(Bisedë me prof. dr. Anton Nikë Berishën, studiues i letërsisë, poet e prozator i shquar, me rastin e 80 vjetorit të lindjes)
Momentet jubilare për njerëzit e shquar dhe për figurat publike, kontribuuesit e mëdhenj në fusha të caktuara të jetës, intelektualët tanë të mirëfilltë të cilët mund t’i quajmë dhe dijetarë me plot kuptimin e fjalës, janë një rast i mirë për t’i takuar, për t’i përgëzuar po edhe për t’i vlerësuar e përmbledhur në vija të trasha këto të arritura jetësore përmes bisedave, të cilat, nuk janë vetëm personale, po i përkasin publikut, kulturës si dhe vetë kombit që i takojnë, po dhe më gjerë.
Tetëdhjetë vjetori i lindjes së studiuesit e shkrimtarit të shquar të letërsisë sonë, prof. dr. Anton Nikë Berishës, njërit nga dijetarët e rrallë të kësaj kohe, na dha shkas për t’i bashkëbiseduar e rezymuar mbi gjashtë dekada e sa punë, angazhim e përkushtim të madh në fushën e letërsisë si dhe të studimeve letrare.
Biseda me një personalitet të tillë letrar, njëkohësisht është dhe privilegj, sepse sa më shpesh që e takon apo bashkëbisedon me të, e sheh dhe bindesh se ka mbetur edhe shumëçka pa u trajtuar , edhe pse i njëjti aq shumë ka thënë e ka dhënë përmes 123 botime origjinale – autoriale, në poezi, në prozë e në studime letrare, dy komplete botimesh autoriale, (njëri për Nënën Tereze, në shtatë vëllime dhe, tjetri me studime letrare të zgjedhura, në dhjetë vëllime), pastaj me 38 përzgje-dhjeve poetike, me 20 përmbledhje punimesh të zgjedhura si dhe me 10 botime të përkthyera e me 8 botime të transkriptuara dhe të përshtatura, pa i përme-ndur këtu edhe një serë librash të redaktuara apo të recenzuara si dhe botime të të tjerëve për krijimtarinë e tij letrare poetike e studimore.
Revista letrare – kulturore AGMIA, që botohet nga viti 1994 e këndej, e pati privilegjin të bëjë këtë bisedë me këtë emër që i dha e vazhdon t’i japë me vlugun më të madh krijues letërsisë sonë, edhe në këtë moshë, vepra me një cilësi e nivel solid letrar
AGMIA:
A mund të na thoni se çfarë ju ka shtyrë fillimisht drejt letërsisë?
ANTON NIKË BERISHA:
Nuk e di t’ju them saktësisht. Ishte prirje e natyrshme, e vetvetishme? Ndoshta ishte natyra e artit të fjalës që të tërheqë, të afron? Ndoshta leximi i librave? S’kam trashëguar ndonjë bibliotekë fami-ljare. Babanë, Nikën, e kanë rrahur në Kjevë meqenëse ia kanë gjetur dy libra në shqip (i kemi gjetur me vëllain, Nokën, në tavanin e Kullës së vjetër kur e prishëm). Njëra kishte qenë një lloj libri feje, tjetra me tekste lutjesh.
Librat e parë të bibliotekës sime janë ato që i kam marrë si dhuratë në shkollë se isha nxënës i shkëlqyeshëm për tetë vjet rresht.
Një nxitje ka qenë edhe nga leximi i atyre librave. Pjesë të tëra i dija përmendsh.
AGMIA:
Çka ka ndikuar më së shumti në formimin tuaj si shkrimtar dhe studiues?
ANTON NIKË BERISHA:
Në formimin e një shkrimtari ndikojnë një varg dukurish e përbërësish dhe asnjëherë nuk mund të thuhet me saktësi se cili ka qenë kryesor. Njëri e ka ndihmuar tjetrin, së bashku shndërrohen në diçka që pastaj bëjnë tërësinë e asaj që shkrimtari mbrun në botën dhe në shpirtin e vet dhe e shpreh përmes tekstit letrar poetik, përkatësisht përmes veprave letrare që i krijon.
