Në letër, dru, gur e metal, Avni Behluli ka trajtuar tema si; “Mbretërit dardanë”, “Nëna mbron fëmijët”, “Trungu familjar”, por edhe personazhe të tjera.
Shtëpia i është mbushur përplot me skulptura, për to tashti nuk ka vend as në oborr e me skulptura po mbushen edhe shtëpitë e miqve të tij. Avni Behluli, skulptor i mirënjohur nga Gjilani, tash e tridhjetë vite është mishëruar me artin pamor e punën intensive e ka nisur menjëherë pasi kishte përfunduar akademinë.
Fillimisht trajtoi figurën e njeriut, pastaj atë të kafshëve e shpezëve dhe ka vazhduar me motive të kombinuara. Skulptori Avni Behluli, më me ëndje trajton motive e tema me figurën e njeriut, gjithnjë në lëvizje dhe me psikologji të caktuar. Por, nuk është vetëm skulptura lëmi ku ai ka bërë emër, ngase Behluli trajton edhe zhanre të tjera të artit.
Në letër, dru, gur e metal, Avni Behluli ka trajtuar tema si; “Mbretërit dardanë”, “Nëna mbron fëmijët”, “Trungu familjar”, por edhe personazhe të tjera.
Behluli, thotë se nga bota e kafshëve më shumë ka shtjelluar kalin, qenin, gjelat, shqiponjën, fluturën e kafshë të tjera, duke përdorur teknika të ndryshme, me një stil surrealist, ekspresionist, modern e konceptual.
Ambienti në të cilin jeton artisti gjithnjë ka qenë inspirim i tij, kurse për këtë qëllim ai ka përdorur materialet pikërisht nga ky ambient, gurë të vendlindjes dhe nga rrethina ku ai jeton.
Duke qenë një ndër skulptorët me produktivë, jo vetëm në Gjilan, Anamoravë, por edhe më gjerë, për Avni Behlulin është i ngushtë ateleu i tij, e ngushtë edhe shtëpia e oborri, kurse po ngushtohet edhe hapësira e miqve të tij, që ruajnë shumë nga skulpturat e këtij artisti.
“Puna ime është prezantuar kudo nëpër Kosovë e trojet shqiptare, por ekspozitat me karakter ndërkombëtar janë me peshë më të madhe dhe atje pëlqehet shumë arti”, thotë Avni Behluli, duke shtuar se të jesh artist në Kosovë është shumë e vështirë, ngase këtu arti nuk çmohet sa duhet, artistët përbuzen e injorohen.
Avni Behluli ekspozoi kudo në botë, por jo edhe në Galerinë e Arteve të Kosovës, ngase siç thekson ai, për katërmbëdhjetë vite me radhë aplikon në Galerinë e Arteve të Kosovës, por një gjë e tillë nuk iu mundësua e AvniBehluli nuk është artistë që u imponohet atyre që bëjnë programin e ekspozitave. Bile, ai thotë se ka pasur rast kur i ishte ndarë termini për të ekspozuar në Galerinë e Arteve dhe pa kurrfarë arsyetimi emri i tij ishte fshirë nga lista.
Avni Behluli, atje ku çmohet arti nuk kishte nevojë të përdorë bërrylat dhe atij i është bërë ftesë që të ekspozojë nga një cep në cepin tjetër të botës, por që siç thekson edhe vetë artisti, shumë ftesave nuk po mund t’i përgjigjet shkaku i kushteve materiale, ngase me punën e skulptorit dhe mësimdhënësit duhet të mbajë familjen e fëmijët studentë.
Së fundi ai është ftuar të marrë pjesë në një ekspozitë në Korenë Jugore, ku me tri punime të tija mëton të përfaqësoj artin kosovar në mesin e pesëdhjetë artistëve botërorë.
Avbi Behluli, fitues i shumë çmimeve me karakter kombëtar e ndërkombëtar, ka mbaruar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në drejtimin e skulpturës në klasën e profesor Agim Qavderbasha. Ai qysh i ri bëhet anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës e më pas magjistron në skulpturë dhe bashkë me Nagip Berishën themelojë Shkollën e Mesme Jopublike – kursin profesional të artit figurativ.
Ai u zgjodh kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Gjilanit dhe është njëri ndër themeluesit e Shkollës së Mesme Publike të Artit Pamor në Gjilan.
Veprat e tija tani gjenden nëpër muze, galeri dhe koleksionues të shumtë në Kosovë, Shqipëri, Split, Zvicer, Gjermani, Austri, Kanada, Itali, SH.B.A, Maqedoni, Egjipt, Sllovaki, Sudan, Kore, Maroko, Indi Dagistan, Turqi, Qipro e vende të tjera. Ai disa herë ishte shpallur krijues i vitit, fitoi shumë çmime, emri i tij është në disa monografi e libra të arteve pamore, kurse ka organizuar dhjeta ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit, ka marrë pjesë në simpoziume e koloni, në ekspozita kolektive anekënd botës.