Gjilan

Në Francë u ndalua liria e Kosovës

Nën moton “Liri për Ramushin” në Gjilan është mbajtur një protestë gjithpopullore, në të cilën është kërkuar lirimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Colmar të Francës.

Protestuesit mbanin pankarta në gjuhën shqipe, frënge e angleze, duke kërkuar që Kosova të mos gjykohet me fletarreste të Serbisë.

Rexhep Kadriu, nënkryetar i komunës dhe kryetar i degës së AAK-së në Gjilan, ka thënë se ky tubim i sotëm është për kauzën kombëtare, ngase Ramush Haradinaj dhe familje e tij kurrë nuk janë kursyer për Kosovën.

“Në Francë u ndalua liria e Kosovës dhe dinjiteti shqiptar”, ka thënë Rexhep Kadriu, që ka shtuar se privimi nga liria i Ramush Haradinajt është privim për të gjithë ne dhe se duke mbrojtur Ramush Haradinajn mbrohet lufta çlirimtare.

Jeton Sherifi, në emër të shoqatave të dala nga lufta, tha se arrestimi i Ramush Haradinajt është i padrejtë dhe është kërkuar nga Franca që t’a lirojë atë dhe të mos përfill fletarrestet e Serbisë. Në emër të sportistëve gjilanas lirimin e Ramush Haradinajt e ka kërkuar boksieri Liridon Zeqiri, derisa Ahmet Isufi, ish- komandant i ZOK-ut dhe nënkryetar i AAK-së, tha se Ramushi ka përkrahje atje ku janë shqiptarët, kurse ky ndalim e ke një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet të veprojnë si shtet. Sipas tij, Serbia në vend që të paguajë çmimin që shkaktoi për luftërat ajo po ngre akuza për shqiptarët.

“Edhe këtë herë duhet të përballemi me drejtësinë për të dëshmuar se lufta e jonë ishte e drejtë. Institucionet e Kosovës duhet të ndërprejnë dialogun në kohën kur Serbia me një listë të skaduar e të paqenë po na kërkon”, ka thënë ndër të tjera Ahmet Isufi.

You Might Also Like