Ajo që ka qenë vendimtare në jetën dhe në punën time ka qenë leximi. Leximi dhe vetëm leximi. Askush nuk lind si shkrimtar, po bëhet. Bëhet shkrimtar ai që ka një aftësi natyrore, po që me lexime të shumta e pasuron dijen për letërsinë, për artin e fjalës, e pasuron shpirtin e vet dhe atë pasuri pastaj e shprehë në veprën letrare. Mirëpo, as kjo nuk mjafton: që një vepër letrare të ketë art dhe të mund të bëjë një ndikim estetik sa më gjallërik, duhet të përligjet përmes tekstit që përftohet. Jurij Lotman thoshte: “Teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore […] çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme raportesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim […] Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë posedon ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë” .
Gjatë studimeve postdiplomike e kam vërejtur se sa pak dija për letërsinë dhe sa shumë duhej të mësoja
AGMIA:
A mund të na thoni më përafërt për këtë formim, si ka rrjedhur, ku e ka bazën? Cilët autorë ose cilat vepra kanë bërë më shumë ndikim?
ANTON NIKË BERISHA:
Regjistrimi në Shkollën normale të Prishtinës më ndihmoi shumë. Shkolla ka pasur një bibliotekë të pasur. Aty punonte një bibliotekist i sjellshëm dhe skajshmërisht pedant (shqiptar nga Mali i Zi). Ai dinte të të afronte me librin. Më këshillonte të lexoja edhe ndonjë libër si “Robinson Kruso” ose “Bija e mall-kuar”. Jan Reno, personazh i veprës “Bija e mallkuar” edhe sot nuk më hiqet nga mendja me flijimin që bën për tjetrin. Pastaj fillova edhe vetë të blija ndonjë libër. Në Shkollën normale të Prishtinës pati dhe krijues të shquar si, fjala vjen, Azem Shkreli.
Formimi i njëmend për letërsinë u zgjerua gjatë studi-
mit në Universitetin e Prishtinës – në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.
Po vendimtare që ta njoh dhe të merrem me letërsi kanë qenë studimet e rregullta pasdiplomike në Fakultetin filozofik të Universitetit të Zagrebit. Aty kisha profesorë disa nga emrat më të njohur të botës letrare dhe studimore të ish Jugosllavisë: prof. Zdenko Shkrebin, prof. Radosllav Katiçiqin, prof. Milivoj Sollarin, Prof. Viktor Zhmegaçin, Prof. Predrag Matvijeviqin, Prof. Mirosllav Bekerin… Secili më i përgatitur se tjetri. Ata mbanin ligjërata edhe në universitetet e Evropës dhe të Amerikës. Aty e kam vërejtur se sa pak dija për letërsinë dhe sa shumë më duhej që të mësoja.
Po përmend vetëm këtë të dhënë: prof. Katiçiqi na jepte poetikën e letërsisë së Indisë dhe bënte citime në tri gjuhët kryesore të atij kontinenti, si e thonë disa: hindisht, bengalisht, urdisht.
Duke i dëgjuar ato tekste në gjuhët që nuk e kuptoja asnjë fjalë, thosha: Hapu tokë të hyj brenda!
Atë që kam mësuar pastaj gjatë qëndrimeve studimore në Gjermani si bursist i DAAD-së dhe i Humboltit (dy herë) dhe në Fakultetin e letërsisë dhe të filozofisë të Universitetit të Kalabrisë, ku kam ligjëruar 22 vjet, e kam pasuruar atë dije dhe formimin tim letrar dhe intelektual. Janë dy letërsi nga mund të mësosh pa fund.
Duhet t’i përmend edhe kryeveprat letrare që janë përkthyer në gjuhën tonë, sidomos veprat e Homerit, të Eskilit, të Dantes, të Shekspirit, Gëtes, Balzakut, Dosjtojevskit, Tostlojit, Çehovit, Cvajgut e shumë të tjerëve. Ato janë modele të mëdha të artit të fjalës.
AGMIA:
Në veprën tuaj letrare dhe studimore, tradita letrare
shqiptare zë një vend të rëndësishëm. Si mund të bashkëjetojë tradita me prirjet moderne?
ANTON NIKË BERISHA:
Në qoftë se nuk e njeh mirëfilli traditën letrare (po dhe traditat e fushave të tjera) gjithmonë do të mbesësh në rrafshin sipërfaqësor të punës sate. Deshe e nuk deshe tradita bën një pjesë të madhe të asaj që ngjet në të tashmen. Pra, e tashmja, në një mënyrë ose në një tjetër, është fryt i së kaluarës. Gadamer thoshte: “Tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjë-shme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domos-doshme në çdo gjykim të ri”.
