Gjilan

Në Përlepnicë, në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta përkujtohet Prof. dr. Xhavit Ahmeti

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Xhavit Ahmetit në Shtëpinë e Kulturës në Përlepnicë të Gjilanit është mbajtur Akademi Përkujtimore e organizuar nga Këshilli Organizativ i Fshatit dhe SHFMU “Skënderbeu”, shkruan kryelajmi.com

Pasi është dhënë një biografi e shkurtër për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Xhavit Ahmetit, Bujar Nevzati nga Këshilli Organizativ, dr. Xh. Ahmetin e cilësoi atdhetar dhe intelektual të madh, duke thënë se ai ishte frymëzim, dritë dhe shembull për të gjithë, njeri me vlera të mëdha.

Ahmet Isufi, ish-komandant i ZOK-ut, tha se Prof. Xhaviti u vu në shërbim të lirisë e të atdheut. Sipas tij  Përlepnica duhet të jetë krenare me Xhavit Ahmetin e Zija  Shemsiun. Ai tha se dr. Xhavit Ahmeti me shpirt e deshi arsimin, andaj deri në vdekje punoi për arsimin.

Në emër të degës së LDK-së në Gjilan, parti të cilës i përkiste edhe dr. Xhavit Ahmeti, ka folur Lirije Abdurrahmani – Kajtazi, e cila tha se edhe derisa ishte studente në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, të gjithë janë mburrur me profesor Xhavit Ahmetin, i cili ishte i afërt me të gjithë, kurse Shefki Bajrami, ish-mësues, bashkëpunëtor dhe bashkëmoshatar i dr. Xhavit Ahmetit, ka evokuar kujtime për këtë njeri të madh të arsimit.

Në emër të familjes Ahmeti, ka folur Qemajl Ahmeti, vëlla i dr. Xhavit Ahmetit, i cili ka falënderuar Përlepnicën, e cila kurrë nuk e ka harruar bashkëvendësin e vet.

Në këtë përvjetor është dhënë një program i pasur kulturor e artistik, i realizuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Skënderbeu” në Përlepnicë, shkollë ku hapat e parë i kishte marrë edhe Xhavit Ahmeti, kurse Salla e Kulturës në Përlepnicë ishte e stërmbushur me bashkëpunëtor dhe bashkëvendës të dr. Xhavit Ahmetit, emrin e të cilit sot me krenari i mbanë Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, shkollë e cila gjithashtu është përfaqësuar në këtë përvjetor me stafin e shkollës, të prirë nga drejtori Bekim Mustafa. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like