Gjilan

Ka ndërruar jetë dr. Ukshin Ismajli, ish-drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit

Ka ndërruar jetë në Gjilan, mjeku në pension, Ukshin Ismajli.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë, kolegët dhe opinionin e gjerë se sot, në orët e para të mëngjesit, ka ndërruar jetë Dr. Ukshin Ismaili.
Mbledhja komemorative në nderim të jetës, veprës dhe kontributit të tij mbahet nesër, të martën, më 13.10.2026, në orën 11:00, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër, pas namazit të drekës, në orën 13:00, në varrezat e fshatit Malishevë”, thuhet në njoftimin e familjes.
Ismajli ka qenë ndër anesteziologët e hershëm të Spitalit në Gjilan, të cilin për një kohë edhe e ka udhëhequr.
Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, ndërsa specializimin në anesteziologji e përfundoi në Zagreb, në vitin 1988.
Dr. Ismajli dha kontribut të madh në periudhat më të vështira për Kosovën, duke qenë ndër mjekët që trajtuan nxënësit e helmuar gjatë viteve 1989–1990, pastaj gjatë periudhës së luftës si dhe periudhës së COVID-19.
Në tetor të vitit 2022 u pensionua.

You Might Also Like