Njohja e traditës më ka ndihmuar të njoh letërsisë tonë në rrjedhën dhe në vijimësinë e zhvillimit të saj. Është e tmerrshme kur lexon diçka prej ndonjë autori, që bëhet e madhe me lavde, të cilën e kanë thënë shkrimtarët e traditës fort bukur! Si mund, fjala vjen, të flasësh për një lis e të mos i njohësh trungun dhe rrënjët?
Ne shqiptarët kemi një letërsi gojore jashtëzakonisht të pasur, po edhe një letërsi të shkruar, edhe pse të dëshmuar vonë në formën e shkruar. Nuk po përme-nd emra se do të duhet kohë e vend. Me pak fjalë, njohja e traditës te shpie të shkasi i parë i dukurive dhe i dijes, siç thoshte filozofi i lashtë grek, Talesi prej Mileti.
Teksti është përbërësi që përcakton vlerën e çdo vepre letrare
AGMIA:
Ju i keni studiuar dhe keni shkruar për një varg veprash të letërsinë shqipe, po dhe disa të letërsive të tjera. Çka ju kanë nxitur të merreni me to?
ANTON NIKË BERISHA:
Ndoshta në fillim të leximit të veprave letrare më ka interesuar më shumë ajo që është thënë në vepër, tematika dhe dramatika që është shprehur në to. Mirëpo, me kohë e kam vërejtur se gjuha, sidomos gjuha poetike, mënyra e të shprehurit, është çështja më e qenësishme. Ajo e bën artin e saj. Në gjuhën poetike dhe në sistemin e të shprehurit poetik përligjet mëvetësia dhe vlera e veprës së një shkrimtari.
Pra, më ka interesuar arti që është përligjur përmes tekstit të tyre. Teksti është përbërësi që përcakton vlerën e çdo vepre letrare, siç e përmenda edhe më lart, komunikimin e saj dhe mundësinë e ndikimit estetik. Këtë e kam synuar ta shpreh edhe në librin me titull “Mundësi interpretimi”, të botuar më 1979. Qysh atëherë e kam pasur të qartë se një vepër letrare mund të lexohet në disa mënyra, madje edhe nga i njëjti marrës, lexues. Kjo ngjet për arsye se teksti poetik ka përherë më shumë se një kuptim dhe se asnjëherë nuk lexohet e nuk receptohet njësoj. Tek e fundit, kjo është dhe një nga vlerat dhe veçantitë kryesore të artit të fjalës.
Kjo, njëherësh, përmbys, e zhbën mendimin se vepra letrare duhet të ketë porosi të qartë. Teksti që ka vetëm një kuptim, një porosi, ai nuk i përket mirëfilli artit të fjalës, letërsisë. Përkundrazi, teksti poetik është krijesë nga dalin shumësi kuptimesh, për rrjedhojë edhe mundësinë e shumësisë së komuniki-mit dhe të ndikimeve, të mos them të pafund.
AGMIA:
Sipas mendimit tuaj, çka u mungon studimeve tona letrare të sotme dhe çka duhet t’i cilësojë ato, që të jenë në rrafshin sa më të lartë?
ANTON NIKË BERISHA
Mungesa kryesore është baza teorike. Nuk mund të merresh me studimin letrar nëse nuk i njeh rrjedhat e mendimit kritik duke filluar nga Platoni e Aristoteli. Pastaj studimin e estetikës në Mesjetë dhe studimet që janë bërë në Evropë gjatë kohës së rrymës letrare të romantizmit. Në mënyrë të veçantë studimet tona moderne e bashkëkohore. Nuk shkruhet për letërsinë me dije të kufizuar se ajo nuk shpie askund, s’ka asnjë vlerë. Studimeve letrare u mungon dhe thellimi në tekstin poetik; shpesh flitet për autorët, për rre-thanat shoqërore e politike, për…, po kryesoja është teksti, siç e thashë edhe më parë.
Një pjesë e studimeve tona janë përshkrime, ose vështrime që anojnë më shumë kah sqarimi se sa analiza dhe interpretime të mirëfillta. Disa mendojnë se përfolja e tekstit të një vepre është vështrim ose interpretim!
AGMIA:
Në udhëtimin tuaj krijues keni përshkuar një hapësirë të gjerë të letërsisë, duke u ndalur në lloje e forma të ndryshme — nga bota e letërsisë për fëmijë, te poezia, proza e shkurtër e romani, e deri te studimi dhe përkthimi letrar. Në këtë shumësi shprehjesh letrare, cili prej tyre ka qenë më pranë natyrës suaj krijuese? Në cilin prej këtyre zëri juaj krijues ka gjetur trajtën më autentike?
