KULTURA

“T’fala nga Gjilani” një performacë e këndshme poetiko-muzikore

 

 

 

Në ambientet e Kullës së Gjinajve në Makresh, në ambient të hapur, në një atmosferë të këndshme verore, aktorë të Teatrit të Gjilanit, nën tingujt e kitarës dhe të solistes Diana Toska kanë mbajtur një shou teatror të mbrëmjes, të titulluar “T’fala nga Gjilani”, e cila u është kushtuar bashkatdhetarëve tanë, të cilët këtë verë po qëndrojnë në vendlindjen e tyre.

 

Fillimisht mirëseardhje bashkatdhetarëve dhe publikut u ka dëshiruar drejtori i Teatrit, Erson Zymberi, i cili ka theksuar se ata janë në shtëpi të vet, kurse si gjithherë në shenjë mikëpritjeje dhe falënderimi, trupa artistike dhe Drejtoria Për Kulturë në Gjilan, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Lutfi Haziri, ka përgatitur një program të pasur kulturor. Edhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sporte, Deniza Limani, ka theksuar se këtë verë për mërgimtarët aktiviteti i parë është “Të fala nga Gjilani” që është një vokacion artistik dhe mbrëmje poetike me këngë e poezi të sjella me shumë dashuri e shumë veçanti nga aktorët tanë tani në korrik dhe në muajin gusht. Ajo ka thënë se do të vazhdohet edhe me aktivitete të tjera deri në gusht dhe se shumë shpejt do të publikohen edhe detajet e këtij kalendari që të gjithë të jenë të informuar për aktivitetet, vendin dhe kohën e mbajtjes që bashkatdhetarët të kenë mundësinë të marrin pjesë në këto aktivitete.

Në këtë shou, nën regjinë e Ekrem Sopit janë paraqitur aktorët e Teatrit të Gjilanit, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Safete Mustafa – Baftiu, Ernest Zymberi, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi e Alban Shahiqi. Muzika Diana Toska dhe Ndriçim Bajrami.

Në këtë mbrëmje të këndshme, aktorët kanë recituar, secili në mënyrën e vet tekste të këngëve të ndryshme, me tone lirike e shpesh edhe tone humori, duke argëtuar publikun, derisa pjesë nga këto recitime janë kënduar nga Diana Toska, nën përcjelljen e kitarës nga Ndriçim Bajrami.

Kryelajmi.com

You Might Also Like