OPINION

SI U KONFISKUAN PRONAT E POGRAGJASËVE NË PASJAN (PISJAN)?

 

Fitim RIFATI


Pogragja shtrihet përgjatë luginës së lumit Morava e Binçës, në pjesën lindore të Kosovës dhe i takon administrativisht komunës së Gjilanit. Gjurmët e para të këtij vendbanimi datojnë që nga koha e vjetër. Kalaja, e cila ndodhet në pjesën perëndimore të këtij vendbanimi, është një monument kulturo-historik, që së bashku me lokalitetet përreth, të arriturat e gërmimeve arkeologjike, gjetjeve të rastësishme, epigrafisë, mikrotoponimisë e antroponimisë, identifikojnë dhe provojnë vazhdimësinë iliro-dardane, arbërore dhe shqiptare të kësaj treve.

Pushtimi osman i trevave arbërore gjatë shekujve XIV dhe XV, solli një epokë të re politike, ekonomike, administrative dhe kulturore të kësaj treve. Rrjedhimisht, popullsia vendëse iu përshtat edhe funksionimit të marrëdhënieve të reja ekonomike. Në dokumentet pronësore osmane (tapitë) që ruhen me kujdes nga pasardhësit, provohet se pronësia tokësore e familjeve të pasura të Pogragjës shtrihej jo vetëm në këtë trevë, por edhe në Pasjan (Pisjan), Ranillug, Ropotovë, Kormijan etj. Këto prona shfrytëzoheshin për nevoja të zhvillimit të kulturave bujqësore dhe për zhvillimin e blegtorisë.

Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës, që nisën në vitin 1912, kur Kosova u pushtua dhe aneksua dhunshëm nga Mbretëria e Serbisë dhe Malit të Zi, më 1912-1913, si rezultat edhe i vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, krijuan raporte të reja ekonomike në Kosovë, të cilat u shtrinë edhe në sistemin pronësor. Mbretëritë serbo-malazeze nxorën ligje që kishin për objekt kolonizimin e Kosovës me serbë e malazezë dhe reformën agrare, të cilat bashkërisht dhe drejtpërdrejtë ishin strategji politike që krijonin parakushte për shpërnguljen e detyrueshme të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Kjo politikë shtetërore vazhdoi edhe ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941) nën Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene përkatësisht Mbretërinë e Jugosllavisë. Reforma agrare gjoja kishte për qëllim kalimin nga feudalizmi në kapitalizëm, si “masë revolucionare” ekonomike dhe si proces i ndryshimeve në pronësi mbi tokën bujqësore. Kjo reformë, e mbështetur në akte ligjore, prej organeve përkatëse u zbatua ngadalë dhe me qëndrueshmëri. Këto masa prekën edhe pronarët e mëdhenj shqiptarë, të cilët zotëronin sasi të mëdha toke në rrethinën e Gjilanit. Në mesin e tyre kishte edhe nga Pogragja, si: Dalip Xhelili dhe Hetem Sylejmani. Ata, sipas dokumenteve serbe të vitit 1937, ishin pronarë të afër 10 hektarë sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Pasjan (Pisjan) të Rrethit të Gjilanit. Mirëpo, sipas vendimit të Gjyqit Agrar, si institucion shtetëror për zbatimin e ligjit për reformën agrare, pronat e Dalip Xhelilit dhe Hetem Sylejmanit iu dhanë serbëve (në mesin e tyre edhe kolonëve) të Pasjanit (Pisjanit).

Në Aktgjykimin e Gjyqit Agrar të Rrethit të Gjilanit, Nr.269/12, të datës 13.03.1937, në mes tjerash shpallet: “Shqyrtimi i marrëdhënieve agrare të pronarit, të ndjerit Dalip Xhelilit nga Pogragja, në sipërfaqe prej 4,20 ha, dhe shpallja pronar të tokës punuesin Filip Trajkoviq nga Pasjani…” – (AJ, MF70-430-704). Ndërkohë, në Aktgjykimin e Gjyqit Agrar të Rrethit të Gjilanit, Nr.270, të datës 22.03.1937, gjithashtu shpallet: “Shqyrtimi i marrëdhënieve agrare të pronarit Hetem Sylejmanit nga Pogragja, në sipërfaqe prej 5,58 ha, dhe shpallja pronarë të tokës ish punuesit, familjet: Mira Ristiq, Stana Jovanoviq dhe të ndjerit Mite Stojanoviq nga Psjani…” – (AJ, MF70-430-704). Në këtë kontekst, shpërdorimet e ndryshme dhe konfiskimi i pronave private të fshatarëve shqiptarë u bë me qëllim të vendosjes së kolonëve. Kjo pati pasoja negative edhe në marrëdhëniet ndërmjet popullsisë vendëse dhe kolonëve, që u bënë pronarë të tokave shqiptare të konfiskuara. Kësisoj, autoritetet e reformës agrare, në mënyrë arbitrare kufizonin dhe privonin pronat dhe vendbanimet e fshatarëve shqiptarë, në shumicën e rasteve pa zëvendësim dhe pa kompensim.

Këto masa shpronësimi të pronarëve të mëdhenj të tokave prekën jo vetëm marrëdhëniet pronësore, por goditën ekonominë familjare e rrjedhimisht nxitën emigrimin e shqiptarëve në drejtim të Turqisë, pjesërisht Shqipërisë e ndonjë vendi tjetër. Për pasojë, në pronat e pronarëve të Pogragjës në Pasjan, Ranillug, Ropotovë, Kormijan etj., u vendosën dhjetëra e qindra familje kolone serbe. Prej tyre u sistemuan edhe në Pogragjë, si: Nikolla Iliq, Spaso Mishiq dhe Mihailo S. Stojanoviq. Disa prej këtyre kolonëve, që u bënë pronarë tokash në mënyrë të dhunshme, pas një kohe i shitën këto prona dhe u kthyen në vendin e lindjes.

Zotërimi i dokumenteve pronësore, të trashëguara dhe ruajtura brez pas brezi, është një argument historik për dhunën sistematike e shtetërore serbe ndaj shqiptarëve përgjatë shekullit XX. Ruajtja e këtyre dokumenteve i shërben jo vetëm pasqyrimit të drejtë të së kaluarës, por edhe gjykimit në perspektivë të padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar.

You Might Also Like