ANTON NIKË BERISHA:
Është e vërtetë se në rrugëtimin tim krijues kam përdorur mënyra dhe lloje të ndryshme letrare. E kam nisur me vjersha për fëmijë, e kam vijuar me romane për fëmijë e për të rritur. Kam botuar edhe disa vëllime me proza të shkurtra poetike, po dhe vëllime me përsiatje poetike, ku vargu si formë është bazore.
Kur shkrimtari fillon të mendojë për hartimin e një vepre, atëherë e zbaton atë lloj që i flenë më shumë ose e ndjen më thellë, mendon se përmes tij do të thotë diçka më të qenësishme dhe më poetike, që komunikon më gjallërisht me lexuesin. Pra, janë disa përbërës që e përcaktojnë që shkrimtari të vendosë të shprehet përmes një lloji letrar. A ka qenë ajo zgjidhje e drejtë, vërehet kur të kryhet vepra, kur lexuesit ta thonë mendimin ose vlerësimin për të. Autorit i takon ta krijojë veprën letrare poetike, të tjerët janë ata që e vlerësojnë atë, jo ai, siç ndodh shpesh në botën tonë letrare.
Llojet e shumta letrare që përdor autori mund të dëshmojnë edhe dijen, aftësinë, përkushtimin dhe përcaktimin krijues.
Pa marrë parasysh se cilin lloj letrar përdor kur e harton veprën ai duhet që përmes saj të krijojë art, sa më shumë art. Vetëm arti i siguron veprën jetën e gjatë, komunikimin dhe mundësinë e ndikimit estetik.
Në veprimtarinë time jam marrë shumë vite me studimin e letërsisë si art dhe të veprave të veçanta të letërsisë sonë, po dhe të disa veprave të letërsive të tjera. Punimin e parë “Analogji e porosive të fantazmave”, ku krahasoja porositë e fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit e botova më 1968 .
Në fillim kam shkruar për disa vepra, jo se doja të merresha me studimin letrar, por që t’i lexoja ato sa më me vëmendje; të depërtoja sa më thellë në botën poetike të tyre dhe të mësoja prej tyre, ta bëja timin sistemin e të shprehurit, gjuhën poetike e ndonjë përbërës tjetër të rëndësishëm.
Proza dhe veprat në prozë më kanë tërhequr më së shumti. Kështu, vetëm në romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” kam punuar rreth shtatë vjet. Kur kam shkruar prozë, gjithnjë i jam përmba-jtur mendimit të shkrimtarit Gustav Floberit: “Sa gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandë-rrueshme, po ashtu ritmike, po ashtu tingëlluese”.
Me studimin e letërsisë jam marrë edhe për ta njohur sa më gjerë dhe sa më thellë natyrën e letërsisë si art i fjalës dhe rëndësinë e ndikimit në marrësin, që më ka shërbyer në hartimin e veprave poetike, në prozë dhe në poezi. Nuk mund të bëhesh shkrimtar i mirëfilltë nëse nuk e njeh mirëfilli natyrën e letërsinë si art të fjalës, rëndësinë e saj për pasurimin shpirtëror të njeriut dhe mënyrat dhe rëndësinë e komunikimit dhe të ndikimit të artit.
Më vonë vetvetiu qëllimi i fillimit që shkruaja për disa vepra të letërsisë sonë, u shndërrua në një veprimtari që ia kushtova një pjesë të madhe të punës e të jetës sime. Këtë më së miri e dëshmon kompleti prej 10 vëllimesh Studime letrare të zgjedhura (Shtëpia botuese “Faik Konica” Prishtinë 2025), ku kam përfshirë, sipas meje, pjesën më cilësore të punës sime në këtë fushë.
Njohja e kryeveprave të letërsive të ndryshme është domosdoshmëri
AGMIA:
Jeni marrë, siç u tha, edhe me studimin e disa kryeveprave të letërsisë së përbotshme. Keni pasur ndonjë arsye të veçantë për këtë?
