Futboll

As Vllaznia nuk i iku fundit, as Gjilani nuk e preku kreun

Vllaznia dhe Gjilani janë përballë këtë të shtunë në Stadiumin e Qytetit në një ndeshje që për të dy skuadrat do të ishin domethënëse. Ekipi vendas, në këtë rast Vllaznia, me një fitore eventuale do t’i ikte fundit të tabelës, duke e kaluar Flamurtarin, derisa Gjilani, me fitore si mysafirë, do të dilte në pozitën e parë të tabelës, pozitë të cilën nuk e ka shijuar kaherë.

Me ambicie të tilla të dy ekipet e nisën ndeshjen dhe që në minutën e tretë ka provuar Papuqi, që ka qëlluar nga ndërprerja, por Bajrami shpëtoi golin. Në minutën 11, Sadriu qëlloi mbi portë e në të 14 Kastrati gjuajti nga largësia për të shkuar topi skaj pingules. Edhe Thaçi në minutën 25 gjuajti jashtë portës e në minutën 37 Vllaznia kërkoi penalti, e cila nuk iu dha e pjesëloja e parë është mbyllur me një gjuajtje të Statovcit.

Në pjesëlojën e dytë gjilanasit ishin edhe më këmbëngulës për të fituar ndeshjen dhe në minutën 52 Eminhaziri gjuajti mbi portë, gjë të cilën e bëri edhe Papuqi në minutën 68, kur gjuajti me kokë e rasti më i mirë në ndeshje ishte për vendasit në minutën 70, kur Livoreka harkoi për Salihun  e cili gjuajti bukur, por edhe më bukur intervenoi Kaqiu që e shpëtoi golin. Pak para mbylljes së ndeshjes dy raste të mira i patën Behluli dhe Salihu, por rrjetat ngelën të paprekura.

You Might Also Like