Një moment historik është shënuar në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, ku u mbajt ceremonia e dorëzimit të certifikatës zyrtare Guinness World Records nga rekordmeni shqiptar, z. Agim Agushi. Ky vlerësim ndërkombëtar u dha për arritjen e jashtëzakonshme të z. Agushi, i cili arriti të mbajë topin me kokë ndërsa zhveshi plot 28 fanella.
Vizita u pasurua edhe me një donacion me vlera të thella historike. Gjatë këtij aktiviteti, z. Agushi i dhuroi muzeut një kopje të “Labirintit të Smirës” (të njohur ndryshe si Rrethi i Smirës). Ky objekt shërben si një dëshmi kuptimplote e vendlindjes së tij, Smirës së Vitisë, dhe përfaqëson një simbol të lashtë iliro-dardan që pasqyron gjeometrinë e shenjtë dhe ciklin e jetës.

Në faqen zyrtare të muzeut, kjo ngjarje u vlerësua si “një gërshetim i përsosur i historisë antike me suksesin modern.
Përfaqësuesit e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë shprehën falënderime të përzemërta për z. Agushi dhe të gjithë pjesëmarrësit që ndanë emocionet e kësaj dite të papërsëritshme.