ANTON NIKË BERISHA:
Arti i fjalës ose letërsia krijohet në gjuhë të shumta. Siç janë llojet dhe veprat e shumta e të ndryshme ashtu janë dhe letërsitë. Mënyrat e të shprehurit letrar poetik janë të pafund dhe këtë, siç dihet, e shkakton sidomos natyra e gjuhës poetike, kumtet poetike. Mirëpo, të gjitha letërsitë i bashkon një përbërës i qenësishëm: arti, arti i fjalës, e bukura që shprehet përmes tekstit, mundësia e ndikimit sa më të thellë estetik, shkaktimi i kënaqësisë.
Njohja sidomos e kryeveprave të letërsive të ndry-shme, është domosdoshmëri. Përmes tyre jo vetëm që mëson se të çfarë natyre janë veprat me art të madh ose kryeveprat, po dhe mënyrat e pafund të krijimit të tyre. Duke i lexuar veprat me artin e rrafshit të tillë, i hap shteg që edhe ti të synosh një gjë të ngjashme. Në parathënien e vëllimit me lirika “Soditje” Viktor Hygoja thoshte: “Asnjërit prej nesh nuk i takon nderi të ketë një jetë krejtësisht të vetën. Jeta ime është e juaja, jeta juaj është e imja. Ju jetoni atë çfarë unë jetoj, fati i njeriut është Një. Merreni pra këtë pasqyrë dhe vështroni vetveten: kur ju flas për mua, unë kam folur për ju”. Këtë ndërlidhje, afrinë e veprave letrare poetike, përkimshmërinë dhe vazhdimësinë që dëshmohet në to përligjet dhe nga mendimi i Dostojevskit për novelën e Gogolit “Manteli”: “Të gjithë ne kemi dalë nga ‘Manteli’ i Gogolit ”.
Pra, ai shkrimtar që mendon se i mjafton letërsia që shkruhet në gjuhën e tij, mund të dijë gjithçka po jo se çka është mirëfilli arti i fjalës, letërsia.
Është edhe një punë tjetër pse një studiues merret me veprat e letërsive të tjera, me kryeveprat që janë krijuar në to: e provon veten mirëfilli se sa ka dije e sa ka aftësi të merret me tekstet poetike që kanë kaluar nëpër kohë të ndryshme për të ardhur deri në ditët tona.
AGMIA:
Sa ndikon përvoja vetjake në krijimin e një vepre letrare dhe a mund të shkëputet ndonjëherë vepra nga biografia e autorit?
ANTON NIKË BERISHA:
Pa asnjë dyshim përvoja e ka rëndësinë e vet në veprimtarinë e një shkrimtari. Mirëpo, duhet të qartësohet se për çfarë përvoje bëhet fjalë, e çfarë përmasash është ajo përvojë. Përvojë vetëm brenda një letërsie ose e fituar edhe nga leximi i veprave të letërsive të tjera, përvojë e një hapësire të kufizuar ose përvojë që shtrihet shumë më gjerë, përvojë që e ka mësuar edhe nga shkrimtarët e mëdhenj të kohëve dhe të letërsive të ndryshme. Kjo është një përvojë e pakufi, fryt i përvojave të shumta (njësim përvojash). Duke i lexuar dhe duke shkruar (duke i interpretuar ose përkthyer ato) kam mësuar shumë, po jam bindur se duhet të mësosh edhe më shumë.
AGMIA:
Si e shihni marrëdhënien ndërmjet letërsisë dhe identitetit kombëtar, sidomos në rastin e letërsisë sonë?
ANTON NIKË BERISHA:
Ka një marrëdhënie të ngushtë të letërsisë sonë me identitetin kombëtar, përkatësisht me botën që i përkasin shkrimtarët tanë; me atdheun dhe me popullin e tyre. Kjo lidhje dhe ky përcaktim fillon me veprat e para të shkruara në gjuhën tonë që i njohim deri më sot.
Kështu, në pasthënien e veprës së parë të botuar në gjuhën tonë – “Meshari” (1555) të Gjon Buzukut, autori shkruan: “U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue ụ kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të ņdigluom ņ së Shkruomit shenjtë, ņ së dashunit së botësë sanë desha me ụ fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të ņdiglonjinë, përse ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i përmishëriershim anshtë Zotynë atyne qi ta duonë m gjithë zemër”.
Në Parathënien e “Pasqyrës së të rrëfyemit” (të botuar më 1618) Pjetër Budi thekson: “[…] sā i madh kā qenë gjithëherë kujdesi e dëshiri i zemërësë sime për ndihmë të Patriesë e të gjuhusë sanë, qi u vduorrë ende po vdārrenë mā të shumënë e veçëse për letërë e për të mpsuom” (nënvizimi im).
