ARSIMI

U mirëpritën më të mirët e matematikës

Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” bashkë me zëvendësdrejtorin Agim Asllani si dhe mësimdhënësit Festim Shkodra e Armend Limani, kanë mirëpritur nxënësit Olt Imeri dhe Era Januzi, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në garat botërore, gjegjësisht evropiane të matematikës. Më herët drejtoria kishte mirëpritur edhe nxënësin Lum Jerliu, i cili është përzgjedhur që të përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO 2023. Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se kjo e arritur e këtyre tre nxënësve është pos tjerash rezultat i punës së këtyre nxënësve, mësimdhënësve të tyre, por edhe i shkollës. Ai ka thënë se me punë dhe angazhim mund të arrihet gjithçka dhe u ka bërë me dije nxënësve se edhe në të ardhmen ata do t’i pret një garë e fortë, por se me punë dhe vullnet edhe kjo sfidë mund të kalohet me sukses. “Jeni për çdo lëvdatë dhe ju e merituat këtë fitore”, ka thënë drejtori Bekim Mustafa, që në shenjë mirënjohje për suksesin e arritur këtyre nxënësve u ka dhuruar nga një I-PAD dhe mirënjohje nga drejtoria e gjimnazit. Edhe zëvendësdrejtori Agim Asllani, i ka uruar nxënësit për suksesin e arritur, duke thënë se kjo është falë punës së tyre dhe të mësimdhënësve të tyre etj. “Krenohemi me ju, por edhe me të tjerët si ju. Jeni vlerë e madhe për Gjilanin dhe për Kosovën. Suksese edhe në të ardhmen, e ju jeni dhe do të mbeteni dëshmi se në shkollën tonë punohet”, tha Asllani. Festim Shkodra, koordinator i ekipit të Komunës së Gjilanit, ka thënë se ky është lajm i mirë dhe i gëzuar, ngase me mund dhe sakrificë është arritur ky sukses. Sipas tij, puna e nxënësve, mësimdhënësve, Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, por edhe përkrahja e prindërve të tyre ka bërë që tradita e sukseseve në garuesve gjilanas në matematikë të vazhdojë, por kësaj radhe edhe më fuqishëm. Ai tha se suksesi i arritur, këtyre nxënësve do t’ua hap atyre dyert edhe për studime të mëtejme në universitete prestigjioze. Ndryshe, sivjet tre garues nga Komuna e Gjilanit, nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, vazhduan traditën e sukseseve të gjilanasve nē garat e matematikës. Ata u përzgjodhën në ekipet përfaqësuese të Kosovës, pas një vargu të garave, trajnimeve dhe testimeve te organizuara nga ShMK. Matematikanja e re gjilanase Era Januzi, nxënëse e klasës së XI në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, arriti të përzgjedhet në ekipin 4 anëtarësh të Kosovës, që do të përfaqësojë shtetin tonë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2023, që sivjet do të mbahet në Slloveni më 13-19.04. 2023. Po ashtu edhe matematikanët e rinj gjilanas: Lum Jerliu dhe Olt Imeri, maturantë të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti në Gjilan, arritën të përzgjedhen në ekipin 6 anëtarësh të Kosovës, që do të përfaqësojë shtetin tonë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare – IMO 2023, që sivjet do të mbahet në Japoni më 02-13.07. 2023.

You Might Also Like