Gjilan

Të gjallët në Kosovë, varret matanë kufirit

Dikur fshat që gumëzhinte nga banorët e shumtë e sot rrallë mund të dëgjosh ndonjë zë në fshatin Kokaj, që shtrihet në juglindje të Gjilanit, mu skaj kufirit Kosovë – Serbi. Ky fshat në Malësi të Karadakut, ka mëhallë edhe matanë kufirit, në komunën e Preshevës. Ky vendbanim ishte formuar para më shumë se dy shekujve, kur banorët e parë kishin ardhur nga Sanxhaku i Toplicës. Dikur me vetëm 250 banorë, fshati u rrit vazhdimisht deri në vitin 1981, kur përafërsisht kishte rreth 400 banorë, por që nga ajo kohë me të madhe fillon migrimi drejt qytetit, por edhe në botën e jashtme, për t’u zbrazur gati përfundimisht pas luftës së fundit.
Jeta në kufi është e vështirë e këtu kufiri ka ndarë të gjallët nga të vdekurit, e ata pak banorë të mbetur nuk mund të shkojnë të lirë as te varret e familjarëve të tyre.
“Banorët nuk dëshirojnë që të humbet çdo shenjë, të paktën jo gurët e varreve, edhe pse kanë humbur ara, kullosa, livadhe dhe male, që i kanë burime të jetesës”, thonë fshtarët, që shtojnë se këtu shkolla e parë është ndërtuar në vitin 1967 e tashti gjysmë shekulli më vonë, shkolla ke ngelur pa asnjë nxënës edhe është mbyllur fare, andaj ata pak fëmijë që kanë mbetur duhet të udhëtojnë deri në fshatin më të afërm në Llofcë për të vijuar mësimet.
Pesë familje që kanë mbetur në fshat presin që për to të hapet perspektiva, ngase ka banorë që me ndërtimin e rrugës deri në fshat do të ktheheshin në shtëpitë që i kishin lënë dikur. Fshatarët besojnë se një ditë shkolla sërish do të rihapet, ngase tashti në Mëhallën e Poshtme ndihet një gjallëri më e madhe. Përveç dy shtëpive të rindërtuara të Rrustemajve, edhe te Maliqët është ndërtuar edhe një shtëpi e re. Xhamia, që po ashtu ishte në shkatërrim e sipër, u rinovua derisa edhe Mëhalla e Epërme nuk e ka larg Llofcën, prej ku rruga e asfaltuar moderne ishte ndërtuar vite më parë. Kryelajmi.com

You Might Also Like