Ngjashëm thotë edhe Pjetër Bogdani në parathënien “Të primit e leterarit” të “Çetës së profetëve” (1685) “[…] ashtu qi kur të kthenje prej dheut sinë të keshe nji qirí ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek dhē t’ Arbënit e të Shërbísë, i silli e madhe pjesë flet arbënisht, tue kjanunë dalunë dheut së Arbënit, e mbjellë shêjtenë Fē ndë dhē të Despotit […]”.
Këtë qëndrim dhe përcaktim e përligjin dhe veprat e Naim Frashërit, të Fishtës, po dhe të shumë shkrimtarëve tanë. Kjo traditë vijon edhe në një varg veprash të letërsisë sonë moderne dhe bashkëkohore.
Arti i mirëfilltë ka natyrë tjetër dhe kërkon shumë dije, shumë përkushtim dhe flijim.
AGMIA:
Në një kohë kur leximi tradicional po përballet me rrjetat sociale dhe të format e reja të komunikimit, çfarë mund të bëjë letërsia për ta ruajtur rëndësinë dhe rolin e saj te lexuesi i sotëm?
ANTON NIKË BERISHA:
Është krejtësisht e natyrshme që me rrjedhën e kohës të ndryshojnë dhe mënyrat e komunikimit të arteve dhe të ndikimit të tyre, brenda tyre dhe të artit të fjalës – letërsisë.
Më lejoni të kujtoj këtu se veprat letrare në fillim (nga ajo që dimë deri më sot) janë shkruar në pllaka të argjilës të shkruar me kunja (kujto Epin e Gilgameshit, të “botuar” në 12 pllaka të argjilës mbi 4000 vjet më parë), pastaj të shkruara në papirus e pergamena deri te botimi si libra (me Gytenbergun).
Ato krijime që shfaqen në Fb ose në forma të tjera, e kanë zbritur letërsinë në kumt të thjeshtë; tekstet shkruhen aty për aty dhe vihen në komunikim ende brumë! Me fjalë të tjera, atë ditë që shkruhen, atë ditë edhe vdesin, s’kanë jetë më të gjatë.
Arti i mirëfilltë ka natyrë tjetër dhe kërkon shumë dije, shumë përkushtim dhe flijim. Në qenësi vepra letrare është formë, është shumësi kumtesh poetike. A nuk e dëshmojnë këtë veprat që janë shkruar me mijëra vjet më parë “Epi i Gilgameshit” , “Vedat” indiane, “Iliada” dhe “Odiseja” e Homerin për të mos i përmendur veprat e tjera. Është arti që ka bërë të mbijetojnë këto vepra nëpër kohë dhe arti i tyre do të kushtëzojë të mbijetojë edhe në të ardhmen.
AGMIA:
Çfarë roli duhet të ketë kritika letrare sot? A mendoni se kritika bashkëkohore shqiptare arrin ta përcjellë dhe ta vlerësojë siç duhet letërsinë që po krijohet?
ANTON NIKË BERISHA
E kanë thënë shkrimtarë dhe studiues të shquar se kritika e mirëfilltë, teorikisht e lartësuar dhe e paanshme, është e rëndësishme dhe ndikon në rrjedhën e zhvillimit e të pasurimit të një letërsie.
Në disa periudha të zhvillimit të letërsisë sonë ka pasur një kritikë që jo vetëm i ka përcjellë veprat e botuara, por dhe ka ndikuar në disa ecuri dhe ngritjen e cilësisë së saj.
Sot, mjerisht, kritika letrare, përkatësisht studimi i letërsisë as nuk e bën detyrën e parë, as të dytën. Ne jemi shtet pa gazetë ditore ose javore ose mujore. Pak revista letrare (disa u thënçin revista!) dalin me numër të kufizuar kopjesh dhe u përkasin grupeve të caktuara dhe lexohen kryesisht nga ata që i botojnë punimet në to! S’kemi një revistë ku bashkëpunojnë shumica e shkrimtarëve tanë, siç ishte dikur revista “Jeta e re” ose “Fjala” ose “Nëntori”.
Librat që botohen me kritika letrare, me studime ose me interpretime depërtojnë pak tek lexuesit. Ato i përdorin kryesisht ata që merren me studimin e letërsisë ose ata që kanë nevojë për hartimin e ndonjë teme, kumtese ose punimi – si detyra shkollore ose universitare.
