Sportet luftarake

Peon Musmurati karateisti që po shkëlqen

Qysh si fëmijë ishte i dashuruar në sportin e karatesë e tashti kur ai ka mbushur 12 vite, në vitrinat e tij shkëlqejnë shumë medalje, të arta, të argjendta e të bronzta, shumë kupa e mirënjohje. Peon Musmurati, karateist i Klubit të Karatesë AS nga Gjilani, i lindur në vitin 2010 që në moshën gjashtëvjeçare kishte fituar titullin e parë në karate, e që nga atëherë dashuria për këtë sport u bë edhe më e madhe. Falë punës së palodhshme të tij dhe të mësimeve që i mori nga trajnerët, Peoni ka vazhduar të zhytet në thellësitë e këtij sporti dhe që atëherë nuk kanë ndalë sukseset e tij në turne të ndryshme me karakter kombëtar e ndërkombëtar, sikurse që është fitues shumë vendeve të para në garat që ka organizuar Federata Kosovare e Kartesë transmeton, Radio Star.

Kudo nëpër Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e edhe më larg, ai është ngritur në podium si më i miri, kurse Peon Musmurati që në moshën tetëvjeçare ishte laureat si një ndër karatesitët më të mirë për vitin 2018, sukses që u arrit edhe në vitet vijuese. Falë këtyre sukseseve edhe në vitin që sapo përfundoi, Komuna e Gjilanit e ka përzgjedhur në mesin e sportistëve të dalluar në vitin 2022 – në kategorinë e juniorëve.
Në karrierën e tij që nga hapat e parë që i pati në karate, Peon Musmurati ka arritur që në të gjitha këto gara 31 herë të radhitet në pozitën e parë, 17 herë në pozitën e dytë dhe 7 herë në pozitën e tretë, duke arritur të fitojë 67 medalje.

Teksa flet për karatenë, Peon Musmurati thotë se nuk do të ndalet dhe se në një të ardhme jo të largët do të stoliset me medalje edhe nga kampionatet evropiane dhe ato botërore dhe se për të arritur këtë qëllim ai nuk do të ndalet së punuari. Ëndërr e tij të cilën pritet që t’a realizojë është ajo që të përfaqësojë Kosovën në ngjarjet më të mëdha botërore të karatesë e në bazë të punës që e bënë ky sportist i dalluar nuk dyshojmë që kjo ëndërr e tija shumë shpejt do të bëhet realitet./Radio Star/

You Might Also Like