Gjilan

Dega e PDK-së në Gjilan për dr. Ukshin Ismajlin: Humanizmi dhe përkushtimi i tij gjatë dhe pas luftës mbeten dëshmi e gjallë e devotshmërisë së tij ndaj jetës dhe vendit në periudhat më të vështira

PDK – Dega në Gjilan

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Ukshin Ismajlit, një prej anesteziologëve të parë në Kosovë, ish-drejtor i Spitalit Regjional të Gjilanit dhe veprimtar i çmuar i strukturave tona në Gjilan.

Pas specializimit në vitin 1988, Dr. Ukshin Ismajli i përkushtoi jetën shëndetësisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shërbimit të anesteziologjisë në Gjilan e më gjerë. Profesionalizmi, përvoja dhe përgjegjësia e tij e lartë e bënë atë një emër shumë të respektuar mes kolegëve dhe qytetarëve.

Humanizmi dhe përkushtimi i tij ndaj pacientëve para, gjatë dhe pas luftës mbeten dëshmi e gjallë e devotshmërisë së tij ndaj jetës dhe vendit në periudhat më të vështira. Si ish-drejtor i Spitalit Regjional të Gjilanit, ai udhëhoqi me përkushtim, duke lënë gjurmë të patjetërsueshme në historinë e shëndetësisë lokale.

Përveç veprimtarisë mjekësore, Dr. Ismajli dha kontributin e tij edhe në jetën publike, si pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, ku do të kujtohet gjithmonë si një bashkëpunëtor i denjë e me integritet.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, komunitetin shëndetësor dhe të gjithë qytetarët e Gjilanit.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dega në Gjilan, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Ismajli, kolegëve, miqve dhe të gjithë dashamirëve.

Kujtimi dhe vepra e Dr. Ukshin Ismajlit do të mbeten të paharrueshme!

U prehtë në paqe!

You Might Also Like