Mbledhje komemorative në nderim të Prof. Dr. Nuhi Rexhepit në Fakultetin e Filologjisë
Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është mbajtur një mbledhje komemorative në nderim të ish-dekanit, Prof. Dr. Nuhi Rexhepit, për të kujtuar jetën, veprën dhe kontributin e tij të çmuar në arsimin e lartë dhe studimet shkencore.
Prof. Dr. Nuhi Rexhepi vlerësohet si një ndër figurat më të respektuara të Universitetit të Prishtinës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin akademik dhe institucional të Fakultetit të Filologjisë.
Një vend të veçantë në trashëgiminë e tij zë edhe kontributi për themelimin e Departamentit të Gazetarisë. Pikërisht gjatë periudhës kur ai ushtronte detyrën e dekanit të Fakultetit të Filologjisë u jetësua ky projekt i rëndësishëm akademik, me mbështetjen dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Prof. Rexhepit.
Me këtë rast, Departamenti i Gazetarisë shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Rexhepi, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të, duke e vlerësuar si një profesor të përkushtuar, studiues të shquar dhe personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë në Kosovë.
#GjilaniPRESS





