ARSIMI

Gjuha gjermane sot është një vlerë e madhe në tregun e punës, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë

Ju jeni në një moment shumë të rëndësishëm të jetës suaj: para zgjedhjes së studimeve dhe drejtimit profesional. Kjo zgjedhje nuk është vetëm vendim për vitet e ardhshme të studimit, por edhe për mundësitë që do t’ju hapen në të ardhmen.
Nëse dëshironi të studioni një gjuhë me perspektivë, të fitoni njohuri të thella gjuhësore, letrare e kulturore dhe të krijoni mundësi të mira për punësim, atëherë Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është zgjedhja e duhur për ju.
Gjuha gjermane sot është një vlerë e madhe në tregun e punës, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë. Ajo ju hap rrugë për punë në arsim, përkthim, institucione ndërkombëtare, ambasada, organizata gjermane, austriake e zvicerane, kompani private, qendra komunikimi, media, kulturë dhe fusha të tjera profesionale.
Studimi i gjermanishtes nuk nënkupton vetëm mësimin e një gjuhe. Përmes këtij studimi, ju do të fitoni dije gjuhësore, letrare, kulturore dhe praktike, të cilat janë shumë të kërkuara në shoqërinë dhe në tregun e sotëm të punës. Ju do të njiheni me kulturën, letërsinë, historinë dhe mendimin e vendeve gjermanishtfolëse, si dhe me lidhjet e shumta që Kosova ka me këtë hapësirë kulturore dhe gjuhësore.
Një përparësi e veçantë e Departamentit tonë është lidhja e studimeve me tregun e punës. Hulumtimet e realizuara nga Departamenti për gjendjen aktuale në tregun e punës tregojnë se studentët tanë janë të kërkuar dhe se shumë prej tyre punësohen që gjatë studimeve. Edhe pas përfundimit të studimeve, të diplomuarit tanë kanë mundësi të mira për angazhim profesional në sektorë të ndryshëm. Njohuritë e gjuhës gjermane, të kombinuara me aftësitë komunikuese, kulturore dhe përkthimore, ju bëjnë konkurrues në një treg pune gjithnjë e më dinamik.
Departamenti ynë ka staf profesional, të përkushtuar dhe me përvojë të gjatë akademike. Mësimdhënësit tanë janë në hap me zhvillimet bashkëkohore në mësimdhënie dhe në hulumtim shkencor, duke përdorur qasje moderne, metoda interaktive dhe praktika që i përgatisin studentët për sfidat reale akademike dhe profesionale. Përmes ligjëratave, ushtrimeve, seminareve, punës praktike dhe aktiviteteve të ndryshme, ju do të mbështeteni në zhvillimin tuaj si studentë dhe si profesionistë të ardhshëm.
Një nga përparësitë më të mëdha të Departamentit është edhe ndërkombëtarizimi. Që nga viti i dytë i studimeve, ju keni mundësi që përmes programit Erasmus+ të studioni së paku një semestër në universitete evropiane. Kjo përvojë ju mundëson të jetoni dhe të studioni në një ambient akademik ndërkombëtar, të përmirësoni gjuhën gjermane, të krijoni kontakte të reja dhe të ktheheni me përvojë të vlefshme për jetën dhe karrierën tuaj.
Departamenti ynë ka bashkëpunime të shumta jo vetëm me departamente të Germanistikës në vendet gjermanishtfolëse, por edhe me universitete të tjera në Evropë. Këto bashkëpunime ju krijojnë mundësi për mobilitet studentor, shkëmbim akademik, projekte të përbashkëta, ligjërata mysafire dhe aktivitete të ndryshme shkencore e kulturore.
Një rol shumë të rëndësishëm në jetën akademike të Departamentit kanë edhe lektorët e DAAD-së dhe OeAD-së. Ata sjellin përvojë të drejtpërdrejtë nga hapësira gjermanishtfolëse, mbështesin mësimdhënien, organizojnë aktivitete me studentë dhe ju ofrojnë informacione të rëndësishme për bursa, studime dhe mundësi akademike në Gjermani dhe Austri.
Prandaj, nëse dëshironi të bëheni pjesë e një departamenti me traditë, me staf profesional, me bashkëpunime ndërkombëtare, me mundësi reale për mobilitet në Evropë dhe me lidhje të forta me tregun e punës, atëherë studimet në Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Fakultetin e Filologjisë janë zgjedhja e duhur për ju.
Zgjidhni gjermanishten – zgjidhni një rrugë drejt dijes, kulturës, punësimit dhe Evropës.

You Might Also Like