ARSIMI

Në UKZ është mbajtur tryeza debatuese me temë “Fillimi i implementimit të Pilot Projektit: Klasa e I-V, qasja me mësimdhënës lëndor”

Në organizim të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe GIZ-CDBE ( Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë) është mbajtur tryeza debatuese me temë “Fillimi i implementimit të Pilot Projektit: Klasa e I-V, qasja me mësimdhënës lëndor”.

Në këtë organizim kanë marrë pjesë, profesorë nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit “Kadri Zeka”, drejtues të drejtorive komunale të arsimit, përfaqësues të GIZ-it gjerman, si dhe mësimdhënës të këtij niveli nga komuna të ndryshme të Anamoravës dhe më gjerë.

Hapjen e tryezës e bëri rektori Bajram Kosumi, i cili fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në tryezën debutuese “Fillimi i implementimit të Pilot Projektit: Klasa e I-V, qasja me mësimdhënës lëndor” , duke thënë se përkrah idenë që kjo problematikë të trajtohet në mënyrë të thelluar që të shënohet ngritje e cilësisë të këtij niveli të arsimit. Ai theksoi se një mësues, sado i përgatitur, nuk do të mund të jetë i efektshëm në të gjitha lëndët për të gjitha nivelet e mësimit klasor, andaj duhet të bëhen ndryshime.

Rektorit Kosumi dha tri rekomandime të rëndësishme përkitazi me temën e sotme: 1. Të ruhet orientimi bazik i këtij projekti, pra të jenë dy mësues njëri nga fusha e lëndëve shoqërore, njëri nga fusha natyrore, por është mirë që të jetë edhe një mësues i lëndëve të artit; 2. Të këtë mbikëqyrje të trefishtë në këtë projekt: a) Nga Drejtoria e shkollës, b) DKA në Gjilan dhe c) Fakulteti i Edukimit në UKZ dhe rekomandimi i 3. Të shikohet efekti sa i përket rritjes së cilësisë.

Ndërsa Boris Scharloëski, Udhëheqës i Grupit, GIZ/CDBE , tha se qëllimi i idesë së një apo më shumë mësues për ciklin fillor, është shumë e mirë, sepse nga kjo që lehtë mund të zbatohet në praktikë, mund të dalin gjenerata më të përgatitur. Sipas tij organizimi i këtij debati është pikërisht rekomandim nga rezultatet e PISA 2015, ku rekomandohen debate të këtilla për rritje të cilësisë në arsim.

Kurse Nazim Gagica Drejtor i Drejtorisë se Arsimit në Gjilan tha se mbështes këtë pilot projekt dhe besoj se do ti shërbej ngritjes së cilësisë. Ai tha se kjo nismë e ka bazën e fort, pra në Universitetin “Kadri Zeka”, dhe çdo rekomandim që del nga ky debat DKA në Gjilan e përkrah, tha mes tjerash drejtori Gagica.

Ndërkaq Profesori i Fakultetit të Edukimit në UKZ, Mensur Neziri, ka bërë prezantimin e studimit-analizës me temën: “Roli i mësuesit në ndryshimin e shkollës”, ku njëherësh ka paraqitur edhe të gjeturat nga një studim i përgatitur nga studentët dhe stafi akademik i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.

Praktikat e mira nga shkolla Fillore ”Hil Mosi” nga Jabllanica e Pejës, i ka prezantuar drejtori i kësaj shkolle, Riza Mujaj, i cila ka treguar përvojat e punës së mësimdhënësve të shkollës që ai drejton, ku ka thënë se shkolla e tyre që nga viti 2001 ka filluar aplikimin e mësim dhënies me më shumë se një mësues për klasat e para deri në të pestën.

Florim Maloku drejtor i Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” Gjilan, ka prezantuar projektin e tyre përkitazi me temën e tryezës, se a duhet shkolla të ketë një apo më shumë mësues për niveli 1-5.

Më pas të pranishmit kanë diskutuar rreth asaj se cilat mund të jenë përparësitë dhe sfidat e të pasurit më shumë mësues në shkollimin fillor të ulët, si mund të realizohet kjo ide, me çfarë sfidash do të ballafaqohen universitetet në ristrukturimin e sistemit të para-shërbimit, Çfarë hapa dhe cilat planifikime duhet të bëhen në zhvillimin e këtij pilot projekti etj.

Pas diskutimeve nga pjesëmarrësit në tryezë janë nxjerr edhe disa rekomandime, ku mes tjerash është thanë se duke e parë se e ardhmja gjithnjë e më shumë po ndryshon, ne duhet ti edukojmë fëmijët tanë për sfidat e ardhmërisë dhe se duhet ta kuptojmë se arsimi nuk është një gjë fikse por është një garë permanente.

Ky organizim i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe GIZ-CDBE ( Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë) me temë “Fillimi i implementimit të Pilot Projektit: Klasa e I-V, qasja me mësimdhënës lëndor” , ka për qëllim të stimuloj një diskurs akademik dhe një debat të politikave.

Ndryshe kjo tryezë debatuese është mbajtur si rezultat i dy tryezave paraprake dhe bashkëpunimit në mes të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe GIZ-CDBE ( Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Bazë), të cilat kanë zgjuar kureshtjen e të gjithëve se nxënësit e shkollave fillore do të duhej të kenë një mësues për të gjitha lëndët, apo të kenë mësues të ndryshëm. Qasja e tillë do të nënkuptonte që mësimdhënësit e tanishëm apo ata të rinj do të përgatiteshin për mësimdhënie në lëndë të veçanta për nivelin fillor. Diskutimi në këtë tryezë ka pasur për synim që të stimulojë një diskutim të përgjithshëm mbi këtë qasje dhe të mundësojë shkëmbim idesh dhe përvojash të cilat do të kontribuonin në zhvillimin e politikave në nivel lokal dhe nacional.

You Might Also Like