Shkruan: Erisa Bahtijari
Teatri i Gjilanit Gjilani njihet si vendi ku gjatë gjithë kohës zhvillohen veprimtari artistike e kulturore. Ofron shfaqje shumë të suksesshme, të cilat kanë marrë pjesë edhe në festivale teatrore si shfaqje profesionale. Për këtë arsye ka marrë edhe emrin “Teatri profesionist i Gjilanit”. Teatri i qytetit të Gjilanit ka filluar veprimtarinë fillimisht si shoqëri kulturore artistike, shfaqjet e para janë punuar kryesisht nga amatorë, entuziastë e idealistë. Shfaqja e parë llogaritet të ketë qenë “Vllazëri e Interes” e Kristo Floqit, një komedi e cila është dhënë në 1944. Deri më 1966 në repertoarin e këtij teatri janë vendosur kryesisht drama e komedi të autorëve kosovarë, por edhe të autorëve jashtë Kosovës. Viti 1970 është si pikë nisje e këtij teatri, me ardhjen e Muharrem Shahiqit dhe Fetah Mehmetit, të cilët janë angazhuar dhe vunë themelet e Teatrit profesionist të Gjilanit. Në saje të kësaj ardhjeje si aktorë të parë të diplomuar në akademi vijnë gjenerata e aktorëve si : Sabedin Shahiqi, Naser Zymberi, Jahi Jahiu, Jashar Shahiqi, Mejreme Berisha e njerëz të tjerë të cilët kanë kontribuar që ky teatër të jetë ky që është me përkushtimin dhe angazhimin e tyre profesional. Vitet më të vështira ishin vitet e 90-ta. Si në shumicën e institucioneve publike shqiptarët janë dëbuar nga puna, por teatri nuk është ndalur asnjëherë. Përkundër dëbimit nga puna, aktorët kanë vazhduar që këtë institucion ta mbajnë gjallë në hapësira e vende te ndryshme. “Teatri i qytetit të Gjilanit në këtë kohë veprimtarinë e zhvillon në sallë te Përlepnicës, pastaj disa aktivitet si fillimin e festivalit “Flaka e Janarit” e mbanë edhe në Shtëpinë e Kulturës në Bresalc. Një kohë ka qenë dhe ka funksionuar në shtëpinë time, ku provat janë mbajtur aty. Normalisht që e gjithë jeta kulturore është realizuar në vende dhe hapësira tjera për shkak se kanë qenë të okupuara, përsëri kanë gjetur forma alternative tjera që arti mos të shuhet.” thotë drejtori i teatrit Erson Zymberi. Rikthimi pas luftës në vitin 2000, teatrin e gjen me energji e përkushtim shumë më të madh, seriozitet dhe prodhimtari drejtë shfaqjeve. Po mandej vazhdojnë fazat prapë të vështira, asaj të mungesës së buxhetit dhe përkrahjes së këtij institucioni nga Qeveria e Kosovës.
Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit
“Vazhdimisht aktorët e teatri kanë qenë një zë i rezistencës dhe një zë i përpjekjes për të krijuar art, për të krijuar kulturë, sepse kultura dhe teatri janë ndër të vetmet arte apo ndër të vetmet institucione që japin mesazhe të shoqërisë sonë e problemeve egzistenciale në shoqërinë tonë” thotë Erson Zymberi. Drejtori i teatrit Erson Zymberi flet edhe për zhvillimin e teatrit ndërkohë ku thotë se “Periudha më e artë e këtij teatri është periudha e pas luftës ku profesionistët vijnë dhe e ndihmojnë zhvillimin e këtij teatri të cilët e kanë krijuar disa njerëz më herët, po që atë kulmin e mbërrin kohëve të fundit me pjesëmarrjen e festivaleve ndërkombëtare.” Shfaqja ‘a.y.l.a.n’ nga Jeton Neziraj, ka qenë pjesëmarrëse e dy festivaleve në Poloni në njërin prej të cilëve shpërblehet edhe me “Çmimin e Madh” të Festivalit, është një nga shfaqjet më të mira në historinë e Teatrit te Gjilanit. “Kjo na ka bërë të mendojmë që puna jonë, përkushtimi jonë dhe dashuria jonë për këtë teatër po natyrisht paralel me profesionalizmin edhe trajtimin që po i bëjmë këtij institucioni arrin të shpërblehet në nivel të një festivali i cili ka qenë nëse nuk gaboj në edicionin afërsisht të 50-të të tij. Pra një festival jashtëzakonisht serioz i teatrit, kjo na ka bërë të ndihemi mirë”, thotë z. Zymberi.
Shfaqja ‘a.y.l.a.n’ na konfronton domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit në vetveten tonë. Në këtë shfaqje luajnë: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani dhe Alban Shahiqi. Aktorja Aurita Agushi flet edhe për përvojën e saj si aktore në teatrin e Gjilanit, ku tregon se kjo përvojë e ka bërë shumë më të fortë. Ky teatër jo vetëm që ka ndikuar në dashurinë e saj ndaj profesionit si aktore, po ashtu edhe në dashurinë ndaj vendit të saj të lindjes. “Pikërisht aty unë i kam marr hapat e parë, në Teatrin e Gjilanit. Kanë qenë aktorët e gjeneratës së vjetër si Sabedin Shahiqi, Jashar Shahiqi,
Auritë Agushi, aktore
Naser Zymber, Muharrem Sylejmani, Ramadan Kurti, Mejreme Berisha e shumë të tjerë që mua më kanë përkrahur, më kanë dhënë kurajo që unë të vazhdoj dhe të mirrem më këtë punë, të kem profesion këtë punë, aktrimin do të thotë. Sigurisht që unë ndihem shumë borxhli edhe mirënjohëse deri në fund të teatrit të Gjilanit, njerëzve të Teatrit të Gjilanit, të gjithë ata të cilët i përmenda” thotë aktorja gjilanase Aurita Agushi. Po ashtu së shpejti në Teatrin e Gjilanit do të vijë një prodhim i jashtëzakonshëm “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir dhe Nastazja Domaradzka. Drama “Kopshti i hijeve” e shkruar nga dramaturgia britanike Sara Hehir, është e bazuar në masakrën e familjes Bogujevci në Podujevë gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila do risjellet në formë teatrore dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit me regji të regjisores angleze, Nastazja Domaradzka.
(Autorja është gazetare praktikante në Gazetën Online kryelajmi.com)