Vitin e kaluar ishin në krye të ranglistës, kurse edhe sivjet nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” janë ndër shkollat më të mira në Kosovë sa i përket regjistrimit në Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë.
Blerim Rexha, profesor në Universitetin e Prishtinës ka nxjerrë rezultatet nga 83 shkolla të Kosovës, nxënësit e të cilave i8 janë nënshtruar provimit, duke theksuar se dhe këtë vit, programi i tyre i Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike në FIEK ishte ndër më të kërkuarit në krejt Universitetin e Prishtinës – mbi dy kandidatë për një ulëse në amfiteatër! Pas një konkurrence të lartë dhe një organizimi të shkëlqyeshëm, rezultatet u shpallën si zakonisht menjëherë në mbrëmje (https://tinyurl.com/FIEK-IKS-2026). Dhe në këtë “garë” nuk garuan vetëm nxënësit, por edhe shkollat e Kosovës.
Nga cilat shkolla vijnë 208 të pranuarit tanë? Nga plot 83 shkolla të Kosovës! Në figurë janë paraqitur shkollat që kanë kontribuar me së paku 4 nxënës të pranuar.
Gjimnazi “Xhevdet Doda“ vazhdon traditën e tij, ndër vite, me prurjen më të madhe – plot 20 nxënës të pranuar. Pas tij vijnë Gjimnazi i shkencave natyrore “Sami Frashëri” Prishtinë dhe Gjimnazi Luigj Gurakuqi i Klinës me nga 12 – një sukses i veçantë ky për një komunë të vogël që rangohet krah për krah me gjimnazet e kryeqytetit! Me nga 8-9 të pranuar vazhdojnë: Gjimnazi i Shkencave Natyrore ” Xhavit Ahmeti ” Gjilan, Gjimnazi “Frang Bardhi”-Mitrovicë, Gjimnazi “Bedri Pejani” – Pejë, Shkolla e Mesme e Lartë-Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” – Podujevë“, dhe Gjimnazi “Haxhi Zeka” Istog. Në figurë janë edhe: Ulpiana e Lipjanit, Gjimnazi “Kuvendi i Arbërit”, Tafil Kasumaj i Deçanit, Hamdi Berisha i Malishevës, Fan S. Noli i Podujevës, Hajdar Dushi i Gjakovës, Skënderbeu i Kaçanikut dhe Ismail Qemali i Kamenicës.
“Përgëzime për punën e shkëlqyeshme të mësimdhënësve të të gjitha këtyre shkollave – por edhe të 67 shkollave të tjera që sollën nxënësit e tyre në programin tonë!”, ka thënë Rexha, duke shtuar se një statistikë që e gëzon veçanërisht: nga 208 të pranuarit, 105 janë djem e 103 vajza – baraspeshë gati perfekte. Madje, vajzat që aplikuan patën shkallë më të lartë suksesi në pranim se djemtë!
Me këtë brum të shkëlqyeshëm, neve mësimdhënësve të FIEK – Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike na mbetet detyra fisinike, t’i zhvillojmë këta të rinj të talentuar në profesionin e inxhinierit. Siç thotë populli: brumi i mirë – gatojca e mirë!
Kryelajmi.com



