Drita ka arritur një fitore të vlefshme në ballafaqim me Besën e Pejës, e cila ekipit gjilanas i mundëson që edhe më tej të mbetet në kreun e tabelës, tash me 6 pikë më shumë se sa Prishtina, e cila është e dyta, por që ka një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Flamurtarit të rrezikuar.
Që nga fillimi i ndeshjes, Drita ka bërë me dije se në Pejë nuk ka shkuar për t’u mbrojtur, por që me lojë sulmuese të arrijë fitoren e radhës. Gjilanasit ia kana dalë shumë herët që të shënojnë. i pari që ka shënuar ka qenë Haxhi Neziraj në minutën 21. Ai është shërbyer nga Xhevdet Shabani dhe nga afërsia e ka futur topin në rrjetë. Golin e dytë për ekipin mysafir e ka shënuar Astrit Fazilu në minutën 29. Ai ka gjuajtur nga largësia dhe ka qëlluar rrjetën vendase.
Në vazhdim të ndeshjes, të dy palët kanë patur raste të mira shënimi, por rrjetat më nuk janë tundur.