Gjilan

Shaip Kamberi: E falënderoj Lutfi Hazirin për qëndrimin e tij të qartë në përkrahjen e aspiratës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Gjilan, 16 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal dhe bashkëpunimit në mikroregjionin, ka mbajtur takimin e parë për këtë vit me kryetarin e Bujanocit dhe njëherit edhe kryetar i PVD-së, Shaip Kamberi, me temën kryesore për zgjidhjen e qëndrueshme të problemit të shqiptarëve në Kosovën Lindore.

“Angazhimi ynë nga Komuna e Gjilanit do të jetë angazhim i përbashkët vëllazëror dhe mbështetës në zgjidhjen e drejtë politike të të drejtave, në përputhje me referendumin që shqiptarët në këto tri Komuna e kanë dhënë në kohën më të vështirë në vitin 1992. Ndërsa, në bashkëpunimin ndërkomunal ne nuk kemi asnjë lloj problemi dhe bashkërisht jemi të integruar edhe në organizata europiane. Puna jonë e vazhdueshme është në interes të qytetarëve tanë dhe mbështetja për këto tri komuna do të jetë në trajtimin e tërësishëm të tyre dhe jo trajtim parcial”, ka thënë kryetari Haziri pas takimit.

Kurse kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka potencuar se falë mbështetjes së kryetarit Haziri, trajtimi ndërshtetror i Kosovës Lindore do të jetë i domosdoshëm në aspektin e marrëveshjeve të përbashkëta politike me çka ndikohet direkt edhe në përmirësimin e kushteve të qytetarëve në këto tri komuna.

“E falënderojmë kryetarin Haziri për qëndrimin e tij të qartë në përkrahjen e aspiratës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës si tërësi territoriale që të jenë pjesë e Kosovës, në një marrëveshje të përbashkët ndërshtetëtore. Duhet të respektohet parimi i kufijve komunal dhe i pronës sepse në shumicën e territorit të Luginës jeton popullsia shqiptare dhe kanë pronat e tyre”,  është shprehur Kamberi.

You Might Also Like