Këto, ndër të tjera, janë arsyet që format e tjera të kenë marrë “primatin” përballë letërsisë së mirëfilltë, artit të mirëfilltë të fjalës.
AGMIA:
A besoni se një shkrimtar duhet të ketë një përgjegjësi shoqërore përtej krijimit të veprës (letërsi e angazhuar), apo letërsia duhet të mbetet kryesisht një hapësirë e lirisë krijuese? Sipas Borhesit një prej mëkateve të letërsisë moderne është se kjo letërsi është e vetëdijshme. “Nuk ma merr mendja se inteligjenca ka të bëj me punën e shkrimtarit”, shton ai. Çfarë mendoni ju?
ANTON NIKË BERISHA:
Vetë fakti se shkrimtari merret me artin e fjalës, pra i harton veprat poetike që komunikojnë dhe bëjnë ndikim estetik në marrësin e shtresave e të moshave të ndryshme, puna e tij ka vlerë dhe rëndësi shoqërore. Në këtë rast rëndësia e tij është e dyfishtë: si subjekt shoqëror dhe si krijues, si shkrimtar, i cili ia afron tjetrin artin e tij, thesar i shpirtit dhe i botës së tij, që është i rëndësishëm edhe për tjetrin.
Shkrimtari i mirëfilltë gjithçka të jetës së vet ia kushton letërsisë. Atë e njeh më së miri, ia di vlerën dhe rëndësinë dhe përmes veprave letrare dhe artit të tyre e jep ndihmesën e tij më të madhe si pjesëtar i një shoqërie.
Ai mund të bëjë edhe punë të tjera shoqërore, po ato duhet t’i mësojë, t’u përshtatet e pastaj të japë ndihmesën e vet. Nëse një shkrimtar vendos të merret me një veprimtari tjetër shoqërore, fjala vjen, me politikë, domethënë vendos t’i mbajë dy shalqi në një dorë!
AGMIA:
Pas një përvoje të gjatë krijuese dhe studimore, si ka ndryshuar koncepti juaj për një vepër të mirë letrare? Çfarë e bën një vepër të mbijetojë përtej kohës së saj?
ANTON NIKË BERISHA:
Në rrjedhën jetësore njeriu ndryshon, siç ndryshojnë dhe një varg dukurish që lidhen me të e me botën e tij. Koncepti për artin e fjalës mund të pësojë ndryshime, veprat e krijuara sipas konceptit të një rryme letrare, fjala vjen, klasicizmi përballë roman-tizmit, ose letërsia e lashtë greke me letërsinë bashkëkohore, po arti është kryesori, e bukura që përftohet përmes tekstit dhe ndikon në shpirtin e marrësit, që përcaktojnë vlerën dhe jetën e çdo krijese letrare.
Shkrimtari ynë i shquar, Jeronim De Rada, vë në dukje se për ta kuptuar si duhet natyrën e artit të fjalës lypset përpjekje e përhershme nga se vepra letrare shpreh “shkakun e brendshëm” të dukurive dhe të gjërave. Së këndejmi, kur e kuptojmë në thellësi artin në përgjithësi, brenda tij dhe artin e fjalës, atëherë mësojmë se ai ka rëndësi të madhe për njeriun dhe jetën e tij. Kjo ngjet për shkak se arti është ngushtë i lidhur, siç u tha, me të bukurën. Viktor Hygoja thoshte: “Bukuria e gjithçkaje mbi tokë (edhe ajo e artit) qëndron në mundësinë e saj për t’u përsosur. Gjithçka ka dhuntinë e kësaj veçorie: të rritet, të shtohet […] të përsoset” , ndërsa De Rada theksonte: “E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore, na është dhënë që ta mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të japë fruta e lule […] Këndej del se kultivimi i bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe ka një peshë shumë të madhe për të mirën ose për të keqen në jetën e njeriut. Dhe një detyrë e tillë që vjen duke u rritur, është e lodhshme dhe e gjatë sa vetë jeta tokësore ”.
Që një vepër letrare të komunikojë dhe të mbijetojë nëpër kohë duhet të jetë sa më e veçantë, poetikisht sa më e pasur dhe me mundësi sa më të madhe të ndikimit estetik. Kjo në qenësi i jep veprës vlerën e kohëve të pambarim.
