Gjilan

Në xhaminë e Pogragjës kujtohet 28 Nëntori- Festa e Flamurit

Në xhaminë e Pogragjës kujtohet 28 Nëntori- Festa e Flamurit
Xhamia e fshatit Pogragjë, të premten dukej më ndryshe, nga imami i fshatit, Ramadan Durmishi, ajo ishte zbukuruar edhe me flamurin kombëtar në prag të Festës së Flamurit- 28 Nëntorit.
Ligjërata javore-Hutbeja që mban imami i fshatit, të premten i është kushtuar 28 Nëntorit- Festës së Flamurit, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kongresit të Manastirit. Imami i fshatit, Ramadan Durmishi ka uruar besimtarët e pranishëm dhe gjithë shqiptarët kudo qofshin për 108- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që tashmë njihet si Festa e Flamurit.
Ai ka cituar kryetarin e parë të Kuvendit (Pleqësisë) të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra, i cili ka porositur “Ta duam njëri-tërtërin e t’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallime feje jemi vëllezër të Nënës Shqipëri”.
Në ligjëratën e tij, imami i Pogragjës, ka theksuar se Pavarësisë së Shqipërisë i ka paraprirë Lidhja Shqiptare e Prizrenit e mbajtur më 1878, e mbajtur në Medresenë e Mehmet Pashës – Bajrakjli Xhami, e cila mblodhi atdhetarët më të devotshëm nga të gjitha trojet shqiptare, duke theksuar se kësaj ngjarje madhe dhe tjerave që pasuan pas saj i kontribuuan figura të njohura si :Myrerriz Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Vëllezërit Frashëri, Sylejman Vokshi, Dervish Hima, Thimi Mitko, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Spiro Dine, Hasan Prishtina, Fan Noli e shumë atdhetarë tjerë.
Imami Ramadan Durmishi, ka rikujtuar me këtë rast edhe Kongresin e Manastirit të mbajtur më 1908 në Manastir , ku u miratua alfabeti i gjuhës shqipe, pastaj takimin e Elbasanit i cili hapi rrugë hapjes së Normales së Elbasanit.
Duke folur për 108-vjetortin e Pavarësisë së Shqipërisë theksoi “ Vlora e ndritur e heroike ka 28 Nëntorin e 1912-ës ku Deklaratën e Pavarësisë nënë udhëheqjen e Ismail Qemalit e firmosën 83 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, për të valuar flamuri unë m e shqiponjën dykrenare kuq e zi”.
Ai përmendi kontributin e klerit musliman për të gjitha këto ngjarje kombëtare e veçmas për Pavarësinë e Shqipërisë duke veçuar emrat si : Hoxhë Isuf Kraja, Hafëz Ali Riza Ulqinaku, Rexhep Voka, Hoxhë Kadri Prishtina, Hoxhë Mehmet Bruti, Haxhi Vehmi Dibra, Ismail Ndroqi, Hafëz Ali Korça etj.
Duke bërë thirrje që të kujtohet kjo ngjarje e rëndësishme kombëtare, imami i Xhamisë së Pogragjës, Ramadan Durmishi porositi për respekt, solidaritet e dashuri ndaj njëri-tjetrit e vendit tonë.
Ndryshe, imami i Pogragjës, çdo herë që ka festa kombëtare e shtetërore, nuk harron t’i rikujtojë dhe të flasë për to gjatë mbajtjes së hutbeve- ligjëratave javore.

 

You Might Also Like