sepse aq shumë kishte, sa s’kishte as vend ku për t’i vendosur më ato!

Vizita jonë te dhomat e mumieve

Nuk ka pasur gjë më të veçantë se sa vizita jonë në dhomat e mumieve të ruajtura për kohë aq të gjatë. Për të hyrë në këto dhoma, duhej pagesë shtesë, por ia vlente më së shumti. Ishin kurioziteti më interesant për vizitorët. Sapo hyni në dhoma, me ndriçime të kufizuara dhe anash si errërisë, të duket sikur jeni duke u sillur rreth kufomave a xhenazeve, të personave që sapo kanë vdekur. Aq origjinale, aq të ruajtura mirë, sakaq të krijohej përshtypje që sapo kanë vdekur. Mumiet e shtrira ishin të ruajtura në xhama të tejdukshëm dhe nuk lejohej të bëheshin shkrepjet fotografike. Shpesh na ndodhte që njëri nga personat që përkujdesej për dhomat e mumieve, t’ia tërhiqte vërejtjen edhe me gojë vizitorëve, se nuk lejohej të bëhej fotografimi në dhomat e mumieve.

Por, ndodhte që këta kujdestarë, ndonjëherë edhe të lodheshin dhe të përhumbeshin në celularët e tyre, sakaq vizitorët të shihnin se nuk është duke shikuar e shkrepnin tinëza celularin, për t’i pasur mumiet në albumet e tyre. Para hyrjes në dhomat e mumieve, në mure ishin të vëna vizatime të perëndive, mjeshtërve e priftërinjve të mumifikimit, duke i hipur mbi gjoks, duke ia hequr krejt organet e brendshme, si zemrën, lukthin, veshkat etj. Po ashtu, shkruante në një nga legjendat e dhomave të mumieve se, duhej rreth 70 ditë, për t’u bërë mumifikimi. Aty kuptohej se mumifikimi nuk ishte vetëm një proces teknik, por lidhej edhe me ritualet e rregullat e tyre religjioze të kalimit të shpirtit në botën tjetër. Për mumifikim, përdoreshin lloj-lloj vajrash, por edhe qepë për t’i mbuluar zgavrat e ndryshme apo për sytë, sikur na japin informacione, ekspertët e “National Geographic”. Madje, sipas të njëjtin burim informacioni, mund të jenë marrë edhe vajra, erëza e produkte të tjera, të importuara nga India, Kina, Somalia, Arabia etj.

Sipas “National Geographic”, “në fillim të viteve 1880, zyrtarët në Luxor dyshuan se mumiet shiteshin ilegalisht dhe pas një hetimi, ata u penguan… që tronditi egjiptologët. Në vitin 1881, informuar nga një tregtar lokal, arkeologu gjerman Emil Brugsch hyri në një shpellë të vendosur në një fytyrë shkëmbore pranë Deir el Bahri. Në dritën e qiriut të tij, ai gjeti “shumë personalitete të famshme, prej të cilëve kurrë nuk prisnim të dinim më shumë se emrat e tyre”, duke përfshirë mbetjet e dy prej faraonëve më të fuqishëm të Mbretërisë së Re: Ramses II dhe Thutmose III, mumja e të cilëve u dëmtua rëndë nga grabitës të rëndë. Mumjet u dërguan më vonë në Kajro, ku ata ishin të pakontrolluar para shikuesve nga Brugsh dhe egjiptologë të tjerë. Të dy mbretërit e mëdhenj tani qëndrojnë në koleksionin e Muzeut Egjiptian në Kajro.”

Edhe këto mumie që përmenden, i kemi parë në Muzeun e Madh të Kajros. Këto ishin ndër pjesët më të veçanta të vizitës në dhomat e mumieve. Historia e mumieve ka qenë pjesa më misterioze dhe horroristike edhe nga industria më me ndikim e filmit, Hollivudi.

“…Deri në kohën e zbulimit të varrit të Tutankhamonit nga Howard Carter në vitin 1922, ideja e një “mallkimi të mumies” tashmë ishte vendosur mirë në kinemanë e hershme. Mumiet kanë qenë prodhimet e Hollivudit që kur superstari i tmerrshëm Boris Karloff luajti në Mummy në vitin 1932. Filmi i vitit 1999 “The Mummy” dhe vazhdimi i tij “The Returns Mummy” vazhdoi trendin e mumies si një qenie e torturuar dhe hakmarrëse, e kapur diku midis jetës dhe vdekjes” – shkruan ndër të tjerash, Milagros Álvarez Sosa në revistën – është edhe televizion – më cilësore në botë, e veçmas e njohur për dizajnin e fotografitë e saj, “National Geografic”.

Fund

Egjipti ia vlen të vizitohet vetëm për mumiet e Muzeun e Madh të Kajros! Ia vlen për piramidat madhështore, për lagien në detin e Mesdheut (Aleksandri) dhe detin e Kuq (Sharm el-Sheikh)! Ia vlen vetëm për Nilin, ku lindi nevoja për gjeometri pas vërshimeve! Ia vlen për Aswan-in dhe Luxor-in! Ia vlen edhe për malin e shenjtë, për alpinizëm, meditim e vrojtim astronomik, ku besohet se Musa a Moisiu foli me Zotin! Ia vlen edhe për kafet më të vjetra gati në botë, si Fishawy! Ia vlen për Bibliotekën më të famshme në histori, Bibliotekën e Aleksandrisë! Ia vlen për aventurat me vetura e motoçikleta në shkretëtirë! Ia vlen për rrugët e shqiptarëve në Kajro, për historinë e Mehmet Ali Pashës, mbretit Faruk! Ia vlen vetëm për xhamitë e vjetra, kishat ortodokse koptike! Ia vlen për suveniret aq të bukura e që të marrin me vete!

(Reportazhet për Egjiptin janë botuar ekskluzivisht në gazetën e përditshme Kosova Sot dhe të drejtat autoriale për fotografitë i takojnë vetëm autorit dhe portalit kryelajmi.com. Ky është shkrimi i fundit i botuar në këtë seri reportazhesh për Egjiptin)

 

You Might Also Like