Letërsia u bë pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimit tim
AGMIA:
Tetëdhjetë vjetori i lindjes suaj shënon një arkiv punësh, veprash, përvojash e kujtimesh, titujsh e mirënjohjesh. Si ndiheni ju vetë?
ANTON NIKË BERISHA:
Ndihem mirë, pas asnjë dyshim, mirë. Është një vepër që e kam krijuar në vijimësi, duke filluar nga viti 1964, kur botova poezi në revistat letrare “Pionieri” dhe “Jeta e re!”. Është një punë e mëvetësishme, pa iu përkulur askujt, pa ia mbajtur çantën askujt, pa i takuar asnjë grupi formal ose jo formal. Jam i vetëdijshëm se është vepër e përvuajtur, po krejtësisht e imja, e dijes sime, e shpirtit tim, e mundit dhe e flijimit tim.
Mund të them se nga mosha njëzet vjeçare letërsia u bë pjesë e pa ndashme e jetës dhe e veprimit tim; ndërsa unë u përpoqa t’i jepja asaj më të veçantën e botës sime të brendshme, më të rëndësishmen, më cilësoren, pa e kursyer as kohën, as mundin e as dijen time të vjelë nga librat të shumtë gjatë gjithë jetës. Edhe sot leximin e kam pjesë të pandashme të frymëmarrjes. Nuk dëgjoj as lajme e as ballafaqime politike e të tjera. Kur lodhem i shikoi emisionet “Në botën e kafshëve”. Duke i parë ato e mësoj më mirë dhe jetën e njeriut.
AGMIA:
Nëse do t’u drejtoheshit shkrimtarëve të rinj që sapo po e gjejnë zërin e tyre, çfarë do t’u këshillonit përballë rrethanave të botës së sotme?
ANTON NIKË BERISHA:
Njerëzve nuk u pëlqejnë e nuk u duhen këshillat. Kur shkrimtari i madh rus, Çehovi, e takoi Ivan Bunin, edhe ai shkrimtar i ri rus (më 1933 Bunini e mori shpërblimin Nobel për letërsi), e pyeti: Me çka me-rreni ju koleg? Shkruaj proza të shkurtra. Mrekulli. A mund t’ju këshilloj një gjë? Po, i thotë Bunini. Kur të shkruani prozë duhet të jeni i ftohtë si akulli dhe të keni qetësi absolute.
Kjo ishte porosi e prozatorit të madh rus, Çehovit.
Për krijuesit tanë të rinj do të thosha: lexoni, lexoni e lexoni vepra të mëdha letrare poetike. Nga leximi mësoni atë që nuk e dini dhe atë që është e qenë-sishme dhe do t’ju shërbejë për hartimin e veprave që do t’i hartoni. Arti do(n) dije, përkushtim dhe flijim të madh e të vijueshëm. Arti i madh përftohet nga dija e madhe, nga përkushtimi i madh dhe nga flijimi i vijueshëm. Çdo tekst letrar duhet të përpunohet me përkushtimin e me durimin më të madh, ndonjëherë të pafund. Po sjell këtu mendimin e Çehovit , ndër prozatorët më të shquar në rrafshin botëror, për rëndësinë e Tolstojit si shkrimtar, vepra e të cilit veçohet për vlera të jashtëzakonshme poetike: “Kam frikë nga vdekja e Tolstojt. Nëse do të vdesë, në jetën time do të krijohet një boshllëk i madh. Së dyti, kur në botën e letrave ekziston një Tolstoj, atëherë bëhet e lehtë dhe e pëlqyeshme të jesh njeri i letrave. Dhe megjithëse mendon se nuk ke bërë asgjë dhe se vazhdon të mos bësh gjë, kjo nuk është aspak e tmerrshme, sepse është Tolstoj. Ai krijon për të gjithë”.
Më tmerron veprimi i disa shkrimtarëve tanë që nuk i kthehen tekstit të tyre, po e vënë në komunikim të menjëhershëm, e botojnë në variantin e parë, pa e lodhur kryet se fjalitë dhe të shprehurit u dalin si drithi i vënë në thes! Veprat e tilla vdesin pikërisht në kohën kur lindin.
Prishtinë, shtator 2026
Biseduan
Albina IDRIZI
Sabit RRUSTEM
___________________
(Marrë nga revista letrare – kulturore, AGMIA, nr. 52, e cila sapo ka dalë prej shtypit, botimin e së cilës e ndihmoi Ministria për Kulturë e Turizëm e Republikës së Kosovës, për vitin 2026)





